Daniele De Rossi është një nga kandidatët kryesorë për t’u ulur në stolin e Palermos, që në sezonin e ri do të garojë në Serie B. Drejtuesit dhe tifozët shpresojnë që ekipi të ngjitet në elitën e futbollit italian, aty ku e ka vendin.
Gjendja ekonomike në klub është stabilizuar pas kalimit në pronësinë e City Group, që zotëron mes të tjerash edhe Manchester City. Ish-mesfushori dhe kapiteni i Romës ka udhëtuar drejt Anglisë për të ndjekur nga afër taktikat e Pep Guardiolës.
Të dy kanë një raport të mirë me njëri-tjetrin dhe kanë darkuar së bashku, aty ku është folur shumë për futbollin. Disa këshilla nga një prej trajnerëve më të mirë në planet janë tepër të rëndësishme për De Rossin, sidomos në fillimet e karrierës si trajner i parë.
39-vjeçari ishte pjesë e stafit teknik të Roberto Mancinit në suksesin e kombëtares italiane në Euro 2020. De Rossi është gati të nisë aventurën si trajner i parë dhe kalimi në Siçili te Palermo është një opsion që e tundon jo pak. /supersport.al/