Sulmuesi i Chelseat, Cole Palmer ka kërkuar falje pasi ka zbuluar se aksidentalisht hodhi një shishe në drejtim të trajnerit Mauricio Pochettino gjatë barazimit 2-2 ndaj Arsenalit disa ditë më parë.
20-vjeçari u zëvendësua pas 84 minutave lojë në “Stamford Bridge” të shtunën, teksa paraprakisht kishe shënuar një penallti në minutën e 16-të të takimit.
“Blutë e Londrës” kanë qenë duke kryesuar me rezultat 2-1 kur Palmer u largua nga fusha, por pak minuta më vonë ishte Leandro Trossard ai që shënoi për mysafirët dhe barazoi shifrat.
Kjo ndeshje la një shije të hidhur për të besuarit e Pochettinos, të cilët kishin më shumë raste për gol se sa Arsenali, por që dështuan që të finalizonin ato.
Palmer me t’u larguar nga fusha u ndje i zhgënjyer dhe reagoi duke hedhur një shishe.
Për fat të tij të keq shishja shkoi në drejtim të trajnerit Pochettino. Sidoqoftë, ish-ylli i Manchester Cityt ka zbuluar për uebfaqen zyrtare të klubit se nuk e ka bërë me qëllim.
“Kur ata shënuan golin e dytë unë isha duke pirë ujë. Unë e hodha shishen anash siç bëjmë gjithmonë, nuk ishte me qëllim”, u shpreh anglezi.
“Unë vetëm e pash teksa e goditi trajnerin. I kërkova falje pas ndeshjes, shpresoj që ai nuk do të më ul në bankë për shkak të asaj”.
Palmer do të shpresojë të ndihmojë skuadrën e tij të kthehet përsëri tek fitore kundër rivalëve të tjerë londinez Brentford dhe të zgjasë serinë prej tri ndeshjesh pa humbje deri më tash në ligë.