×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Edhe Komisioni Evropian vlerëson se mungesa e rrymës është pengesa kryesore e zhvillimit të Kosovës

    Insajderi
    30 May 2019 - 12:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nuk janë vetëm bizneset dhe qytetarët që ankohen për mungesë të rrymës në vend. Problemeve të mungesës dhe reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë, Komisioni Evropian i ka kushtuar një pjesë të veçantë në raportin e fundit të progresit për vendin.

    Rryma e pasigurtë dhe problemet me prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike, janë sfidat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, thuhet në raport.

    Kosova ka dështuar të zvogëlojë humbjet në rrjetin e energjisë elektrike deri sa kapacitetet aktuale prodhuese të energjisë elektrike, vlerësohen si të pasigurta.

    ‘Kosovës i duhet të fillojë përgatitjet për dekomisionimin e njësive të Kosovës A, duke përfshirë edhe identifikimin e lokacionit për hudhjen e mbetjeve të rrezikshme të këtij termocentrali, deri sa rekomandohet edhe ndërmarrja urgjente e investimeve në Kosovën B, me qëllim të zvogëlimit të vlerave të ndotjes’, thuhet në pjesë për energji elektrike në raportin e fundit të progresit.

    Në anën tjetër, problemet politike me Serbinë kanë ndikuar që linja e re e transmisionit me Shqipërinë, të mos jetë ende funksionale. Madje, edhe në fushën e gasit, Kosova është ende në fazat e studimeve fillestare dhe është larg të qenit pjesë e projekteve të furnizimit me gas.

    ‘KEK duhet të përcaktojë orarin e të gjitha punëve në kuadër të asistencës së planifikuar të BE-së për renovimin e Kosovës B, në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me dispozitat e Direktivës për emetimet e pluhurit dhe NOx’, thuhet në raport.

    Problemet e furnizimit me energji elektrike janë vlerësuar si sfidë kryesore e të bërit biznes edhe nga vetë bizneset. Raporte të anketimit të USAID, theksojnë se bizneset humbin mbi 300 milion euro në vit për shkak të furnizimit jo-të rregullt me energji elektrike.

    ‘Qeveria ka nënshkruar marrëveshje komerciale me tenderuesin për ndërtimin e Kosovës së Re, termocentralit 500 megavatësh, ndërtimi i të cilit do të fillojë në vitin 2019’, thuhet në raport, në të cilin edhe rekomandohen studime shtesë për projektin.

    Kosova do të zvogëlojë vlerat e ndotjes nga termocentralet nga viti 2023, kur edhe pritet të dekomisionohet Kosova A dhe të fillojë operimi i termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh, thuhet në Strategjinë e Energjisë së vendit.

    Kësisoji, ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ndotje kjo e shkaktuar nga impiantet e stërvjetëruara të Kosovës në Obiliq si do të sigurojë furnizim të rregullt dhe pavarësi energjetike për Kosovën.

    Termocentrali i ri i paralajmëruar i Kosovës, përmes zvogëlimit radikal të ndotjes, do të plotësoj të gjitha standardet e përcaktuara të Komisionit Evropian.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark