×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dyshime për kurdisje të konkursit të Islamic Relief Kosova për infermierë në QKMF-në e Ferizajt

    Insajderi
    24 May 2023 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    15 kandidatë, në konkursin e hapur në mars të këtij viti nga Islamic Relief Kosova për 35 infermierë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me kandidatët e përzgjedhur.

    Gazeta Insajderi ka siguruar ankesat e disa prej tyre dërguar drejtorit të Islamic Relief Kosova, Mohamed Soliman, të cilët pretendojnë se të përzgjedhurit nga ky konkurs kanë më pak pikë në testin me shkrim dhe përgatitje më të ulët profesionale.

    Njëri nga kandidatët, në kushte anonimiteti, deklaroi për mediumin se kishte parë të jenë pranuar aplikonte me 50-60 pikë, derisa ai kishte siguruar 71 sosh. I njëjti përmend edhe eksperiencën e punës dhe përgatitjen akademike në ankesën drejtuar drejtorit Soliman.

    “Posedoj disa fakte se janë pranuar aplikonte me 50-60 pikë. E kalova testin me rezultat maksimal prej 71 pikësh dhe intervistën me të gjitha përgjigjet e sakta. Përtej kësaj, kam të kryer nivelin bachelor dhe master, si dhe kam eksperiencë pune”, thuhet në ankesën e tij.

    Në një e-mail në formë ankese të një kandidati tjetër, të cilin e ka siguruar Insajderi, përmendet përvoja 17-vjeçare e tij si infermier, si dhe ndan shqetësimin e njëjtë me ankuesin e lartcekur, për pranimin e aplikantëve me 50 pikë në test.

    Një nga ankesat e kandidatëve për infermierë, drejtuar komisionit shqyrtues të ankesave

    Një aplikante tjetër, e cila ka mbetur jashtë listës së të pranuarve, pretendon se në njërin test me shkrim (që është anuluar) ka marrë 84.25 pikë, ndërkaq në testin e dytë 88 sosh. Sipas saj, asaj iu janë zbritur pikët sepse “s’e ka pasur askënd ta ndihmojë atë”.

    “Në testin e dytë morra 88 pikë, në intervistën me gojë iu përgjigja të gjitha pyetjeve por m’i zbritën pikët, pasi që s’e kisha askënd të më ndihmojë, teksa kolegët e mi me 50-60 pikë u pranuan”, thuhet në ankesën e kandidates në fjalë.

    Ndërkaq, një kandidate tjetër me eksperiencë prej 10 vitesh punë vullnetare thotë se janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë sepse, sipas saj, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë bashkë me mjekët janë “korruptuar” nga kandidatët e tjerë.

    “Ne jemi trajtuar me një pabarazi të madhe, meqë në intervistat me gojë ata manipuluan mjekët bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në komunë që kanë qenë në komision. U korruptuan nga ata të cilët janë në listat e pranimit”, thotë ajo në ankesë.

    Kandidatët kanë marrë përgjigje nga Soliman, duke thënë se ankesat e tyre “do të trajtohen me seriozitet dhe sinqeritet”.

    “Do të njoftoheni me rezultatet së shpejti”, thuhet në imellën e drejtorit të organizatës humanitare në Kosovë.

    Lidhur me rastin, Gazeta Insajderi pak ditë më parë ka kontaktuar organizatën lidhur me këto ankesa, teksa të njëjtit janë përgjigjur se do t’i trajtojnë ankesat e të gjithë kandidatëve dhe se konkursi ishte me kritere të barabarta për të gjithë.

    “…Nisur nga çka u tha më sipër, ju sigurojmë se procedurat tona për rekrutimin e personelit të ri për pozicionin e Infermierit të Përgjithshëm janë të këtij standardi dhe të njëjta për çdo kandidat. Drejtori mori vendim për formimin e komisionit për trajtimin e ankesave”, thuhet në përgjigjen e Islamic Relief Kosova për Insajderin.

    “Komisioni i formuar nga Drejtori ka shqyrtuar çdo ankesë të ankuesve për postin e Infermierit të Përgjithshëm. Çdo ankesë konsiderohet nga komisioni si ankesë më vete. Dhe në bazë të procedurave të rregullta të brendshme, çdo ankues do të njoftohet/merr një përgjigje zyrtare për ankesat e tyre”, vijon përgjigja.

    Komuna e Ferizajt, në bashkëpunim me Islamic Relief Kosova, kishte hapur konkurs në mars të këtij viti për 35 pozita për infermierë të përgjithsëm, pesë pozita për mjekë të përgjithshëm dhe një për asistente administrative.

    Për infermierë të përgjithshëm, kërkoheshin kriteret si në vijim: diploma e shkollës së mesme e Infermierisë së Përgjithshme apo diploma e universitetit në Infermieri të përgjithshme, licenca e punës dhe që kandidati të jetë qytetar i Ferizajt. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark