×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Mbi 440 mijë euro kontratë sekrete | Çka po fsheh Ministria e Sveçlës te kampi “Belvedere”?

    Insajderi
    21 November 2022 - 12:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë sekrete me një firmë që e mban sekret emrin e saj. Do të rinovohet do të kushtoj mbi 440 mijë euro. Ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla e ka bërë këtë kontratë sekrete me arsyetimin e sigurisë, ani pse për të njëjtën punë tashmë janë qindra faqe publike se çka do të punohet në të.

    Gazeta Insajderi

    Më 5 tetor 2022 Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla kishte shpallur një tender për ta rinovuar kampin të Policisë kosovare, “Belvedere” në lagjen ‘Bair’ të Mitrovicës së Jugut. Ishte planifikuar që të shpenzohen diku 397 mijë euro.

    Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, kjo është arsyeja që dha MPB-ja vetëm gjashtë ditë më vonë kur e anuloi këtë tender.

    Tenderi u anulua, por jo edhe puna. MPB-ja tutje vendosi që këtë renovim ta bënte me kontratë sekrete. Edhe shumë më të shtrenjtë se sa ishte planifikuar në tenderin e hapur.

    Kur u publikua njoftimi për këtë tender, MPB-ja kishte publikuar në internet dosjen për këtë tender-çka do të rinovohej në këtë kamp ku stacionohen me raste edhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

    Edhe tash janë publike 113 faqe përshkrim i dosjes së tenderit, në gjuhën shqipe dhe në gjuhen serbe. Për më shumë publik është edhe dokumenti tjetër në formatin Exel, ku janë publikuar mbi 340 pozicione të punëve që do të kryhen. Po ashtu është publikuar edhe lista e tetë objekteve brenda kampit “Belvedere” se për çka shërben.

    Siguria – arsyeja që jep MPB-ja për kontratën sekrete

    Edhe pasi që janë bërë publike krejt këto të dhëna, në MPB i kanë thënë Insajderit se siguria ka qenë arsyeja pse e bënë një kontratë sekrete.

    ‘’Ju njoftojmë se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë, pasi gabimisht nga njësia kërkuese është proceduar në prokurim dhe prokurimi e ka  publikuar aktivitetin, andaj për shkaqe të sigurisë  janë  marr masa për anulimin e këtij aktivitetit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Insajderin.

    Në këtë Ministri tregojnë që renovimi i këtij kampi për stacionim të forcave policore ka elemente sekrete, e megjithatë dosja e tenderit se çka do të rinovohet aty tashmë është publike. Por, prapë insistojnë në sekret.

    “Klasifikimi i projektit është bërë në harmoni me legjislacionin në fuqi, pasi përmban elemente të dokumentit që duhet klasifikuar, por nuk është klasifikuar në nivelin SEKRET”, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike dërguar nga MPB-ja tek Insajderi pas shumë insistimesh..

    Ministria e Sveçlës e mban sekret kompaninë që e shpërbleu me 440 mijë euro

    Në Ministrinë që e drejton funksionari i lartët partisë së Albin Kurtit, Xhelal Sveçla kanë refuzuar që të tregojnë emrin e kompanisë që u shpërblye me këtë punë sekrete, por zbulojnë se shuma e parave që i është dhënë asaj kompani është më e madhe se sa që ishte planifikuar kur tenderi u shpall publikisht. Afro 50 mijë euro më shtrenjtë.

    “Vlera e kontratës është 448,762.45 euro dhe  ndryshimi i çmimit ( sipas komisionit vlerësues)  ka ndodh për shkak të ndryshimit ( rritjes)  së çmimeve të tregut”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Insajderin.

    Kampi “Belvedere” në Mitrovicë, që për dhjetë vjet është shfrytëzuar nga KFOR-i francez, tash do të shërbejë për strehimin të riatdhesuarve nga shtetet perëndimore. Riparimet që janë duke u bërë, pritet të përfundojnë para dimrit. Brenda këtij viti, mbi 300 shtetas të Kosovës me origjinë nga Mitrovica janë riatdhesuar.

    Kampi “Blevedere” para luftës së fundit në Kosovë kishte shërbyer si kamp ushtarak i ushtrisë serbe, dhe para kësaj i Armatës së ish Jugosllavisë. Pas vitit 1999, atë e shfrytëzuan ushtarët francezë.

    Pas dhjetë vitesh qëndrimi në të, në vitin 2011 ai do të lirohej nga KFOR-i dhe iu kalua fillimisht nën menaxhim komunës ë Mitrovicës.

    Gjatë vitesh është përdorur edhe për strehim të të riatdhesuarave, familjeve në nevojë e deri te strehimi i emigrantëve.

    Së fundmi, me raste në të janë vendosur edhe Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark