
Një aferë në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave ka nisur të hetohet nga Prokuroria në Prishtinë. Kjo agjenci, që vepron nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes, dyshohet se është përfshirë në një rast falsifikimi me qëllim që t’i rregullohet puna një kandidati për t’u bërë drejtor. Insajderi sjell detajet.
Gazeta Insajderi ka kuptuar se në prokurorinë Themelore të Prishtinës është denoncuar një rast falsifikimi që përfshinë Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga njeriu i fuqishëm i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla.
Sipas burimeve të gazetës, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AME Shefki Abdullahu ka nënshkruar një dokument që dyshohet se është i falsifikuar.
Burimet i kanë thënë Gazetës se Abdullahu ka nënshkruar dokumentin me të cilin konstatohet se Kastriot Lajqi është certifikuar për dhënien e provimit profesional për mbrojte nga zjarri.
Lajqi aktualisht është udhëheqësit te divizionit te inspektimeve në AME, dhe sipas burimeve të Insajderit, brenda kësaj agjencie të MPB-së, ky dokument i duhet në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të agjencisë.
Gazeta Insajderi e ka pyetur AME-në dhe MPB-në për këtë rast, duke iu kërkuar që të tregojnë edhe se kush nga zyrtarët eventualisht është intervistuar, dhe çfarë dokumentesh eventualisht kanë kërkuar hetuesit, por të njëjti deri tash nuk janë përgjigjur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigje me shkrim, e ka konfirmuar hetimin, por pa dhënë detaje për veprimet që ka marrë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e informacioneve të duhura si dhe ka autorizuar për marrjen e intervistimit të palëve dhe provave lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë për Insajderin.
Javë më parë, Sveçla që drejton me Dikasterin e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti, tashmë në detyrë, bëri një aktivitet bash me divizionin e inspektimeve, që drejtohet nga Kastriot Lajqi.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent, gjegjësisht Divizioni i Inspektimit me urdhëresën e Ministrit të MPB-së z. Xhelal Sveçla ka realizuar inspektime të jashtëzakonshme nëpër disa regjione të ndryshme të Republikës së Kosovës:, thuhet në njoftimin e AME-së duke shtuar se kjo ishte si pjesë të misionit të saj për të vlerësuar masat e mbrojtjes nga zjarri dhe përgatitjen për emergjenca”./GazetaInsajderi