×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dy kosovarë në burg në Serbi, Kosova përfundon vetëm duke dërguar letra në Beograd

    Insajderi
    28 March 2023 - 13:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar afro 3 javë që kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një letre ka kërkuar nga Serbia ekstradimin e dy të burgosurve kosovarë Nezir Mehmetajt dhe Petrit Dulës. Dyshja po vazhdojnë të mbahen nëpër burgjet e Serbisë mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile gjatë vitit 1999-të. Për njërin prej tyre edhe Glauk Konjufca atëkohë ministër i Punëve të Jashtme, i pati shkruar një letër shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Ndërkohë që letrat po shkojnë në Beograd ato po hasin në “vesh të shurdhur”. Asnjë përgjigje nuk është dhënë nga autoritetet serbe.

    Haxhiu në letrën që mbanë datën 10 mars, kërkon që Mehmetaj e Dula të kthehen në Kosovë dhe rasti i tyre të trajtohet nga autoritetet vendore. Ajo shton se procesi ndaj tyre numëron një sërë shkeljesh ligjore.

    “Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.

    Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e ministres.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për të kuptuar nëse Serbia ka marrë parasysh kërkesën e ministres Haxhiu.

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në mars të këtij viti ka bërë kërkesë zyrtare tek Ministria e Drejtësisë në Serbi për transferimin e z. Nezir Mehmetaj dhe z. Petrit Dula në Republikën e Kosovës. Lidhur me këtë kërkesë, ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë deri më tani nuk ka pranuar një përgjigje nga autoritetet e Serbisë“, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Insajderin.

    Letra e Konjufcës drejtuar Borrellit

    Derisa ministrja Haxhiu iu është drejtuar me një letër ministrisë së Drejtësisë në Serbi, paraprakisht atëkohë ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca kërkonte nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell që të ndikoi në lirimin e Nezir Mehmetajt.

    Përmes asaj letre, Konjufca kërkonte që Borrell të përdorë autoritetin e tij që të ndërhyjë, me qëllim që Mehmetaj të lirohej nga burgu i Serbisë.

    “Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij”, thuhej në letrën e tij.

    Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast. Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm”, thuhet tutje në letër.

    Kush janë Nezir Mehmetaj e Petrit Dula?

    Nezir Mehmetaj është qytetari i Republikës së Kosovës ai vije nga fshati Rudicë e Klinës. Mehmetaj u arrestuar me 3 janar të vitit 2020 në pikë kufitare në Merdarë. Që nga ajo kohë po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi. Ai u arrestua nën dyshimet për krime lufte.  

    Nezir Mehmetaj

    Ish-ushtari i UÇK-së, Mehmetaj u ndalua nga autoritetet serbe derisa po kthehej në Kosovë së bashku me nënën e tij nga një spital në Nish.

    Vëllai i tij, Valoni i tha Insajderit se Neziri vuan nga diabeti “Ai është diabetik i varur në insulinë”.

    Në janar të këtij vitit gjykata në Serbi ia vazhdoi Mehmetaj paraburgimin deri në muajin prill.

    Përkundër, Mehmetajt, Petrit Dulës i është shqiptuar dënimi me 2 vjet burgim.

    Ai është dënuar në cilësinë anëtarit të dyshuar të UÇK-së për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999.

    Gjyqtarja Snezana Nikoliq Garotiq i tha Gjykatës së Lartë të Beogradit se Dula u shpall fajtor për kryerjen e një krimi lufte, sulm ndaj një civili në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë në qershor 1999.

    Nikoliq Garotiq tha se Dula u dënua në bazë të dëshmive të dëshmitarëve dhe se ai kishte marrë një dënim të lehtë për shkak të rrethanave lehtësuese.

    Gjykata e uli dënimin sepse mori parasysh rrethana të shumta lehtësuese si rrethanat familjare të të akuzuarit dhe qëndrimi i tij ndaj krimit”, sqaroi ajo.

    Por çka thuhej në akuzën që rëndonte mbi Dulën

    Sipas aktakuzës, në gjysmën e dytë të qershorit 1999, pjesëtari i supozuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dula, së bashku me disa persona të paidentifikuar, kapën me forcë civilin Gazmend Kryeziu nga një shtëpi në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë.

    E çuan në shtëpinë e Dulës, ku Dula e keqtrajtoi civilin në mënyrë çnjerëzore, e dhunoi fizikisht dhe e plagosi.

    Aktakuza pretendonte se Dula e goditi Kryeziun, me shkop bejsbolli, i hodhi një shishe dhe e goditi sipër veshit të majtë me një shishe të plotë, ndërsa ai ishte ulur në një karrige me duar të lidhura, ndërsa pjesëtarët e tjerë të UÇK-së e goditën me kondakë pushke dhe e goditi me grushte dhe shkelma.

    Më vonë ata e transportuan atë në një shtab të UÇK-së në fshatin Babaloc, ku anëtarë të tjerë të panjohur të UÇK-së vazhduan ta abuzonin dhe pyesnin se ku ishin varrosur guerilët e tjerë dhe të afërmit e tyre që vdiqën gjatë luftës dhe nëse ai mori pjesë në luftën nga pala serbe. .

    Ai u lirua të nesërmen me urdhër të komandantit të paidentifikuar të shtabit të UÇK-së në Babaloc.

    Dula u deklarua i pafajshëm në fillim të gjyqit në shtator.

    Ai pretendoi se nuk ishte pjesëtar i UÇK-së dhe se nuk kishte armë e as uniformë. Ai po ashtu ka thënë se gjatë luftës së Kosovës ka qenë në Bullgari.

    Megjithatë, gjyqtari Garotiç Nikoliç tha se gjykata vërtetoi se ai ishte anëtar i UÇK-së.

    Ai u dënua pavarësisht se viktima e dyshuar Kryeziu i tha gjykatës në tetor se i pandehuri “nuk është ai njeriu” që mori pjesë në rrahjen e tij.

    Ai mohoi që ai specifikisht e emëroi Dulën si një nga autorët kur u mor në pyetje nga hetuesit serbë në Podgoricë në vitin 2011.

    Dy dëshmitarë të tjerë, që thuhet se janë gratë e Kryeziut, ndryshuan gjithashtu dëshmitë e tyre gjatë gjyqit në Beograd për të mos inkriminuar Dulën.

    Por Nikolic Garotiç tha se një nga hetuesit që fillimisht mori dëshmitë në vitin 2011 i tha gjykatës se ata flisnin lirshëm dhe se procesverbali i dëshmisë së tyre iu lexua përsëri, siç raportonte balkaninsight.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark