×
Aktuale

E premtja vendimtare për Llamkos – A do të vuaj burgun i famshmi Jeton Sadiku, lidhjet e të cilit përfshinin oligarkun rus

Insajderi
16 March 2022 - 12:01
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ditën e premte pritet që Gjykata Themelore e MItrovicës, të vendosë përfundimisht për fatin e “Llamkosit” dhe biznesmenit Jeton Sadiku që akuzohet për shkatërrimin e saj. Sadiku kishte falimentuar këtë ndërmarrje duke lënë pa punë mbi 500 punëtor. Ishte zbuluar mashtrimi i tij. Prokuroria kishte ngritur aktakuzë që nga viti 2015. Gazeta Insajderi, sjell historinë e biznesmenit Sadiku, e kaluara e të cilit lidhet edhe me një oligark rus.

Fati i biznesmenit Jeton Sadiku, për dyshimet për falimentimin e “Llamkosi”  për të cilin kishte raportuar Gazeta Insajderi, pritet të vendoset të premten nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Biznesmeni Sadiku, që ka lidhje edhe me oligarkun rus akuzohet për falimentimin e “Llamkosit” dhe mashtrimin e disa bankave kosovare. Ndaj tij, rëndojnë dy vepra të rënda penale, “Mashtrim ose dëmtim i kreditorëve apo debitorëve” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Aktakuza ndaj tij është ngritur që nga korriku i vitit 2015, e cila më pas ishte konfirmuar dhe procesi gjyqësor kishte filluar qysh në mars të vitit 2016, shkruan Gazeta Insajderi.

Jeton Sadiku dhe mbrojtja e tij, në seancën e fundit të gjykimit kishin deklaruar se prokuroria gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor, nuk e ka prezantuar asnjë provë të vetme që e mbështetë akuzën, duke mos vërtetuar asnjë pikë të dispozitivit të aktakuzës.

Por pavarësisht deklarimeve të tij, nëse gjykata i provon akuzat e prokurorisë, Sadiku rrezikon të dënohet me burgim.

Sadiku fillimisht ishte arrestuar. Ai nënshkroi një pranim fajësie. “me qejf” pranon të shkojë dy vjet në burg për mashtrimet që peshojnë rreth 30 milion euro. Por shtetit iu duk pak. Prandaj edhe Prokuroria e ndjeku penalisht atë, shkruan Gazeta Insajderi.  

Cilat janë të bëmat e biznesmenit Sadiku?

Lidhur me historinë e biznesmenit Jeton Sadiku, të kaluarën e tij dhe lidhjen me oligarkun rusin, ka raportuar edhe para disa vitesh Gazeta Insajderi.  

Biznesmeni kosovar me shtetësi angleze, Jeton Sadiku njihet si personi që falimentoi fabrikën ku punuar afër 500 punëtor e ku prodhoheshin mbi 120 mijë tonë llamarinë në vit.

Kompani “Llamkos” ishte shitur në gusht 2011. “Coreteel” ishte emri i kompanisë me të cilën u ble “’Lamkosi”. Si pronar i kompanisë ishte paraqitur Jeton Sadiku, David Hulme drejtor ekzekutiv i kompanisë e Arlind Jupolli zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar i saj.

Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë euro brenda pesë vitesh si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve. Sipas raporteve të monitorimit dhe të Auditorëve të jashtëm, nuk përmbushi zotimet dhe AKP në përputhje me kontratën kishte aplikuar ndëshkimet financiare.

Dhe krejt situata shkoi si mos më keq kur Jeton Sadiku dështoi në vazhdimësi të përmbush obligimet, të merret me pagesat e aplikuara nga AKP-ja, dhe në fund të dështoi të paaj borxhet ndaj kontraktorve, bankave e punëtorëve.

Fabrika u mbyll. Bisnesmeni Sadiku e dërgoi atë në falimentim dhe pa punë mbetën afro 500 punëtorë.

Prokuroria në vitin 2015 e akuzonte Sadikun, për mashtrim të disa bankave në Kosovë dhe një në Londër.

Viktima më e madhe e mashtrimeve të Sadikut është “Standard Bank PLC” në Londër e cila në disa raste ia ka dhënë atij mbi 26 milion e 156 mijë euro kredi të cilat nuk i ka kthyer kurrë.

Sadiku, që ka edhe nënshtetësi britanike kishte futur “Llamkosin” hipotekë në Standard Bank. Kur kredia nuk është kthyer, banka inicoi procedura për ta marrë fabrikën si hipotekë. Ndërkohë, prona është manipuluar në Komunën e Vushtrrisë, në drejtorinë e kadastrit.

Dhe viktimë e një grupi të dyshuar mashtruesish rreth Sadikut kishin rënë edhe bankat tjera kosovare. Kështu, Sadiku akuzohejt se në bashkëkryerje edhe me disa persona tjerë kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëme Bankës Kombëtare Tregtare – dega Kosovë.

Dëmi ndaj bankës, duke bërë mbitërheqje është së paku 250 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi

Jeton Sadiku akuzohet po ashtu për mashtrim të bankës Ekonomike.

Me 16 shkurt 2014 kishte lidhur kontratë me këtë bankë duke marrë 480 mijë euro kredi me hipotekë. Partneri i tij David Hulme si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Coresteel SHPK ka qenë garantues i kësaj marrëveshje.

Të dy e kanë ditur se parcelat të cilat janë lenë si hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka e mëhershme. Me anë të këtij mashtrimi ata kanë realizuar këtë kredi gati gjysmë milioni euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Biznesmeni Sadiku drejtoi dhe ishte pronar i pjesshëm i firmës “Bel & Steel”, e cila merrej me tregtim të çelikut.

Andrey Dobrov mbante pronësinë mbi 90 për qind të aksioneve të kësaj firme. Kjo firmë e krijuar në vitin 1995 falimentoi në vitin 2002 me mbi një milion sterlina borxh, përfshirë këtu borxhet ndaj gjigandit të industrisë së çelikut dhe thëngjillit nga Novosibirsku i Siberisë, e cila ishte pronë e vetë Dobrovit.

Në shtator të vitit 2001, një firmë me emër të ngjashëm – Belsteel Management – u krijua në Zvicër. Allan Dennis Cooper, investitor në biznese të ndryshme në Evropën Lindore, i cili drejton një sërë kompanish me seli në Londër dhe Zvicër, ishte themelues i kësaj firme përkrah partnerit të tij afarist Christian Sutter.

Sipas një interviste të publikuar të Dobrovit, Cooper ishte anëtar i bordit të Belon Group nga viti 2004.

Shpejt ndryshoi edhe emri i firmës së re në Coresteel AG.  Sipas regjistrave publikë të Zvicrës, Sadiku ishte pronari i vetëm i Coresteel AG, edhe pse nuk bëhet e qartë nëse ai kishte qenë pronar i vetëm gjatë tërë jetëgjatësisë së firmës. Ai u bë drejtor i saj në vitin 2003.

Me krejt këto lidhje, Sadiku arriti që ta marrë nën kontroll “Llamkosin”. Madje PDK-ja në pushtet po i jepte përkrahje publike. E quanin privatizim i suksesshëm. E tha Besm Beqaj i PDK-së, që më vonë u akuzua në aferën ‘Pronto” të publikuar nga Insajderi.

Por, sa i suksesshëm ishte në fakt ky privatizim? A kishte probleme që në fillim të privatizimit?

InDoks I ka kushtuar edhe një dokumentar të gjatë, gjatë hulumtimit ka gjetur se kur fabrika iu dha firmës së Jeton Sadikut, ishte një firmë tjetër kosovare në garë. Kompania ‘Inter Steel’. Kjo kompani nuk ka pranuar që të jap komente për këtë dokumentar, por në një vendim të Gjykatës Kushtetuese vendosi kundër tyre.

E la AKP-në që të vazhdonte që të ia barte këtë pronë firmës së Jeton Sadikut.

Për më tepër mund ta shihni dokumentarin e INDOKS.

https://video.gjirafa.com/indoks/indoks-njeriu-i-oligarkut-rus-mashtrimi-milionesh-i-shtetit

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark