Drejtori sportiv i Bayern Munich, Hasan Salihamidzic, ka reaguar dukshëm i zhgënjyer ndaj komenteve të ish-golashënuesit kryesor të tyre Robert Lewandowski, i cili kaloi te Barcelona me shumë zhurmë.
Largimi i Robert Lewandowski bëri shumë zhurmë në media, ndërsa në një intervistë për ESPN, superylli polak akuzoi Bayern Munich për gënjeshtra.
Sipas Lewas disa njerëz nuk ia kishin thënë të vërtetën në klub.
“Këtë nuk mund ta kuptoj fare. Babai im më ka mësuar që kur largohesh nga diku, nuk duhet ta mbyllësh derën me prapanicë. Dhe Roberti është në rrugë të mbarë që ra bëjë këtë gjë”, ka thënë Salihamidzic para ndeshjes kundër RB Leipzig për Sky Sports.
Drejtori sportiv i Bayernit dëshiron ta diskutojë çështjen me të privatisht: “Ai do të vijë në Mynih javën e ardhshme, pastaj do të flasim përsëri për të”.
Sulmuesi i kombëtares polake e kërkoi largimin e tij pavarësisht se kishte kontratë me klubin nga Mynih deri në vitin 2023.
Për ta kërkuar largimin nga Bayern dhe kalimin te Barcelona, duket si ai e kishte miratimin e presidentit të Barçës, Joan Laporta.
“Me të gjitha klubet me të cilat folëm, ne gjithmonë synonim ta trajtonim njëri-tjetrin me respekt dhe të kishim negociata të drejta dhe serioze. Deklaratat e bëra nga Barcelona në tryezën e bisedimeve nuk ishin në rregull”, ka kritikuar Barcelonën drejtori i bavarezëve.
Salihamidzic në fund u ndal tek klubet që Bayern mori lojtarë nga to, duke thënë se me Liverpoolin, Juventusin dhe Ajaxin u ndan shumë mirë.
“Liverpooli foli shumë, shumë mirë. Ishte gjithashtu e rëndësishme për mua që Juve dhe Ajax gjithashtu kishin ndjenjën se Bayern po bënte mirë”, deklaroi ai. /Telegrafi/