Organizata Ec Ma Ndryshe ka kërkuar të shtunën që të bëhet hetim i “menjëhershëm dhe i hollësishëm” pas djegies së një ndërtese në Prizren, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme të Ministrisë së Kulturës.
“Ky rast, sikurse edhe i mëparshmi, kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të hollësishëm nga organet e hetuesisë, pasi që ditë më parë edhe zyrtarët e Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prizrenit, në paraqitjet e tyre mediale kishin ngritur dyshime se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj organizate.
EC Ma Ndryshe javë më parë pat apeluar te institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar përsëritjen e skenarëve të tillë.
Duke i marrë për bazë ndodhitë e fundit në këtë monument të mbrojtur EC Ma Ndryshe kërkon nga organet e hetuesisë që ta zbardhin rastin në tërësi dhe që kryesit eventualë t’i vënë para organeve të drejtësisë, thuhet në komunikatë /Insajderi.com