×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “E bëri bërllok”, Limaj e kritikon me vrazhdësi Kurtit për Asociacionin

    Insajderi
    14 November 2023 - 18:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e quan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mashtrues që po fshihet pas Gjykatës Kushtetuese pasi pranoi ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Limaj këtë e tha në Frontal në T7, duke shtuar se Kurti “ka bërë shkelje të Kushtetutës” duke arritur një “marrëveshje të dëmshme për vendin”.

    “Çka po thonë këta që i kanë marrë 51%? Po duan që këtë punë t’ua lënë nëntë vetave në Gjykatën Kushtetuese. Me u fshehë, me thënë ‘këqyre, ne e kemi bë një bërllok, marrëveshje katastrofale për vendin tonë, ju tash duhet ta akomodoni, t’ia gjeni vendin në Kushtetuë’. Gjykata Kushtetuese as nuk krijon e as nuk shuan institucione”, tha Limaj.

    “Në 2015 Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë s’duhet bërë Asociacioni… Marrëveshjet politike i krijojnë ato punë”, tha ndër tjerash ai.

    Limaj tha se “do të krijohet një autonomi politike brenda sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

    “Kosova ka pranuar formimin e Asociacionit me kompetenca të shtuara… S’ka këtu 2013, 2015, ka marrëveshje Kurti-Vuçiq nga e cila derivon draft-statuti dhe pastaj Asociacioni”, tha më tej Limaj.

    Limaj tha se “tanimë edhe për ata besimtarë fanatikë të z. Kurti e kanë të qartë që kryeministri i Republikës së Kosovës e ka pranuar një marrëveshje, ka pranuar asociacion dhe tani pritet implementimi”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark