×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Dyshohet për keqpërdorim të 50 mijë eurove për Luginën, afërsi familjare me Besnik Bislimin- kush është kandidati që po ia “rrezikon” pozitën Abdixhikut në LDK?

    Insajderi
    14 November 2023 - 18:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Faton Bislimi, ish-deputet i LDK-së, do t’i hyjë garës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur mbrëmjen e së hënës, ku ka thënë se do ta paraqesë kandidaturën e tij në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së, që do të mbahet më 19 nëntor të këtij viti. Bislimi ka afërsi me familjare me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, si dhe dyshohet për një aferë të keqpërdorimit të 50 mijë eurove të fondeve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.

    Bislimi ka bërë të ditur se kandidatura e tij është “kundërpërgjigje për ata që kanë humbur shpresën për LDK-në”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk rreshtën së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”, deklaroi ai në njoftimin e djeshëm për kandidaturë për numrin një të LDK-së.

    Bislimi i LDK-së në maj të këtij viti njoftoi largimin nga kryesia e këtij subjekti politik për çështje parimore, derisa hodhi akuza në drejtim të kryesisë.

    “Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve!”, deklaronte ai në njoftimin për dorëheqje nga kryesia.

    Përkundër që nuk janë parë në publik bashkë, Bislimi i LDK-së ka pranuar se janë kushërinj me Bislimin e VV-së.

    “Më shumë flasim në telefon. Të them të drejtën nuk flasim për politikë”, pati thënë ai, kur pati konfirmuar afërsinë me numrin dy të Qeverisë.

    Ndaj Bislimit të LDK-së që po ia “rrezikon” pozitën e kryetarit Lumir Abdixhikut, pati ngritur kallëzim penal kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Kjo, nën dyshimet për keqpërdorimin e 1.2 milionë eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

    Sipas kallëzimit penal, 50 mijë euro pretendohet se janë deponuar direkt në llogarinë e kompanisë së Faton Bislimit.

    Kompania e Faton Bislimi “Washington International Affair Institute” – po dyshohet të jetë hapur 8 muaj para ndarjes buxhetore të qeverisë.

    “Washington International Affair Institute L.L.C është kompani e hapur me datë 3 shtator 2021, pra 8 muaj para vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për transferimin e mjeteve. Kjo kompani figuron në emër të Faton Bislimit, Kushëririt të zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi dhe mik i liderëve te PVD-së i cili vitet e fundit i ka shpeshtuar vizitat në Luginë si dhe ishte shoqërues i përkohshëm i përfaqësuesve të Luginës në SHBA. Pra 50,000 euro të Fondit të Qeverisë së Republikës së Kosovës u bartën në llogari të Faton Bislimit respektivisht në kompaninë e tij Washington International Affair Institute L.L.C”, thuhet në kallëzim penal.

    Nga ky konkurs dhe të tjerë, sipas pretendimeve të Arifit, kanë përfituar akterë të LVV-se dhe PVD-së, njerëz partiak.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se më 19 nëntor do të thërrasë Kuvendin e dhjetë Zgjedhor të kësaj partie. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark