Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se kanë tentuar të pajisen me autorizim për shitblerjen e disa parcelave duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën, më 15 korrik, rreth orës 11:15, në rrugën “Çlirimi”.
“Të dyshuarit, meshkuj kosovarë, duke përdorur dokumente që dyshohet të jenë të falsifikuara, kanë tentuar që te noteri të marrin autorizim për shitblerjen e disa parcelave pa dijen e pronarit legjitim”, thuhet në raportin policor.
Në konsultim me prokurorin, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente relevante që lidhen me rastin.
Po ashtu, nga njëri prej të dyshuarve janë sekuestruar një veturë dhe një telefon celular.
Rasti është duke u hetuar. /Insajderi.org/