Dy pronarë lokalesh në Han të Elezit pritet të intervistohen nga Policia dhe Prokuroria, si të dyshuarit kryesorë për helmimin e plot 80 qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore, shkruan Insajderi.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli, duke bërë të ditur se janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
“Lidhur me rastin e raportuar, ju njoftojmë se sot, rreth orës 13:40, Njësia e Hetimeve në Han të Elezit ka kontaktuar prokurorin e shtetit dhe me urdhër të tij është inicuar rasti për hetim ‘Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë‘.
“Si rrjedhojë, do të intervistohen dy pronarë të dy lokaleve në qytetin e Hanit të Elezit, në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, tha ai.
Paraprakisht, zëdhënësi i Policisë bëri të ditur se nga e hëna deri të mërkurën janë paraqitur 80 persona me simptoma të vjelljes dhe diarresë në QKMF’në e Hanit të Elezit.
“Ju njoftojmë se, sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga data 13.07.2026 deri më 15.07.2026, janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes. Lidhur me këtë situatë janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), të cilat janë duke e trajtuar rastin”, ka thënë Veseli.
Qytetarët e hospitalizuarit, kryesisht raportohet se janë helmuar si shkak i ushqimit në një fast food në këtë komunë.
Në anën tjetër, Bashkim Azizi nga QKMF e Hanit të Elezit ka thënë se disa nga pacientët kanë treguar se kanë konsumuar ushqim nga një fast-food dhe nga një piceri, megjithatë ai thotë se raste me simptoma të njëjta kanë ardhur edhe nga shtëpitë e tyre.
/Insajderi