Tifozët e Milanit që nga dje bllokuan sistemin e faqes zyrtare të Sassuolos, në kërkim të pajisjes me biletë, për ndeshjen e fundit të kampionatit ku ata presin që të stolisen me titullin kampion. Biletat u shiten sot në kohë rekord, në më pak se një orë e një çerek.
Mirëpo, ato po vazhdojnë të shiten, veçse në tregun e zi dhe këtë me shifra stratosferike deri në 3000 euro.
Stadiumi Mapei ofron kushte për 21,000 tifozë. Kapacitet modest në raport me kërkesën ekstreme për të siguruar biletë.
Milanit i mjafton vetëm një barazim për ta rikthyer titullin kampion, i cili mungon që prej edicionit 2010/2011. Ky do të ishte titulli i 19-të i fituar nga Milan në kampionatin italian.