Pavarësisht mobilizimit, ish drejtorët Shyqeri Haxha dhe Ejup Qermi nuk po dëshmojnë në mbrojtje të Valës.
Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, tha për Radio Televizionin e Kosovës, se personalisht ai në cilësinë e drejtorit, zyra ligjore dhe ekspertë ndërkombëtarë ligjorë, janë mobilizuar për të fituar gjyqin e arbitrazhit, ndaj Dardafone apo Z-Mobile, siç njihet në opinionin publik.
“Problemi daton që nga 2010. Jemi të paditur në arbitrazh nga kompania Dardafone apo Z- Mobile për 4 gjëra. Është një arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa seancat e arbitrazhit mbahen në Vjenë.
Pretendimet e Z- Mobile, konsiderohen të pabaza dhe të padrejta. Drejtuesit e Z-Mobile mendojnë se PTK nuk i ka përmbushur disa pika të marrëveshjes, ndërsa ne i konsiderojmë të padrejta dhe të pabaza”, tha Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Vala, Agron Mustafa.
Sipas tij, gjithçka është bërë gati dhe është mobilizuar në funksion të fitimit të arbitrazhit.
“Në seancën që u mbajt në muajin prill, të gjitha materialet bazë, duke pasur parasysh pretendimet e Z Mobile, konsiderohen të pabaza dhe të padrejta. Kemi një ekip të brendshëm ligjor, por kemi angazhuar edhe ekipe ndërkombëtare dhe presim të kemi sukses” theksoi Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Ai ka treguar se, me gjithë rrezikun që i kërcënohet Telekomit të Kosovës nga një arbitrazh, janë dy njerëz që nuk kanë shfaqur asnjë lloj ndjeshmërie për kompaninë që dikur e kanë menaxhuar.
Mustafa nuk i ka përmendur me emra fillimisht, duke pohuar që bëhet fjalë për Drejtorin Menaxhues nga viti 2009 deri në 2011 dhe nga viti 2012 deri në 2014, emra të cilëve gjithsesi janë të njohur për publikun.
Bëhet fjalë për Shyqëri Haxhën dhe Ejup Qerimin.
“Ftoj vet ish nënshkruesin e kontratës me Z mobile dhe drejtorin tjetër që ka menaxhuar pas tij që të vijnë dhe të jenë dëshmitarë për Telekomin e Kosovës. Po i lus sinqerisht të vijnë pasi bëhet fjalë për një arbitrazh shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Telekomit të Kosovës. Ne edhe më herët i kemi ftuar ata duke i’u dërguar ftesën, por nuk kanë dhënë asnjë sinjal”, vijoi shpjegimin drejtori aktual i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Sipas informacioneve të publikuara në media, Z Mobile është duke i kërkuar rreth 50 milionë euro, në emër të 100 mijë numrave shtesë që nuk i ka dhënë Telekomi i Kosovës, për mosdhënien e shërbimeve 3g dhe 4g. /Insajderi.com