Prokuroria Themelore në Prishtinë po neglizhon ankesat e vazhdueshme të familjes Bllaca nga Prishtina lidhur me një pronë në kryeqytet, në të cilën, sipas avokatit të familjes, kanë nisur ndërtimet.
Vehbi Halili, avokati i familjes Bllaca, ka deklaruar për Insajderin se ka dërguar kërkesë për herë të tretë për t’u informuar lidhur me kallëzimin penal që kishte bërë gjatë vitit 2024.
“Kjo është hera e tretë që po i drejtohemi Prokurorisë. Pavarësisht kësaj, ne kemi informacione se në të njëjtën pronë kanë nisur ndërtimet”, ka thënë për Insajderin avokati i palës denoncuese, Vehbi Halili.
Në maj të vitit 2023, Komuna e Prishtinës kishte publikuar një njoftim se për zonën perëndimore të lagjes “Prishtina e Re” ishte paraqitur një kërkesë për marrjen e kushteve ndërtimore. Kërkesa ishte nënshkruar nga Qërim Selimi.
Këtë njoftim, përveç të tjerëve, e kishte parë edhe Halil Bllaca, qytetar nga Prishtina, i cili prej dekadash zhvillon betejë ligjore për ta rikthyer nën kontroll një tokë prej mbi tre hektarësh, të cilën pretendon se e ka trashëgimi familjare. Sipas tij, toka i ishte marrë pa dëshirë nga serbët para luftës.
Bllaca pretendon se, pasi toka i ishte marrë, ajo kishte kaluar në Ndërmarrjen Shoqërore “Ratar”, e cila pas luftës u trajtua si ndërmarrje shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), paraardhëse e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), institucion ende aktiv.
AKP-ja më pas kishte vendosur një pjesë të pronave të “Ratar”-it në likuidim. Në këtë proces, familja Bllaca ishte paraqitur si palë e interesit, por AKP-ja e kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin e “informatave të pamjaftueshme”.
“Autoriteti i Likuidimit (AL), i emëruar në bazë të nenit 12 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-34 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka shqyrtuar kërkesën tuaj për të drejta pronësore mbi një ngastër kadastrale që ndodhet në Hajvali, e regjistruar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit më 25.09.2014, brenda afatit ligjor për parashtrimin e kërkesave. Duke qenë se informatat e ofruara nga ju janë të pamjaftueshme për të mundësuar përfshirjen e saj në çfarëdo shpërndarjeje të të ardhurave të likuidimit, ju kërkojmë të ofroni informacione shtesë dhe dëshmi mbështetëse”, thuhej në përgjigjen e AKP-së drejtuar Bllacës.
Nga dokumentet e deponuara në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, e themeluar për trajtimin e kontesteve që lidhen me privatizimin, rezulton se Halil Bllaca fillimisht kishte identifikuar disa persona që aktualisht kanë nën kontroll tokën për të cilën ai pretendon se i takon si trashëgimi familjare.
Sipas tij, këta persona e kishin blerë tokën nga serbi Vukoje (Bajo) Jolloviq. Ai ka siguruar edhe dokumente për ndarjen e pronës, e cila pretendohet se është mbi tre hektarë. Nga këto dokumente del se toka nuk është blerë nga vetëm një pronar shqiptar rreth vitit 2010, por nga disa persona të ndryshëm.
Për më shumë detaje lidhur me rastin, me poshtë mund te gjesh raportimin e plotë të Gazetës Insajderi: