×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Edhe këtë vit Kosovarët festojnë Ditën e Mjedisit me termocentrale tejet ndotëse

    Insajderi
    06 June 2019 - 14:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edhe këtë vit Kosovarët në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit u furnizuan me energji elektrike nga termocentralet tejet ndotëse dhe nga importet, që dekadën e fundit kanë tejkaluar gjysmë miliardi euro.

    Situata do të vazhdojë të jetë e njejtë, deri në dekomisionimin e termocentralit Kosova A dhe zëvendësimin e tij me termocentralin e ri ekologjik, Kosova e Re, që përvec tjerash, plotëson edhe kriteret më të ashpëra Evropiane për ndotje.

    Termocentrali Kosova A, njësitë e të cilit kishin filluar ndërtimin në fillim të viteve të 60ta dhe kishte përfunduar në mes të viteve të shtatëdhjeta, tani më ka tejkaluar të gjitha afatet e lejuara dhe ngadalë po i afrohet fundit.

    Termocentrali Kosova A pritet te mbyllet ne vitin 2023, me fillimin e operimit te termocentralit ekologjik Kosova e Re. Kësisoji, Kosova do t’i sigurojë vendit rezerva të mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike me termocentral me efiqiencë të lartë që zvogëlon dukshëm ndotjen.

    Deri sa Kosova A duhet mbyllur sa më shpejtë që është e mundur, ende nuk dihet saktë fati i Kosovës B, e cila në vitin 2024 zyrtarisht tejkalon jetëgjatësinë e lejuar të operimit.

    Krahas aktiviteteve të remontit të njësisë Kosova B, që për qëllim kanë shtyerjen e jetëgjatësisë së kësaj njësie të prodhimit të energjisë elektrike, përfaqësues të KEK kanë informuar edhe për projekte tjera që për qëllim kanë zvogëlimin e ndotjes nga kjo njësi e prodhimit të energjisë elektrike, të financuara nga Bashkimi Evropian.

    ‘Një punë tjetër që po funksionojmë paralelisht edhe jemi para përfundimit ose para përmbylljes së proceseve administrative, janë projekte të cilat do të organizohen gjatë vitit 2020 dhe 2021 e që kanë të bëjnë me ndotje të ambientit. Këto projekte do të financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian ndaj të cilëve ne jemi shumë mirënjohës dhe jemi duke bashkëpunuar dhe funksionuar jashtëzakonisht shkëlqyeshëm, në mënyrë që t’i mbërrijmë ato afate kohore, të cilat i kemi planifikuar’, tha Luigj Imeri, drejtor i Termocentralit Kosova B, teksa po sqaronte për aktivitetet investive në këtë njësi.

    Shumë grupe të organizatave dhe institucione të ndryshme hulumtuese në raportet e tyre vazhdimisht e kanë konsideruar termocentralin Kosova A si ndotësin më të madh në vend. Ato edhe kanë kërkuar që sa më shpejt të bëhet e mundur mbyllja e tij.

    Sipas një postimi të Balkan Green Foundation në rrjete sociale, mesatarja e një termocentrali nga qymyri në Ballkanin Perëndimor emeton 20 herë më shumë dioksid sulfuri (SO2) dhe 16 herë më shumë grimca (PM) se një termocentral evropian. Termocentrali Kosova B kryeson renditjen kur bëhet fjalë për emetimet e grimcave (PM10).

    Tutje, sipas grupeve ambientaliste, vetëm termocentralet e stërvjetëruara në Ballkan lirojnë ndotje sa 250 termocentrale tjera moderne në Evropë, raporton Reuters.

    Sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, termocentrali i ri në Kosovë, që pritet të zëvendësojë termocentralin në mbyllje – Kosova A, do të plotësojë kriteret më të ashpra Evropiane për mbrojtje të mjedisit dhe të ndërtohet në pajtim me teknikat më të mira ekzistuese.

    Kosova e Re do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93%, ato të dioksidit të karbonit për rreth 38%, të dioksidit të sulfurit për rreth 85% dhe të NOx për rreth 93%, thuhet në buletinin e Ministrisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark