Ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka thënë se më shumë ka ndjerë kënaqësi për promovimin me Monzën në Serie A, se me çdo trofe të fituar me Milanin.
Monza është promovuar për herë të parë në historinë e saj si klub në Serie A, dhe tani Berlusconi e Galliani do ta kenë mundësinë të ndeshen me ish-skuadrën e tyre.
Gjatë një interviste për mediat italiane, presidenti i Monzas, ka treguar për emocionet e forta që përjetoi me promovimin në Serie A.
“Unë ende jam presidenti me më së shumti tituj të fituar në futboll, duke iu falënderuar Milanit. Por tani i falënderohem Adriano Gallianit i cili më shtyri drejtë një aventure të re tre vite më parë me një skuadër të Serie C-së. Ne bëmë diçka të jashtëzakonshme, i dhuruam një qyteti si Monza një vend të merituar në Serie A. Personalisht, dua të jem gjithmonë protagonist. Unë kam fituar gjithçka me Milanin, por emocionet dhe gëzimin që ndjeva me promovimin e Monzas në Serie A janë unike dhe më të forta se çdo sukses me Milanin.”