Insajderi
Lajme

Dukagjin Nikollaj dërgohet një muaj në paraburgim

Insajderi
10 August 2026 - 21:09
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dukagjin Nikollaj dërgohet një muaj në paraburgim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dukagjin Nikollaj, i shumëkërkuari për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” lidhur me incidentin e Bon Vivantit, është vënë në paraburgim prej 30 ditësh.

Gazeta Insajderi merr vesh se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën prej një muaji për “Dukën”.

Insajderi raporti ekskluzivisht nga burime të sigurta brenda organeve të drejtësisë se Spanja ekstradoi drejt Kosovës të kërkuarin e shumtë nga drejtësia kosovare dhe ajo ndërkombëtare, Dukagjin Nikollajn.

Nikollaj, i cili për muaj të tërë i ishte shmangur prangave, u soll në Kosovë nën masa të rrepta sigurie pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore ndërmjet dy shteteve.

Emri i Dukagjin Nikollajt u rikthye fuqishëm në vëmendjen e opinionit publik në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin e njohur në qendër të Prishtinës, “Bon Vivant”.

​Nga kjo përleshje tragjike mbeti i vrarë një person dhe u plagosën e u lënduan dhjetëra të tjerë. Nikollaj ishte përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur dhe menjëherë pas përleshjes kishte arritur të arratisej nga vendngjarja, duke u bërë një nga personat më të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtarisht, Nikollaj ishte lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë.

Pavarësisht faktit se Spanja nuk e njeh formalisht pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi policor përmes kanaleve ndërkombëtare të sigurisë mundësoi që kërkesa për ekstradim të procedohej me sukses.

Në të kaluarën, Dukagjin Nikollaj ishte një emër i njohur edhe për autoritetet amerikane.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dyshime lidhur me përfshirje në rrjete të krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark