Për herë të parë në historinë e spektakleve të bukurisë, të premten në diskotekën “Rinora 4” në Zvicër zgjidhet “Miss shqiptarja në botë”.
“Është diskoteka më e njohur dhe më e frekuentuar nga të rinjtë shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë pronari Shaban Konxheli. “Një arsye tjetër pse ky spektakël mbahet në Zvicër është se këtu jetojnë shumë shqiptarë”, shkruan 20min.ch.
Konxheli ka folur edhe për bashkëpunimin me Ilir Gecin, pronarin e agjencisë “Gecjan Fashion Group” dhe idenë për të organizuar këtë megaevent në diskotekën e tij.
“Kemi menduar të bëjmë diçka që nuk është bërë deri tash dhe besoj se ia kemi arritur”, ka thënë ai. Ndërkohë Ilir Geci shton: “Çdo vit organizohen shumë konkurse bukurie dhe shqiptarët janë të njohur në mbarë botën për bukurinë e tyre. Por, asnjëherë deri më tash nuk është organizuar një spektakël për të zgjedhur më të bukurën shqiptare në gjithë botën”, ka thënë ai për gazetën zvicerane.
Fillimisht thotë Geci kanë aplikuar 600 vajza, ndërsa në bazë të fotografive janë kualifikuar 100.
Më vonë është bërë edhe një përzgjedhje tjetër, ku të drejtën për finale e kanë fituar 25 vajza. Ato vijnë nga vende të ndryshme të Evropës: Suedia, Sllovenia, Italia, Shqipëria, Gjermania, Austria dhe Zvicra. “Vajza nga Kosova nuk ka, për shkak se nuk arritën të pajisen me viza”, shprehet Geci.
Vetëm pak orë para finales, nga konkurrimi janë larguar dy vajza.
“Të premten në mëngjes ne kemi vendosur që në finale të paraqiten vetëm 23 vajza. Dy vajza janë dërguar për në shtëpi për shkak të sjelljeve jo të mira të tyre”, pohon ai. /Insajderi.com