Liga e Kampionëve do ta ndryshojë fytyrën nga sezoni i ardhshëm dhe do ta mbajë atë skemë organizimi të paktën deri në vitin 2027, por UEFA dhe “ECA” duken gati për një revolucion të ri.
Sipas informacioneve të raportuara nga “El Pais”, dy organet kryesore të futbollit evropian kanë gati një reformë të re të garave kontinentale, e cila të paktën mund t’i bëjë Andrea Agnelli dhe Florentino Perez të buzëqeshin.
Flitet për tri divizione me 18 skuadra, të quajtur “Super Liga” (e pabesueshme për ta thënë, duke pasur parasysh kundërshtinë e Çeferinit), Ligën e Europës dhe Ligën e Aspirantëve, me kriteret e pranimit që duhen përcaktuar dhe shumë variabla në tavolinë.
Mes divizionit të parë dhe të dytë do të kishte vetëm dy ngjitje/zbritje, ndërsa nga e dyta në të tretën do të ishin katër të tilla. Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e planifikuar për në fund të tetorit, mund të jetë e rëndësishme në këtë kuptim.