Një skandal i madh me rrjedhjen e informacioneve të inteligjencës ka shpërthyer në Uashington, pasi një kontraktor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) dyshohet se u ka kaluar dokumente të klasifikuara sekrete gazetares me të cilën ishte në lidhje dashurie.
Dokumentet përmbanin vlerësime të inteligjencës amerikane se Izraeli mund të përfshihej në një konflikt të brendshëm, pretendime se zyrtarë izraelitë i kishin kërkuar administratës së Donald Trumpit të vriste një udhëheqës të lartë iranian, si dhe një raport sekret për përpjekjet për të siguruar mbështetjen ushtarake amerikane edhe pas përfundimit të presidencës së Trumpit.
Të premten, FBI-ja arrestoi një kontraktor të CIA-s, i dyshuar për kalimin e informacioneve të klasifikuara te partnerja e tij, gazetare.
Pesë artikuj të publikuar nga ajo dyshohet se bazoheshin në informacione të ndjeshme të inteligjencës, tre prej të cilëve lidheshin drejtpërdrejt me Izraelin.
I dyshuari është Ian A. Brinksman, 42-vjeçar nga Uashingtoni. Ai kishte autorizim sigurie të nivelit më të lartë, “Top Secret”, që i mundësonte qasje në informacione shumë të ndjeshme.
Sipas prokurorëve, për disa muaj Brinksman e shfrytëzoi qasjen në sistemet e inteligjencës amerikane për të shqyrtuar raporte të klasifikuara që nuk lidheshin me detyrat e tij dhe për t’ia përcjellë informacionet partneres së tij. Ajo drejtonte një publikim të pavarur të lajmeve në platformën Substack.
Hetuesit lidhën qasjen e tij në dokumentet e ndjeshme me bisedat telefonike mes çiftit, si dhe me datat e publikimit të artikujve që dyshohet se përmbanin informacione nga këto raporte.
Autoritetet amerikane nuk e kanë bërë publik emrin e gazetares, të cilës në deklaratën e FBI-së i referohen si “Individi 1”. Po ashtu, nuk kanë zbuluar temat e raporteve të klasifikuara.
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga mediumi ynet tregojnë se bëhet fjalë për gazetaren amerikane Aída Chávez, themeluese e publikimit të pavarur hulumtues Capital & Empire.
Chávez ka punuar më parë për The Hill, ka kontribuar për The Washington Post, si dhe ka shërbyer si korrespondente për Kongresin amerikan për The Intercept dhe si korrespondente në Uashington për The Nation.
Pesë artikuj të publikuar në faqen e saj përputhen me datat e identifikuara në deklaratën e FBI-së. Ndërkohë, një pjesë e një thirrjeje për mbledhjen e fondeve, të publikuar në shtator, shfaqet pothuajse fjalë për fjalë në dokumentin e hetuesve.
Gazetarja Aída Chávez nuk është akuzuar për asnjë vepër penale në lidhje me këtë hetim.
Artikullin e plotw e gjeni KWTU.