Insajderi
Lajme

Dyshohet se vodhën një ton bakër në një fabrikë, këta janë gjashtë të arrestuarit në Gjilan

Insajderi
20 May 2026 - 08:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dyshohet se vodhën një ton bakër në një fabrikë, këta janë gjashtë të arrestuarit në Gjilan
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pas një hetimi disa mujor dhe operacioneve intensive në terren, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona që dyshohen për një nga vjedhjet më të mëdha industriale në Gjilan.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka realizuar aksionin pas sigurimit të provave përmes hetimeve të avancuara dhe masave të fshehta teknike.

Të arrestuarit janë: Leotrim Nuredini, Egzon Kosumi, Mërgim Lahi, Leutrim Lahi, Imran Deliu dhe Edonis Osmani.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se në bashkëveprim kishte kryer vjedhjen e rëndë në fabrikën për përpunimin e telave të rrymës “EURO CABLE” në Gjilan, ku më 29 mars dyshohet se ishte vjedhur rreth një ton tel bakri me vlerë afërsisht 12 mijë euro.

Sipas mediumit, hetuesit dyshojnë se i njëjti grup mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda në rajone të ndryshme, për çka hetimet po vazhdojnë.

Gjatë aksionit, me urdhër të Gjykatës Themelore, Policia ka kryer bastisje në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Nga kontrollet janë sekuestruar prova materiale, përfshirë tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe telefona celularë.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij grupi dhe rasteve të tjera të mundshme janë duke vazhduar.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark