×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dyshohet se kërkuan ryshfet nga qytetarët- Këta janë 23 zyrtarët e akuzuar

    Insajderi
    04 January 2024 - 10:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.

    Të akuzuar në këtë rast janë: Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxhaj, të gjithë zyrtarë policorë.

    Në aktakuzë, të cilën e ka publikuar “Betimi për Drejtësi” thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.

    E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

    Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

    Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe video-incizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.

    Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark