Insajderi
Analiza

“E treta herë që po ua kërkoj…”- Shemsi Syla e bëri tollovi në Ministri të Mbrojtjes, anuloi të gjitha konkurset në emër të mungesës së qeverisë- megjithatë një s’u anulua

Insajderi
21 November 2025 - 13:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“E treta herë që po ua kërkoj…”- Shemsi Syla e bëri tollovi në Ministri të Mbrojtjes, anuloi të gjitha konkurset në emër të mungesës së qeverisë- megjithatë një s’u anulua
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Proceset e rekrutimit në institucionin e ministrisë së Mbrojtjes gjatë vitit 2024 dhe 2025 janë shoqëruar me anulime të shumta. Krejt kjo në emër të ristrukturimit, proces ky i cili ka filluar dhe nuk dihet kur e ka fundin. Këtë proces të tejzgjatur e ka parë fort të rëndësishëm edhe zëvendësministri i këtij dikasteri, Shemsi Syla. Në një email që ua ka dërguar zyrtarëve të ministrisë, Syla shihet insistues që të anulohen konkurset, për shkak të mungesës së qeverisë. Përkundër urdhrit të vetë, njëri nga konkurset s’u anulua.

Gazeta Insajderi

Ministria e Mbrojtjes, sikurse shumë institucione të tjera, ende s’e kanë përmbyllur fazën e ristrukturimit, gjë për të cilën po penalizohen kandidatët që po aplikojnë në konkurse. Në emër të ristrukturimit, nga ky dikaster gjatë dy viteve janë anuluar 17 konkurse.

Një gjë të tillë ia kanë bërë të ditur Gazetës Insajderi nga Ministria e Mbrojtjes, teksa bëri të ditur se përgjatë këtij viti në FSK s’janë zhvilluar rekrutime për të njëjtën arsye.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë anuluar gjithsej nëntë (9) pozita për shkak të procesit të ristrukturimit. Gjatë vitit 2025, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk janë zhvilluar rekrutime, pasi njësitë kanë qenë në proces ristrukturimi. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, nga tetë (8) pozita të shpallura gjatë këtij viti, janë anuluar me arsyetimin si pasojë e mos finalizimit te procesit të ristrukturimit“, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim nga ky dikaster.

Të pyetur lidhur me herën e fundit se kur ka rekrutuar kjo ministri, kanë bërë të ditur se 16 procedura të shërbimit civil janë përfunduar me sukses dhe 4 nga to janë në proces ankese në KPMSHCK.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes, bazuar në planin e personelit për vitin 2025, janë publikuar gjithsej 24 konkurse. Nga to, 16 procedura të shërbimit civil kanë përfunduar me sukses, ndërsa katër të tjera janë në proces ankese në KPMSHCK. Për sa i përket stafit mbështetës, nga tre pozita të shpallura, të gjitha kanë përfunduar me sukses“, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike ka arritur të shohë edhe planin vjetor individual të personelit për vitin 2024 dhe 2025.

Përgjatë vitit që shkoi, kjo ministri planifikonte të rekrutonte 120 të rinj në ministri dhe FSK, në shërbimin civil, si nëpunës të shërbimit publik dhe staf administrativo-teknik.

“Mbrojtjes planifikon të shpall konkurse e rekrutimit për të ngritur edhe më tej kapacitetet me personel,
dhe si rrjedhojë synohet që gjatë vitit 2024 Ministria e Mbrojtjes të rekrutoj njëqindenjezëtë (120) të rinj në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës(civilë, nëpunës të shërbimit publik, dhe staf
administrativo-teknik)
“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Gazeta Insajderi.

Ndërkaq përgjatë vitit 2025 parashihet që të plotësojë 49 vende të punës.

“Si rezultat i rekrutimit të deritanishëm Ministria e Mbrotjes ka rekrutuar njëqindenjëzetë e gjashtë (126) zyrtarë publik në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas planifikimit për rekrutimin e stafit për vitin 2025, Ministria e Mbrojtjes planifikon të shpall konkurset e rekrutimit për të ngritur edhe më tej kapacitetet me personel, dhe si rrjedhojë synohet që gjatë vitit 2025 Ministria e Mbrojtjes të plotësojë katërdhjetë e nëntë (49) pozita në Ministrinë e Mbrojtjes prej të cilave gjashtë (6) pozita do të lirohen si rezultat i pensionimit të gjashtë (6) nëpunësve. Procesi i plotësimit të pozitave të lirat do të bëhet nëpermjet procedurës së hapur të pranimit”, thuhet në planin vjetor individual për këtë vit.

Në pyetjen e Insajderi se me çfarë baze ligjore po anulohen konkurset, nga Ministria e Mbrojtjes kanë cituar Nenin 29 të Ligjit për zyrtarë publik, ku parashihet të zbatohen urdhrat e eprorëve.

Në bazë të dokumenteve zyrtare të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes, mësohet se zëvendësministri në detyrë, Shemsi Syla, ishte ai që kërkoi të anulohen të gjitha pozitat për këtë vit deri në formimin e një qeverie të re. Madje, nëpërmjet një emaili të dërguar në nëntor të këtij viti, ka treguar edhe për insistimin e tij që të mbyllen këto konkurse.

“I nderuar sekretar, nga kërkesa e parë që të kam bërë shefja e kabinetit të ministrit ka qenë e njoftuar (në CC) rrjedhimisht edhe ministri, gjithashtu të bashkëngjitur e keni edhe autorizimin nga ministri, pa humbur kohë më shumë ju lutem të procedoni tutje me kërkesën në fjalë sepse tashmë është hera e tretë që u kërkoj këtë gjë”, thuhet në emailin që Syla ia ka përcjellë sekretarit të përgjithshëm, Gafurr Dugollit.

Megjithë urdhrin e Sylës për anulimin e konkurseve, Gazeta Insajderi ka parë që konkursi i zyrtarit për mirëmbajtje s’u anulua. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark