×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dyshimet për pranim ryshfeti nga ana e dekanit të Filozofikut, rektori “refuzon” ta marrë përsipër si çështje- Insajderi ju sjell komunikimet mes emaileve

    Insajderi
    25 March 2024 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka dhënë versionin e tij lidhur me çështjen e dyshimeve për pranim ryshfeti nga ana e dekanit aktual të Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, lidhur me pushimin sabatik të profesorit të departamentit të Shkencave Politike, Zenun Halilit. Insajderi ka siguruar një komunikim me anë të emailit, ku Qerimi refuzon ta marrë përsipër si çështje duke thënë se është jashtë kompetencave të tij.

    Insajderi ka siguruar komunikimet e shkëmbyera mes emailit ndërmjet rektorit Qerim Qerimi dhe profesori Halili, i cili dyshohet t’i ketë dhënë ryshfet Bërxullit për t’i dhënë pushimin sabatik.

    Qerimi rastin e ka drejtuar tek Këshilli i Etikës, duke thënë se nuk ka kompetenca ta marrë përsipër si rast.

    “I nderuari Kryesues i Këshillit të Etikës, Prof. Morina: Dëshiroj të jeni mirë. Ju shkruaj për si në vijim:

    Me datë 01.03.2024 kam pranuar e-mail nga Prof. Asoc. Dr. Zenun Halili, mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, me pretendime ku është i përfshirë profesori në fjalë dhe dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Asoc. Dr. Dashamir Bërxulli, të cilin e-mail po e përcjell si të tillë, në fund të këtij komunikimi.

    Si rektor, jam munduar ta kuptoj me shumë në lidhje me këtë rast, nga pala që janë në dijeni për rastin ose të përfshirë në këtë rast. Megjithatë, pas vlerësimit të pretendimeve që përmban e-maili, kjo çështje del të jetë përtej kompetencave të rektorit, në këtë fazë.

    Andaj, këtë e-mail, me përmbajtjen dhe pretendimet si më poshtë, e referoj te Ju si Këshill i Etikës, dhe ju lutem, që me përparësi, brenda kompetencave tuaja, të zhvilloni procedurën me qëllim të trajtimit të kësaj çështje, përkatësisht verifikimit të fakteve që lidhen me pretendimet përkatëse dhe implikimet e tyre etike”, thuhet në emailin e rektorit të UP’së, të cilën e ka parë Insajderi.

    Në anën tjetër, profesori Halili në një email drejtuar rektorit të UP’së thotë se ka kërkuar takim me të, mirëpo që s’ka marrë përgjigje pozitive.

    “I nderuar Rektor, uroj të jeni mirë! Para një muaji nëpër mes këshilltarit tuaj, kam kër kuar takim me juve për t’u takuar me ju, për të shprehur shqetësimin tim për një çështje të ndieshme. Fatkeqësisht nuk mora përgjigje pozitive!”, thuhet në emailin që ka parë Insajderi.

    Për aprovim të pushimit sabatik, profesori Halili dyshohet se më 2022-ën ia ka dhënë tre mijë euro dekanit Bërxulli. Ai në një email që ka parë Gazeta Insajderi e akuzon dekanin se e nxori “nga petku i njerëzisë”.

    Rasti është bërë publik tek në periudhën kur pritet të mbahen zgjedhjet për dekan të Fakultetit të Filozofisë.

    “Përshëndetje dekan Bërxulli, uroj të jeni mirë! Në takimin e fundit më 25 janar, u dakorduam ta bëjmë garën korrekt, por ju nuk po punoni me ndershmëri. Unë ju kam treguar Dorajetit e Ademit se ti mi ke marrë 3000 euro për pushim sabatik në vitin 2022. Ju me nxorët nga petku i njerëzisë! Deri në këtë moment e dinë 7 persona. Sot do ta bëjë publike”, thuhet në emailin që ka parë Insajderi.

    Aty thuhet se ai posedon incizime për këtë dhe se do t’i bëjë publike.

    “Nuk kam besuar se jeni i tillë! Jam përpjekur por ma bëre të pa mundur. Sot do të shkruaj email për të gjith stafin akademik të universitetit. Të Fala Sot jam me vëllezërit e mi nga Amerika që kanë ardhur t’me vizitojn, por shihemi se shpejti!”, përfundon emaili.

    Nga ajo çfarë ka marrë vesh Insajderi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka dashur që rastin ta mbyllë në heshtje. Mirëpo, pasi që është bërë publik, që të dy profesorët janë dërguar në Këshillin e Etikës.

    Për këtë, Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje Zyrës së Rektorit për ta pyetur se si është vepruar me Bërxullin dhe Halilin dhe nëse rasti është iniciuar në Prokurori, por ende s’ka marrë përgjigje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark