Një rast i dyshuar i ngacmimit seksual ndaj një nxënëseje të mitur ka tronditur komunitetin e American School of Kosova në Shkabaj të Obiliqit, ku autoritetet kanë arrestuar një person që punonte si shofer në këtë institucion arsimor.
Sipas raportimit të Veriu.info, rasti është denoncuar më 8 qershor 2026 nga një punonjëse e shkollës, e cila ka njoftuar Policinë për dyshimet se një nxënëse e mitur është ngacmuar seksualisht.
Si i dyshuar për rastin është arrestuar Rr. L., i cili ishte i angazhuar si shofer në American School of Kosova.
Lidhur me këtë rast, Veriu.info ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të American School of Kosova, duke kërkuar sqarime për veprimet e ndërmarra pas arrestimit të punonjësit të tyre. Mediumi ka pyetur nëse i dyshuari është suspenduar nga puna, nëse në të kaluarën kanë ekzistuar raste të ngjashme, si dhe çfarë masash do të ndërmerren për mbrojtjen e nxënësve nga ngacmimet seksuale në të ardhmen.
Megjithatë, American School of Kosova nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke zgjedhur të mos komentojë publikisht përballë këtij rasti.
Kujtojmë se me vendim të prokurorit kujdestar, pas përfundimit të procedurave fillestare policore, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Rasti është iniciuar si vepër penale “Ngacmim seksual”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të ngjarjes.