Insajderi
Insajderi

Dy shkolla në Podujevë i nënshtrohen presionit për shtypjen e grevës

Insajderi
04 September 2022 - 18:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dy shkolla në Podujevë i nënshtrohen presionit për shtypjen e grevës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë dhe shkolla “Naim Frashëri”, i janë nënshtruar presionit për shtypjen e grevës. Të dy shkollat përmes faqeve zyrtare u kanë bërë thirrje nxënësve që të pajisen me tekstet shkollore dhe t’i kthehen mësimit në shkollë.

Edhe pse greva e përgjithshme në sektorin publik kishte nisur që nga 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) u tha se do të jenë strikt me këtë vendim, jo të gjitha shkollat po veprojnë ashtu.

“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë të gjithë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë për tu pajisur me tekstet shkollore të cilat do të ndahen në të gjitha shkollat dhe njëkohësisht të fillojë procesi mësimor”, thuhet në postimin e shkollës “Naim Frashëri” por edhe në postimin e shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë.

Në postim thuhet se vendimi i qeverisë ka krijuar rrethana të reja përmes të cilat duhet të reflektohet.

Vendimi i djeshëm i qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për fëmijët tanë”, thuhet në postim.

Në anën tjetër, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu dhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, janë mbledhur sot.

Siç ka shkruar Bulliqi në Facebook, kryetarët e komunave që udhëhiqen nga LVV, janë të shqetësuar “me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”.

“Sot bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, në konferencë për media kemi paraqitur shqetësimet tona lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”, shkroi Bulliqi.

Në një konferencë të përbashkët, siç tha Bulliqi, ata iu kanë bërë thirrje prindërve që t’i dërgojnë nxënësit në shkollë si dhe mësimdhënësve që ta ndalin grevën.

“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”, shkroi Bulliqi.

Ndërkaq, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, sot bëri të ditur se greva në arsim do të vazhdojë edhe gjatë së hënës.

“Këtë e kemi bërë të ditur edhe gjatë takimit të djeshëm me presidentën Vjosa Osmani. Ne i kemi kërkuar edhe presidentës që ta shfrytëzojë autoritetin e saj për të gjetur zgjidhje. Nuk është se kemi arritur ndonjë rezultat në këtë takim. Qeveria nuk po dëshiron dialog” – tha Jasharaj.

Ai theksoi se greva do të vazhdojë derisa të mos ketë zgjidhje.

“Ne i kemi bërë të ditura kërkesat tona. 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të pagave. 50 eurot e ofruara nga qeveria konsiderojmë se nuk i mbulon kërkesat tona. Ne e përgëzojmë qeverinë për pakon e miratuar por kjo nuk i plotëson kërkesat tona. Ligji i pagave po vonohet ndërsa ju po e shihni se çmimet po rriten çdo ditë”, tha ai për Klankosova.tv


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark