Gjatë raundit të parë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, gjashtë vota janë shpallur të pavlefshme nga 10 sa kanë votuar. Kjo çoi në rishpalljen e konkursit për këtë pozitë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se në konkursin e parë dhjetë anëtarët e këshillit morën pjesë në votim të fshehtë pas prezantimit të raportit nga ana e kryetares së komisionit, Arjeta Sadiku. Gjashtë nga 10 vota u shpallën të pavlefshme.
Në garë ishin Drilon Haraqia që mori 80,34 pikë dhe Sulltan Dobraj 75,68 pikë.
“Në raundin e parë të votimit, kandidati Drilon Haraqia ka marrë 3 vota të vlefshme, kandidati Sulltan Dobraj 1 votë të vlefshme, ndërsa 6 vota janë shpallur të pavlefshme, rrjedhimisht sipas procedurave asnjëri kandidat nuk ka arritur shumicën e thjeshtë të votave të nevojshme për përzgjedhje”, thuhet në përgjigjen e KGJK’së.
I njëjti rezultat është përsëritur edhe në raundin e dytë të votimit.
“Meqenëse asnjëri kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, Këshilli ka vendosur për rishpallje të konkursit, pasi që në bazë të Rregullores Nr. 12/2022, për Procedurën e Zgjedhjes, Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës në këtë fazë ishin konsumuar hapat procedural dhe ishte shterur procedura e votimit”.
“Lidhur me mënyrën e votimit në Këshill, ju njoftojmë se votat e pavlefshme janë trajtuar në përputhje me rregullat e votimit të fshehtë dhe anëtarët e Këshillit kanë ushtruar te drejtën e tyre Kushtetuese dhe ligjore në diskrecion të plotë gjatë procesit të votimit dhe marrjen e vendimit, në mënyrë të pavarur”, vijon përgjigja e KGJK’së.
Kësisoj, më 30 shtator të këtij viti KGJk ka vendosur që ta rishpalë konkursin për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Në konkursin e rishpallur për këtë pozitë kanë aplikuar Drilon Haraqia dhe Fëllënza Knushaj.
KGJK më tej ka bërë të ditur se procesi i votimit do të zhvillohet në mënyrë të hapur.
“Takimet e Këshillit dhe procesi i votimit zhvillohet në mënyrë të hapur dhe transparente, me transmetim live për publikun, ashtu siç përcaktohet në nenin 14 të Ligjit Nr. 06/L-055, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës”.
Deri më tani, nuk është zhvilluar ndonjë procedurë e konkursit për të dy kandidatët. /Insajderi.org/