Rritja e çmimeve në Kosovë së fundmi ka kapur shifra alarmante. Kjo situatë nuk është diçka e papritur e as e paparalajmëruar. Pas situatës me krizë energjike, edhe kësaj here duket që Qeveria “Kurti 2” nuk ishte përgatitur. As pasi që publikisht u raportua për këtë krizë.
Visar Duriqi/Donjeta Islami
Çmimet tashmë kanë shkuar deri në përmasa që në një formë kanë shkaktuar edhe panik tek qytetarët për të blerë edhe me sasi shpesh të panevojshme, dhe me çmime të paarsyeshme.
As në këto momente krize, Albin Kurti nuk harron që të flas sikurse të ishte në fushatë elektorale.
Në muajin mars vetëm për subvencionimin e naftës për bujqit u ndanë 5 milionë euro nga 50 milionë sa ka paraparë për bujqit në total brenda vitit. E përmendi që po e përmbushin një premtim zgjedhor.
“Ne po sigurohemi që vetëm bujqit e vërtetë të marrin përkrahje dhe ne po e shtojmë këtë përkrahje. Me subvencionimin e naftës po përmbushet edhe një zotim publik, zgjedhor dhe qeveritar i yni. Deri dje ky ishte një zotim ndaj të cilit ishin llogaridhënie ndërsa tani është një nevojë për bujqit për të cilët kemi përgjegjësi”, tha Kurti në konferencën e 9 marsit para gazetarëve.
Madje gjatë kësaj konference të gjatë, e si rrallë herë kur nuk iku nga gazetarët, ai u kujdes që në disa raste të potenconte se ky është lajm i mirë. Por po ashtu nuk harroi që të përmende që kur e mori drejtimin e Qeverisë e ka gjetur situatën keq e edhe që kriza në vend është pasojë e krizës globale, kryesisht të shkaktuar së fundmi nga agresioni i Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë do të kuptohet se sa kjo krizë është produkt i zhvillimeve ndërkombëtare e sa i zhvillimeve vendore? Sa ka hise në këtë krizë të re pandemia dy vjeçare që ende po vazhdon, kriza energjetike globale e lufta në Ukrainë e sa mos-marrja e masave eventuale mbrojtëse nga Qeveria? A është edhe kjo Qeveri e dobët përballë biznesmenëve që dyshohet se me mashtrim po rrisin çmimet?
Janë disa pyetje që kanë marrë përgjigje në episodin “Qeveria e dobët përballë mashtruesve të fortë” të InDoks-it.
Një është gjë është e sigurtë sipas kryetari të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani. Ngritja e çmimeve të derivateve po ndodh për shkak të luftës së nisur mes Ukrainës e Rusisë.
“Sa i përket rritjes së naftës kjo nuk varet nga ne, varet nga organizata prodhuese OPEC dhe Berza. Organizata OPEC ka reduktu prodhimin shkaku i trazirave, luftës Ukrainë-Rusi edhe kjo ka ndiku që çmimet të rritën në mënyrë ekstreme”, ka thënë Berjani për InDoks të Gazetës Insajderi.
I pyetur se kur do të stabilizohen, ose ulen çmimet ai ka një përgjigje të shkurtër.
“Atë moment kur ndalet lufta Ukrainë-Rusi, do të ketë zbritje të çmimit derisa të jetë kjo situatë e tensionuar, luftë, nuk do të ketë ulje çmimi”, u shpreh ai.
Një propozim deri tash ka dalë nga më shumë se një parti, e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim e e ndjekur edhe nga Partia Demokratike pastaj, që ka të bëjë me ulje ose heqje të akcizës për produktet e naftës.
Por si e sheh kryetari i naftëtarëve këtë opsion, që në një far forme do të ndikonte në ulje të çmimeve.
“Besoj që naftarët nuk e kishin refuzu këtë ide po ma merr mendja se kjo ide nuk mund të zbatohet sepse buxheti i Kosovës është parashiku dhe kjo nuk mund të ndodh në Kosovë, nuk mund të krahasohemi me Kroacinë sepse ka buxhet dhe gjendje ekonomike ma të fortë. BE i ndihmon kjo krahasim Kosova me Kroacinë nuk mund të bëhet. Buxheti i Republikës së Kosovës nuk duhet të ngucet”, ka thënë ai.
“Ne e kishim mirëprit si Shoqatë e Naftëtarëve, krejt naftëtar e kishim mirëprit mirëpo kjo sa është reale dhe a duhet të bëhet, a duhet ta kërkojmë këtë kjo është diçka tjetër. Unë mendoj që buxheti i Republikës së Kosovës është parashiku edhe me të hyrat e naftës ku me këtë sektor e mbulojmë 30%”, deklaron Berjani.
Ndërkohë, Ferat Shala që drejton Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës duke folur për rritjen e çmimeve të naftës, vë theksin te një vendim i Qeverisë që e konsideron edhe të paqartë, derisa ngre dyshime edhe për ligjshmërinë e tij.
“Në këtë relacion kanë nxjerr dy vendime që edhe ato janë të paligjshme sa i përket ligjit vendimi që ka nxjerr për naftën, por janë edhe të pa qarta duhet 2 ose 6 % nuk e definon as bruto as neto, sa periudhë zgjatë kjo e kështu me radhe”, tha Shala.
“Po është e vërtetë që Qeveria ka qenë e paralajmërume, kriza është e ndikuar nga rrethanat globale megjithatë qeveria nuk është për serveim por për veprim konkret, direkt për gjithë sektorët që ka përgjegjësi kushtetuese dhe juridike ligjore dhe obligim qytetar se për këta është votu, është zgjedh aktualisht kemi një qeveri shumë pasive vetëm monitoron dhe konstaton pas ngjarjeve për situatat çfarë janë, në këtë relacion është jo e mirë se sinjal por që qeveria është krejt inekzistente në raport me ndikimin me faktorët ndikues”, thekson deputeti i PDK-së.
Qeveria e Kosovës, mori vendim që të përcaktoj çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.
“Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes”.
“Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes”, thuhej në vendim.
Ai thotë se presin të ndryshohet, por në favor të naftëtarëve.
“Qeveria e ka bë një vendim i cili ka qenë jo i drejt në fillim ku me kërkesën tonë është rishiku nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka qenë marzha e fitimit për import p.sh 4 cent 4 për qind ndërsa për pika karburanti ka qenë 6% me kërkesën tonë dhe gjithë naftarëve u pajtuam kërkesa jonë ishte që importi të ketë marzh fitimi vetëm 2 % ndërsa pikat e karburantit të jetë me 8% kjo është në rishikim dhe procedurë dhe vendimi i qeverisë duhet të respektohet”, ka thënë ai.
Ndonëse Kurti ka një shumicë parlamentare, edhe në këtë kohë krize nuk ka arritur që të bëjë bordin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, mekanizëm që heton edhe me rastet kur kompanitë merren vesh për kurdisje çmimesh në dëm të konsumatorëve.
Edhe për këtë Shala ka kritikën e tij.
“Tregu është jashtë kontrollit nuk ka bord të Agjencionit të Konkurrencës i cili së paku do të ishte në terren dhe do të operonte komunikonte për të pa mundësitë e kontrollit brenda ligjit kështu që situata është jashtë kontrollit, qeveria nuk ka asnjë plan veprimi konkret”, u shpreh ai për InDoks.
Gazeta Insajderi zbuloi se tashmë një mashtrim ka nisur me çmimin e të fryra të njërit nga produktet bazë të ushqimit: vajit ushqimor. Duke hulumtuar ndryshimin e çmimit brenda ditës nga 1.75 euro në mbi 3 euro, Insajderi zbuloi se pronarët e bizneseve të mëdha fillimisht e kanë tërhequr sasinë e vajit nëpër depot ushqimore, duke shkaktuar panik te qytetarët, se ka mungesë të këtij produkti.
Hulumtimi gjeti se pastaj ata e kanë ekspozuar vajin me çmimin prej 3.49 euro. Mashtrimin e tregtarëve, për Gazetën Insajderi e ka zbuluar, njëri nga përgjegjësit për importin e vajit në Kosovë. Ai ka thënë se nuk ka pasur mungesë të vajit dhe se të hënën bizneset e kanë blerë nga ta vajin me çmimin normal. “Dyfishimi brenda natës i çmimit është kryekëput mashtrim i tregtarëve”, i kishte thënë ai gazetës.
Vetëm disa orë pas publikimit të këtij hulumtimi, Qeveria do ta konfirmonte atë. Për më shumë, në njoftimin publik të dikasterit për tregti në Qeveri bëhet me dije se këto informacione tashmë janë dërguar tek organet e ndjekjes që janë Policia e Prokuroria.
Insajderi po ashtu ka raportuar për këtë rast ku Al-Petrol si përfaqësues i kompanisë së naftës “Shell” kishte vendosur tjera çmime në reklamim e të tjera tek pika e furnizimit. Video që ishte dërguar nga një qytetar tregonte që nga 1.64 euro sa tregohej çmimi në tabelën informues, ai i është shitur qytetarëve për 1. 72 euro.
Prokuroria e shtetit, pas raportimeve të këtilla doli me një njoftim. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta. Në njoftim thuhet se Kodi penal për këto raste ka paraparë dënimi me burg dhe me gjobë.
Albin Kurti gjatë fushatës ndër të tjera kishte premtuar më shumë inspektor. Një vit në qeveri nuk e ka bërë këtë ende. Me këtë numër inspektorësh që ka, pa bord të Komisionit të Konkurrencës dhe mungesa të tjera, a do të mund që të i vihet ballë firmave private që, që në start të krizës kanë shfaqur haptazi apetitet për tu pasuruar duke rritur çmimet me fshehje të produkteve e forma të tjera?
Derisa çmimet po rriten. Derisa Qeveria e pranon që ka mashtrime, kjo Qeveri po ashtu arsyetohet se ka mungesë të inspektorëve. Për hir të transparencës ministra në këtë Qeveri ia kujtojnë vetës që kanë premtuar në fushata zgjedhore që kur të vijnë në Qeveri do të rrisin numrin e inspektorëve, por edhe pas një viti në pushtet, ende kanë të njëjtën ankesë sikurse kur ishin në opozitë.
“A kemi ndonjë iniciativë që të afrohemi me shtetet përreth të cilat kanë mundësi komunikimi ndërkombëtar dhe të transportit, me Shqipërinë apo me Maqedoninë apo edhe me Malin e Zi sepse dihen linjat e furnizimit kah i kemi, rrugët detare dhe cila është mundësia e këtyre dmth nuk kemi hale veprime konkrete që e shohim qeverinë tonë së paku deri në Tiranë për këto punë, për një koordinim edhe për sferën energjike edhe për sferën e furnizimit me naftë, me krip me miell, me grurë nëse ne do ti kemi të bllokuar kufijtë verior të grurit ne domosdoshmërit do të furnizohemi nga pjesa tjetër e evropiane ose nga pjesa amerikano-kanadeze prandaj këto iniciativa i bëjmë ftesë qeverisë që me kohë ti analizojë dhe të koordinohet së paku me qeverinë shqiptare”, ka thënë Shala.
Edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk janë të kënaqur me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj konsumatorit, familjes konsumatore.
Selatin Kaçaniku ka vite që flet e denoncon publikisht për shkelje të kompanive në dëm të konsumatorëve. Për InDoks ai nisi duke folur për shtetin ku kohën më të madhe jeton familja e Kryeministrit Albin Kurti, e që nuk është Republika e Kosovës.
“Kryeministri gjithsesi, plus kryeministri kur shkon në Norvegji i ka krejt të paketume. Tash, të gjitha çmimet në Norvegji, pjesa më e madhe e çmimeve në Norvegji është në raport me rrogën e tyre. Rroga e tyre është 10 herë më e lartë dhe cdo gjë aty është 10 herë më e lartë. Nëse p.sh kishim me thanë qekjo banesë është 100 mijë euro atje nuk e merr me 1 milionë, 1 me 10 por me 500-600 dmth realisht më e lirë a nominalisht del më shtrenjtë”, ka thënë Kaçaniku.
Si fillim, Kaçaniku ka problem serioz edhe me mënyrën se si bëhen statistikat në Kosovë nga Agjencia përkatëse. I vë në dyshim ato.
Megjithëqë kontestimin nga ana e Kaçanikut, Agjencia e Statistikave krejt në fillim të marsit 2022 kur edhe kanë nisur rritjet enorme të çmimeve ka publikuar një raport ku flet për rritjen e çmimeve në fund të vitit 2021 krahasuar me ato të një viti më parë.
Kjo agjenci bën me dije se çmimet e Importit në Kosovë kanë pasur ngritje mesatare prej mbi 19% kur krahasohet fund-viti 2021 me fund-vitin 2020.
ASK konstaton se në këtë periudhe ngritje më të mëdha kishte tek produktet që përdorën në ndërtimtari, me theks të veçantë metalet bazë dhe artikujt prej tyre që u rriten me mbi 58%; produktet minerale me mbi 53%, artikujt e gurit dhe qeramikës e qelqit me mbi 32%, druri dhe artikujt prej tij me mbi 29%.
Raporti tregon se edhe para këtyre çmimeve të fundit që janë si pasojë e luftës në Ukrainë, deri në fund të vitit të kaluar çmimi i vajrave që përdorën në ushqim u rritën me mbi 26%, shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve me mbi 14%, produktet bimore me mbi 8 %, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me mbi 5% rritje, mjetet e transportit po ashtu me mbi 5% rritje.
Derisa çmimet po rriteshin në vend e Qeveria po krekosje për rritje të të hyrave e ulje të shpenzimeve e luksit, Agjencia e Statistikave ka një histori tjetër për të treguar.
Kjo agjenci ka krahasuar të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë nga ato të fund-vitit 2021 kur Kryeministër ishte Albin Kurti me ato të fund vitit 2020, kur në pushtet ishte ende Avdullah Hoti.
“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në Tremujorin e katërt 2021 ishin 627 milionë euro, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020 që ishin 703 milionë euro, ka rënie të të hyrave”, thekson agjencia në raportin që e publikoi në mars 2022.
Po për të njëjtën periudhe Agjencia thotë se Qeveria Kurti pati 822 milionë euro shpenzime, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishte Qeveria Hoti që shpenzoi 5 milionë euro më pak.
Kaçaniku që drejton OJQ-në me emrin “Konsumatori” ka folur për atë që e sheh ai si dëmtim të interesit nacional nga qeveritë e pasluftës deri tash. Përmend privatizimet e dyshimta e shkatërrimin e fabrikave që mund të përdorëshin me riparime eventuale.
“Ne i kemi pasur fabrikat që kanë prodhu për neve, sot si kemi – jo që i kemi oprivatizu por I kemi falë. Makinat moderne se tash u bë vec me kyc kompjuterin, qajo makinë vec me kompjeterizu ka qenë supër modere. Psh amortizatorët edhe çmimi qysh paguhen për amortizatorët është qesharak se vetëm sipërfaqe të tokës ka pasur më shumë. Qysh u falë KEDS-I, u shit 26 milionë, po 17-18 milionë i ka marrë edhe parat brenda që janë kanë në arkë, do të thotë është falë. Dhe kur bëhen këto kontrata të dobëta, mashtruese automatikisht bazohet dyshimi se dikush ka ngjy në pestil – unë jo dhe po më doket as ti jo. Skemi ngjy asnjëri, por dikush i joni brenda e na nuk kemi me ia bo me gisht askujt, unë spo them me ia nxjerr syrin kerkujt, spo them me vra kërkon”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës ‘Konsumatori’.
Albin Kurti në fundin e viti të kaluar kishte folur për rezervën shtetërore. Për mbushjen e saj me produkte bujqësore. Deri tash nuk dihet se çka ka ndodhur me të. Nuk e dinë as zyrtarët e votuar për ta mbikëqyrur Qeverinë.
“Jo nuk asnjë raportim zyrtar për rezervat dhe konsiderojë që është keq qeveria me këtë punë, konsiderojë që qeveria deri tash as që e ka ditë mirë legjislacionin as depot ku I ka, as rezervat sa I ka, konsiderojë që është duke u tregu jo e sinqertë në këtë relacion me qytetarin dhe institucionin e shtetit përgjegjëse që e ka obligim me raportu”, ka thënë Shala i PDK-së.
A do të njihet Qeveria Kurti si qeveri e Subvencioneve?
Ca miliona në këtë nismë, e ca miliona të tjera në një nismë tjetër. Disa miliona në subvencionim rrymës e të tjera në skema sociale. Qeveria aktuale në këtë kohë krize ka pasur disa vendime që kryesisht lidheshin me fjalën ‘subvencion’. Deputeti që drejton me komisionin e thirrur për ta mbikëqyrur Qeverinë në fushën e ekonomisë, e sheh si formë problematike të funksionimit të Qeverisë këtë formë.
“Ekonomia nuk mbahet me subvencione, ekonomia mbahet me planifikim afatshkurta, afatmesëm me planifikim strategjik, me investime strategjike, me legjislacion të mirë. Ne duhet të kemi përmirësim të legjislacionit, veprim të shpejt konform ligjeve që e don koha, momenti, e don kriza ne nuk shohim asnjë akt juridik që përshtatet me rrethanat ne shohim vetëm veprime ad hoc duke shpërnda buxhetin, në anë tjetër janë varfëru deri në skajshmëri projektet kapitale, zhvillimore të qëndrueshme pra këtu është disproporcioni edhe logjik edhe ekonomik i vendit”.
“Ne mund ta mbajmë edhe një vit me subvencione, ta harxhojmë atë buxhet që e kemi miratu çka në vitin e ardhshëm. Çka kemi marrë kthim, ku është shkalla e kthimit nga këto investime. Asnjë – zero e kemi. Pastaj cka është me e keqja, kemi shpresu që kemi rritje ekonomike skemi rritje ekonomike derisa ska prodhim vendor, ska investim në kapitale pra…”, ka deklaru Shala.
Ai ka folur edhe për mungesën e investimeve kapitale që mund të prodhonin rritje të vërtetë ekonomike dhe jo vetëm statistika më të mira, por ka folur edhe për një problem serioz që ka bllokuar projektet e kompanive kosovare, mos emërimi i Bordit të Gjykatës së Tenderëve. Për këtë rast ai shpalos dyshime që madje edhe emrat që janë duke u dërguar në Kuvend nga Qeveria janë si dikur në aferën “Dosja e Shefave”, ‘që hiç s’kanë konkurruar’.
“Informacionet përafërta janë se janë mbi 200 milionë euro të bllokuara për shkak të mos krijimit të një bordi, ose vendosjes së një bordi të OSHP-së i cili do të ishte mundësi ti dinamizonte këto lëndë që para të ishin të kompanitë ndërtimore, infrastrukturore ose shërbyese dhe 200 milionë euro sot me ia dhënë bizneseve privat ato nuk shkojnë krejt në një konto po shkojnë në një konto të mijëra punëtorëve pastaj zingjiri i fitimit është shumë më i madh se janë materiale të ndërtimit, janë materiale të mirëmbajtjes janë makineritë, transportet kështu që kjo është punë që janë investime kapitale dhe do të fitonimi një infrastrukturë, një objekt, do të shihnim diçka ne kemi stanguar ekstrem”, u shpreh ai.
“Ekstrem kemi stangu në të gjitha projektet infrastrukturore”, e rithekson Ferat Shala.
“Edhe këtë që e ka propozu janë të paligjshëm, thatë edhe njëra nga ju mediat që anëtarët e bordit të OSHP-së as që kanë apliku, ky është skandali tjetër më i madh. Njerëz që as që kanë apliku, ju kujtohen ato aferat që na i adresoheshin ne, merrni tash. Shihni, ku i ka gjetur ata njerë, ku i ka marrë, a I kanë dosjet e kompletuara pse po i bien ata njerëz. Pra defektet janë shumë të mëdha, kemi një përsëritje të retorikës dhe asgjë më shumë sa I përket çështjes ekonomike, direkte”, potencon ai.
Selatin Kaçaniku, që ka dy dekada që merret me avokim për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve thotë që rritja e çmimeve që po ndodh tash ishte paralajmëruar. Ishte paralajmëruar publikisht shumë kohë më parë. Javë më parë edhe InDoks dokumentarin “Krejt dhe Shtrenjtë”, ku ekspertë të ekonomisë, ende pa nisur lufta në Ukrainë alarmonin për rrezik të rritjes së çmimeve e madje edhe mungesë mallrash. A e mori kë seriozisht Qeveria? Apo vazhdoi që të Kryeministri të merrej me akuza për ish-qeveritë?
“Çka mund të bëjmë së bashku”
“Edhe mbrëmë e thashë nuk mundet qeveria me bë zgjedhje pa ne. As ne nuk mundemi pa qeverinë. Ne duhet me u bë bashkë, duhet me pas interaktivitet – qekjo qeveri nuk ka dëshmu, qekjo qeveri që shumë ka bë zhurmë për interaktivitet kjo më së paku ka interaktivitet me popull, me qytetarët konsumatorë. E injoron, as që e përmend emrin konsumator, a e ki dëgju najherë ndonjë qeveri që e ka përmend emrin konsumator…”, theksoi ai.
“Hajde tash na te shohim me këtë serbishten e re se “What we can do together?”, ska më qeveri autokrike”.
“Është koha që ne të kemi derivate e mos ta pyesim sa çmimi dhe prapë po e them këtë fjalë. Me rëndësi shteti i Kosovës mos me mbetë pa karburante. Ky rrezik është në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi, Greqi çdo kund importuesit tonë janë duke e bërë maksimumin që të mos mbesim pa import të derivateve të naftës”, deklaroi Berjani.
Shala kërkon nga qeveria përgjegjësi që këtë e tutje të tentojë t’i parandalojë këto kriza. Por, jo siç thotë ai me ‘filozofi të thata’.
“Është përgjegjësi direkt e Qeverisë edhe këto situate me i parapa, me i parandjeh, me i parandalu pa ato nuk bëhen me filozofi e teori të thata ato bëhen me veprime konkrete dhe me plane, bëhen duke e ngrit dorën institucionale, zhvillimore në drejtim të qytetarëve, ato bëhen duke e ruajt konsumatorin, taksapaguesin – pra nuk kemi me zbulu kurgjo, veç kemi me i marrë 3-4 modele të mira që nuk dimë vet dhe me i përshtat me rrethanat dhe kushtet tona. Pra nëse nuk kemi ide spo them me kopju, por me adaptu ide të përshtatshme të rajonit, të Evropës, të shteteve tjera”, kërkoi ai.
Çmimet në tregun kosovar janë duke u shtrenjtuar me ndryshime radikale nganjëherë nga dita në ditë. Pritet të shihet veprimet e qeverisë karshi kësaj dhe të tjera krizave të mundshme.
/GazetaInsajderi