Insajderi
Lajme

Policia konfirmon raportimin e Insajderit: I kërkuari i shumëkërkuar Dukagjin Nikollaj “Duka” ekstradohet në Kosovë

Insajderi
06 August 2026 - 21:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia konfirmon raportimin e Insajderit: I kërkuari i shumëkërkuar Dukagjin Nikollaj “Duka” ekstradohet në Kosovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht mbrëmjen e së enjtes se i kërkuari i shumëkërkuar Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, është ekstraduar në Kosovë – informacion ky që tashmë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se me datën 6 gusht 2026 ka realizuar ekstradimin nga Spanja për në Kosovë të një shtetasi kosovar të kërkuar me letërrreshtim ndërkombëtar.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest të lëshuar nga institucionet kosovare të drejtësisë për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Operacioni i ekstradimit u krye nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe organet e drejtësisë, bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimin me autoritetet spanjolle.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për procedim të mëtejshëm ligjor.

“I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse të PK-së në Rajonin e Prishtinës për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njofim.

Policia e Kosovës bën të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin e arrestimin e personave e grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Theksojmë se emri i Dukagjin Nikollajt u rikthye fuqishëm në vëmendjen e opinionit publik në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin e njohur në qendër të Prishtinës, “Bon Vivant”.

​Nga kjo përleshje tragjike mbeti i vrarë një person dhe u plagosën e u lënduan dhjetëra të tjerë.

Nikollaj ishte përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur dhe menjëherë pas përleshjes kishte arritur të arratisej nga vendngjarja, duke u bërë një nga personat më të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtarisht, Nikollaj ishte lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë.

Pavarësisht faktit se Spanja nuk e njeh formalisht pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi policor përmes kanaleve ndërkombëtare të sigurisë mundësoi që kërkesa për ekstradim të procedohej me sukses.

Sipas burimeve të Insajderit, “Duka” pritet të dalë së shpejti para gjykatës në Prishtinë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të lidhur me rastin “Bon Vivant”, derisa tash po intervistohet në Polici.

Në të kaluarën, Dukagjin Nikollaj ishte një emër i njohur edhe për autoritetet amerikane.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dyshime lidhur me përfshirje në rrjete të krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve amerikane, ai dyshohej se ishte pjesë e grupeve që organizonin transportimin e sasive të mëdha të drogës përmes kanaleve ndërkombëtare./Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark