Shpresat se do të gjente shërim në Turqi, një burrë nga Peja, i kishte varur tek një person nga Lipjani, që hiqej si kirurg.
Për veshkën që do të blinte, pejani pagoi 134 mijë euro. Por në fund gjithçka doli mashtrim.
Prokuroria Themelore në Pejë kërkoi nga gjykata që Valmir Hajrullahut t’i caktohej masa e paraburgimit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Insajderi merr vesh se ai u la në arrest shtëpiak.
Aktakuza e Prokurorisë:
Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar Insajderi, thuhet se Valmir Hajrullahu është paraqitur si mjek duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të dëmtuarit, A.B.
“Me date 15.06.2021, për herë te parë unë kam shkuar ne Stamboll – Turqi së bashku me vëllain tim , aty jemi takuar me Valmir Hajrallahun i cili na është prezantuar si doktor kardiokirurg”, ka deklaruar një dëshmitare.
Sipas dosjes i pandehuri nuk ka vepruar vetëm. Në ketë skemë ishin përfshirë edhe Avdyl Kryeziun dhe shtetasin turk Yilmaz Tassoker.
Për ta bërë mashtrimin sa më të besueshëm, grupi kishte përgatitur dokumentacion të falsifikuar që përfshinte: Termine fiktive për ekzaminime mjekësore. Rezervime biletash avioni për udhëtime “shëndetësore”. Fatura të falsifikuara dhe komunikime zyrtare përmes email-eve.
“I pandehuri, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, është paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar kështu gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit duke kërkuar në vazhdimësi deponimin e shumave të ndryshme të parave nga i dëmtuari dhe familjarët e tij,” theksohet në kërkesën e Prokurorisë.
Shuma prej 134,000 eurosh u mor përmes transaksioneve të njëpasnjëshme, ku i dëmtuari, i gjendur në situatë të vështirë shëndetësore, paguante për shërbime që në fakt nuk ekzistonin.
“I pandehuri, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka paraqitur të dhëna të rreme për veten, respektivisht është paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar kështu gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit… me ç’rast ka përfituar dobi pasurore në shumën totale prej 134,000 euro,” thuhet aty.
Prokuroria ka siguruar si provë përshkrimin tabelar të të gjitha këtyre pagesave, së bashku me një CD që përmban video-incizime të dorëzuara nga viktima.
Hetimet kishin filluar në shtator të vitit 2023, por ishin pezulluar përkohësisht në fund të vitit 2024, pasi Prokuroria kishte kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Turqisë për verifikimin e dokumenteve dhe të kaluarës kriminale të të dyshuarve.
Hajrullahu ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë që nga koha e kryerjes së veprës, duke qëndruar në arrati deri më 20 shkurt 2026, kur edhe është vetëdorëzuar në polici.