Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dy muaj pasi i përfundoi dënimi nga OSHP-ja, “ARCHI TIME”, me aktakuzë nga Prokuroria për mashtrim, fiton tender nga Ministria e Mbrojtjes

Insajderi
21 October 2026 - 14:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dy muaj pasi i përfundoi dënimi nga OSHP-ja, “ARCHI TIME”, me aktakuzë nga Prokuroria për mashtrim, fiton tender nga Ministria e Mbrojtjes
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Blenera Karaxha

Ministria e Mbrojtjes ia ka dhënë kompanisë “ARCHI TIME SH.P.K.” një tender, vetëm rreth dy muaj pasi kësaj kompanie i kishte përfunduar masa e përjashtimit nga tenderët publikë. Pronari i saj, Dashnor Ndrecaj, ka edhe aktakuzë nga prokuroria për veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Gazeta Insajderi

Kontrata për projektin “Ndërtimi i pikës së karburantit në Shirokë, Suharekë”, në kuadër të tenderit për ndërtimin e pikave të karburantit në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), iu dha kompanisë më 2 tetor 2026 “ARCHI TIME SH.P.K”

Vlera e saj është 218 mijë euro.

Tenderi është zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes në dy pjesë, për ndërtimin e pikës së karburantit në Shirokë të Suharekës dhe të një pike tjetër në Gjakovë.

Megjithatë, para se të fitonte këtë kontratë, “ARCHI TIME SH.P.K.” ishte përjashtuar për një vit nga të gjitha procedurat e prokurimit publik, ndërsa ndaj pronarit të saj ishte ngritur aktakuzë për një tender të Komunës së Prizrenit.

OSHP-ja e përjashtoi kompaninë për një vit

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 8 gusht 2025, kishte vendosur ta diskualifikonte kompaninë “ARCHI TIME SH.P.K.” për një periudhë njëvjeçare nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik.

Vendimi ishte marrë pas kërkesës së Komunës së Prizrenit, e cila kishte ngritur dyshime se kompania kishte përdorur dokumente të rreme në tenderin për “Ndërtimin e infrastrukturës në lagjen Bajram Curri”.

Sipas vendimit të OSHP-së, kompania dyshohej se kishte përdorur pa autorizim dokumentacionin profesional të dy inxhinierëve, Defrim Kabashi dhe Ibrahim Lekaj, për të përmbushur kriteret e tenderit.

Të dy inxhinierët kishin deklaruar se nuk e kishin autorizuar kompaninë për përdorimin e dokumenteve të tyre.

Defrim Kabashi kishte thënë se kishte autorizuar vetëm kompaninë “KAB Holding SH.P.K.”, ndërsa marrëveshjen e paraqitur nga “ARCHI TIME” e kishte cilësuar si të falsifikuar, duke pretenduar se nënshkrimi i tij ishte kopjuar nga një dokument tjetër.

Edhe Ibrahim Lekaj kishte deklaruar se CV-ja, diploma dhe certifikatat e tij ishin përdorur pa lejen e tij.

Në anën tjetër, “ARCHI TIME SH.P.K.” i kishte mohuar pretendimet për përdorim të qëllimshëm të dokumenteve të rreme. Kompania kishte deklaruar se kishte bashkëpunuar me inxhinierët në projekte të mëparshme dhe se mund të kishte pasur keqkuptime gjatë koordinimit.

Megjithatë, OSHP-ja kishte vlerësuar se arsyetimet e kompanisë nuk ishin të mjaftueshme për t’i rrëzuar provat e paraqitura nga Komuna e Prizrenit.

Për rrjedhojë, kompania ishte përjashtuar nga tenderët publikë nga 8 gushti 2025 deri më 7 gusht 2026, në bazë të nenit 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes iu dha më 2 tetor 2026, rreth dy muaj pas përfundimit të kësaj mase.

Pronari është i akuzuar për dëmtimin e Komunës së Prizrenit

Përveç vendimit të OSHP-së, “ARCHI TIME SH.P.K.” është përmendur edhe në një rast tjetër që lidhet me prokurimin publik në Komunën e Prizrenit.

Në maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe biznesmenëve, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepra të tjera penale që lidhen me tenderin për “Renovimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të Komunës së Prizrenit”.

Kontrata, e dhënë më 9 gusht 2022, kishte vlerë rreth 550 mijë eurosh dhe përfshinte kompanitë “Pro & Co Group SH.P.K.” dhe “ARCHI TIME SH.P.K.”.

Sipas aktakuzës, dyshohet se në këtë tender janë përdorur çmime artificialisht të ulëta dhe dokumentacion i dyshimtë. Nga gjithsej 233 pozicione të kontratës, 74 prej tyre nuk janë realizuar fare.

Prokuroria vlerëson se, si pasojë e këtyre veprimeve, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm prej më shumë se 412 mijë eurosh.

Në këtë rast akuzohet edhe pronari i “ARCHI TIME SH.P.K.”, Dashnor Ndrecaj, për veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Ndaj, Ndrecajt, Prokuoria ngriti aktakuzë pasi me vetëdije duke shkelur rregullat e prokurimit publik përmes paraqitjes së dokumentacionit të rremë, konkretisht lidhur me çmimet në para-masa dhe para-llogari.

“Hetimet kanë zbuluar se shumica e pozicioneve në tender kanë pasur çmime jo normalisht të ulëta dhe spekuluese, ndërkohë që nga gjithsej 233 pozicione, 74 nuk janë realizuar fare. Organi i akuzës vlerëson se qëllimi i manipulimit me çmime – duke i paraqitur ato shumëfish më të ulëta se çmimet e tregut – ka qenë përfitimi i kontratës publike“, thuhej në aktakuzë.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes dhe kompania “ARCHI TIME SH.P.K.” lidhur me dhënien e kësaj kontrate, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga palët.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark