Autor: Adil Olluri, shkrimtar
Që nga antika e deri më sot gruaja ka qenë njëra nga shtyllat me të qenësishme të motiveve dhe trajtave tematike në dramaturgjinë botërore, duke qenë herë si personazh kryesor që i bart veprimet, e herë si figurë-ide për të cilën nxiten e zhvillohen veprimet. Vlen ta përmendim “Antigonën” e Euripidit, “Norën” e Ibsenit, dramën “Natën e mirë, nënë” të Marsha Norman etj, për t’i parë krajatat e personazhit-grua, si ato të ndërlidhura me raportet e saj me shoqërinë, po ashtu edhe ato familjare e personale. Gjithashtu, edhe në dramën shqipe prania e figurës së gruas mund të shihet si nga pozicionimi nacional e heroik, “Halili e Hajria” e Kolë Jakovës, “Jerina, ase mbretnesha e luleve” e Gjergj Fishtës, po ashtu edhe nga pozicionimi deheroizues, si ta zëmë te “Vdekja e një mbretëreshe” e Rexhep Qosjes.
Në dramat e autores Arta Arifi gruaja është jo vetëm kryepersonazhi, por edhe bosht ideor e bazament prej nga zhvillohet e tërë fabula dhe rrjeti tematik. Në shtatë dramat e Artës gruaja vuan, dashuron, përjeton, kujdeset e merr vendime. “Dardha pas bunarit”, “Kohë pa ngjarje”, “Gruaja në dritare”, “Aritmi”, “Në kërkim të Zalas”, “Perlat e Marisë” dhe “Pianisti dhe kukulla blu”, janë shtatë drama të saj, ku ndërthurën këto e shumë motive të tjera të përafërta me to.
Shtatë drama, të shkruara përgjatë shtatë viteve (2007-2014), të botuara në dy vëllime dhe nga dy shtëpi të ndryshme botuese (“Faik Konica” dhe “Erata”) na vijnë para nesh me një larushi ngjarjesh e shumësi të situatave dramatike, që mund të na japin mundësi të ndryshme interpretimi. Zgjedhja e numrit shtatë nga ana e autores nuk është e rastësishme dhe e paqëllimtë, meqë një gjë e tillë duket të jetë e motivuar nga të qenët e tij si një numër simbolik e biblik.
Të tri tekstet dramatike “Dardha pas bunarit”, “Kohë pa ngjarje” dhe “Gruaja në dritare”, të botuara në një vëllim të veçantë, mund të funksionojnë edhe si një trilogji e projektuar nga ana e autores, meqë kemi një përngjasim të intrigave e ndodhive, sa që mund ta formojmë bindjen se aty ku mbaron njëra dramë aty edhe fillon drama tjetër.
“Dardha pas bunarit” i takon modelit të etnodramës, ku ngjarja është e vendosur në një fshat malor dhe në një kohë, ku traditat kanunore e patriarkale kanë qenë të panegociueshme. Në këtë dramë na shpërfaqet njëra nga temat kryesore të artit të shkruar shqiptar, ajo e gjakmarrjes. Por, këtu ajo shihet nga një këndvështrim tjetër, nga ai i grave, andaj këtu qëndron intenca autoriale, që e ndërton tekstin nga kreu deri në fund. Te “Dardha pas bunarit” i hasim tri motive, si gjakmarrjen, pronën e tendencën e posedimit të gjithçkaje, si dhe dashurinë, si motiv i tretë. Hatixhes dhe dy vajzave të saj i vritet burri, përkatësisht babai, duke mbetur në duart e rrogëtarit, Sokolit, të cilin i ndjeri dhe e shoqja e tij e kishin pranuar me dashamirësi në shtëpinë e tyre. Hatixheja, duke e ndier veten e vetmuar dhe e pambrojtur, dashurohet në Sokolin. Ndërsa, ai synon që të zotërojë gjithçka, shtëpinë dhe të gjitha pronat e tyre, madje edhe vajzat e saj. Njërën veç e kishte shtënë në dorë (Cucën), ndaj synonte që ta këtë të tijen edhe të dytën (Dritën). Në fund të dramës zbulohet vrasësi i zotit të shtëpisë, që ishte Sokoli, dhe ishte vetë Hatixhja, që përkundër dashurisë, u hakmor në të.
“Kohë pa ngjarje” është po ashtu një tekst dramatik i llojit të etnodramës, e cila njësoj si e para e kishte në vete tematikën e gjakmarrjes. Kjo temë e shikuar prej këndit të tri grave ortake të një burri, i nxjerrë në pah pesë motive thelbësore të këtij krijimi dramaturgjik të Arta Arifit, siç janë ortakëria, vetmia e grave, pritja e burrit të zhdukur, përballja me gjakësin dhe ballafaqimi i grave të fshatit me civilizimin që vjen nga qyteti. Jetesa në një ortakëri mes grave të një burri, në kohën për të cilën flet drama, nuk e kishte epitetin e sotëm të poligamisë, por ajo bëhej në ato rrethana kur burrit nuk i lindte fëmijë, veçanërisht djalë, gruaja e parë apo e dytë. Pra, bëhej për vazhdimësi të trashëgimisë familjare. Ajkuna, Hana dhe Anita e shpalosin para lexuesit bashkëjetesën në një kulm, grindjet dhe zilinë e përditshme të tri grave që janë në ortakëri. Shpërthimi emocional shihet më qartë te Ajkuna, e cila e donte më të vërtetë Bardhin, por kishte kohë që ajo e kishte humbur ndjenjën e të qenët e dashuruar edhe nga ai. Motivi i vetmisë së grave në një shtëpi, pa praninë e burrit, vërehet që nga fillimi, meqë Bardhi ishte zhdukur dhe nuk kthehej më në shtëpi, fati i të cilit merret vesh tek në fund. Motivi i vetmisë shkon krahas me motivin e pritjes, ku ato vazhdimisht e presin të shoqin për t’u kthyer në shtëpi. Kjo odisejadë e pritjes i bën të tri gratë që të na duken, veçanërisht Ajkuna, si Penelopa në miniaturë. Përballja me gjakësin, Sylën, që ishte edhe kushëriri i burrit të tyre, vihet në pah që nga fillimi. Atij ia kishin vrarë të atin familja e Bardhit, të cilin Syla, në fund të shfaqjes, kuptohet se e ka vrarë për të marrë hak. Ai tenton të bëhet “zot shpie”, meqë ishte edhe i afërm i familjes.
“Gruaja në dritare” është një nga dramat më të veçanta të Arta Arifit, në të cilën ngjarja nga fshati, siç ishte në dy tekstet e para, tashmë zhvendoset edhe në qytet. Në këtë dramë i hasim një mori motivesh, por ne do t’i veçonim vetëm disa prej tyre, si malli i motrës për të vëllanë, kujtimi i saj i përhershëm për të. Motra asnjëherë nuk pajtohej dhe nuk besonte se i vëllai ka vdekur. Pastaj, në këtë tekst flitet edhe për raportet ndërvëllazërore, raportet e burrit me gruan, si dhe motivi i homoseksualizmit (raporti mes Hans Bergerit dhe Johan Shvarcit). Prekja e kësaj tabu-teme paraqet një guxim autorial nga ana e Artës, që është veçori e artistëve që me ngulm dëshirojnë t’i prekin edhe temat që nga dogmatikët e mundshëm mund të konsiderohen si tema “jo normale”.
“Aritmi” si model i thurjes dramatike dallon nga tri tekstet e mëparshme, meqë nëse në të parat kemi elemente të etnodramës me ngjyra të një realiteti të mundshëm, që është më i shpërfaqur e më eksplicit, te kjo dramë hasim elemente të një diskursi të dramatikes së absurdit dhe prani të një realiteti grotesk. Te “Aritmi” si motive reprezentative janë pritja dhe mbyllja e frika nga realiteti i jashtëm. Të tri protagonistet, Andrea, Elizabeta dhe Vivien, me profesion aktore, janë të fshehura në një bodrum të një kishe. Ato presin diçka. E presin regjisorin e famshëm, zotin Franklin, dhe presin që të dalin jashtë e të shpëtojnë nga ky vetëngujim shkaku i rrethanave të jashtme. Koha e ngjarjes në këtë dramë është universale, por si kohë hipotetike mund të merret edhe koha e luftës së fundit në Kosovë. Andaj, motivi i një pritjeje të zakonshme (pritja e zotit Franklin) në një kohë të pazakonshme është një gjetje kreative nga ana e autores.
“Në kërkim të Zalas” është po ashtu një tekst me karakteristika të dramës së absurdit, në të cilën mbizotërues është motivi i gruas së pakënaqur, i gruas që kërkon dashuri. Ana, protagonistja e këtij teksti, është një Ana Kareninë në miniaturë, e cila kërkon dashuri dhe paqe me vetveten. Ajo e dashuron Zalan, që është mashkulli i saj ideal dhe është e fiksuar pas tij.
“Perlat e Marisë” ngërthen në vete elementet e dramës së ritualit dhe të dramës së absurdit. Maria, po ashtu sikurse Ana e dramës paraprake, nuk kërkon gjë tjetër, pos dashurisë së Gjonit. Ajo çka lë përshtypje dhe veçohet në këtë dramë është motivi i një marrëdhënieje incestioze në mes të nënës dhe të birit të saj, Gjonit. Me këtë rast duhet përgëzuar autoren për këtë detabuizim të kësaj teme në dramaturgjinë shqipe.
Dramat e Artës janë drama për gruan dhe drama jetësore të gruas, si asaj shqiptare, po ashtu edhe të gruas së kudondodhur në një botë, ku trysnia dhe moskuptimi i saj është më se e vërejtshme. Të gjitha dramat e Artës i karakterizon atmosfera e pritjes, që bëhet e shenjë e veçori e shkrimit të saj.