×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Dyshja problematike Murati e Murtezaj -Taksat e qytetarëve në duart e dy njerëzve të dënuar

Insajderi
06 October 2022 - 17:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ministri Hekuran Murati dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj e kanë një të përbashkët. Të dy këta zyrtarë të lartë të shtetit, janë dënuar me gjobën ndalim i 50% të pagës pasi nuk i kanë përfillur vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil. Murati nuk e ka anuluar konkursin për drejtor të ATK-së siç i është kërkuar, ndërsa Murtezaj nuk e ktheu në pozitën që e kishte ish-zv.drejtorin siç i ka kërkuar KPMShCK. Të dy këta zyrtar i menaxhojnë taksat e qytetarëve kosovarë

Ministri Hekuran Murati, në fund të këtij muaji do të marrë minus 50% të pagës së tij. Shefi i financave shtetërore, është gjobitur pasi ka shpërfillur një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Ky këshill e ka dënuar me 3 tetor Muratin pasi nuk e ka anuluar konkursin për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, ani pse është konstatuar se ky dikaster qeveritar e kishte shpallur jashtëligjshëm konkursin.

Shpallja e këtij konkursi me ligj është në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës, shkruan Gazeta Insajderi.

“Këshilli ka konstatuar se vendimi i 14 korrikut për anulimin e konkursit nuk është zbatuar nga Ministria e Financave edhe për kundër faktit se Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 22 gusht ka refuzuar propozimin e Ministrisë së Financave për shtyrje të ekzekutimit të vendimin 14 korrik të këshillit”, thuhet në vendimin e KPMShCK.

Pavarësisht se vendimi i këshillit është vendim administrative i formës së prerë dhe duhet të zbatohet nga ministri si personi përgjegjës i institucionit, Murati nuk e anuloi. Rrjedhimisht KPMShCK mori vendimin e ri, gjobë ndaj Muratit.

“Vendimi i datës 14 korrik nuk është zbatuar nga personi përgjegjës i institucionit – në mbështetje të ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës  si dhe aktvendimit në rastin e datës 20 maj 2019 të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i këshillit vendosë ndalimin e 50% të pagës mujore për ministrin e financave, punës dhe transfereve si personi përgjegjës për zbatimin e vendimit të këshillit”, thuhet në vendimin e datës 3 tetor.

Kjo vlen “deri në zbatimin e vendimit të 14 korrikut gjegjësisht deri kthimin e ligjshmërisë në shërbimin civil”.

Me minus 50% të pagës është dënuar edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj para pak muajsh.    

Gazeta Insajderi, ka raportuar lidhur me këtë rast. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte gjetur se një vendim i rëndësishëm nuk ishte miratuar në tërësi nga drejtori Ilir Murtezi.

Vendimi ishte marrë pasi Murtezaj nuk kishte zbatuar në plotni dy vendime të Këshillit, të cilat ishin marrë me 16 dhe 23 qershor.

Kështu thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

“I ndalohet 50% e pagës mujore z.Ilir Murtezaj, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, për shkak se i njëjti nuk e ka zbatuar në plotni vendimin A.nr 461/2021 të datës 23.06.2021 dhe vendimin A.nr.484/2021 të datës 18.06.2021 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në vendim përcjell Gazeta Insajderi.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se këshilli e ka aprovuar si të bazuar ankesën Bashkim Shala, duke e obliguar drejtorin e ATK-së që brenda afatit prej 15 ditësh, ta sistemoj Shalën në pozitën e punës që ka qenë.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me datë 23.06.2021 ka nxjerrë vendimin me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e datës 27.09.2019 të ankuesit Bashkim Shala dhe ka obliguar Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës që të bëjë zbatimin e vendimit brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij, duke sistemuar ankuesin në pozitën e punës zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore  të cilën pozitë e ka mbajtur i njëjti deri me datë 02.09.2019”, thuhet në vendim.

Gjithashtu këshilli ka aprovuar si të bazuar edhe ankesën e Hamdi Hoxhës duke e ka obliguar drejtorin e ATK-së që brenda 15 ditësh ta sistemoj atë në pozitën që e ka pasur.

“Ndërsa me datë 18.06.2021 Këshilli ka nxjerrë vendimin me të cilin ka aprovuar si të bazuar ankesën e datës 04.09.2019 të ankuesit Hamdi Hoxha dhe ka obliguar drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së që të bëjë zbatimin e vendimit brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të tij duke , duke sistemuar ankuesin në pozitën e punës zëvendës drejtor i përgjithshëm i ATK-së në pozitën e njëjtë që ka mbajtur i njëjti deri me datë 13.06.2019”.

Ky vendim është marrë nga KPMShCK në muajin prill. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark