×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ejupi synon FFK-në, nuk do të kandidohet më për president të FC Prishtinës

    Insajderi
    15 February 2022 - 10:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Remzi Ejupi ka vendosur që të mos vazhdojë më si president i FC Prishtinës.

    Ejupi për dy dekada e drejtoi me shumë sukses FC Prishtinën. 

    Por, Ejupi thotë se rrugëtimit të përbashkët 18-vjeçar me Prishtinën i ka ardhur fundi.

    Ejupi ka paralajmëruar se shpejt do të mbahet kuvendi zgjedhor i klubit dhe se ai nuk do të jetë kandidat për një mandat të ri.

    “Nuk synoj të jem kandidat, pasi kam kontribuar mjaft. Janë edhe aksionarët e tjerë. Unë do ta mbështes klubin. Unë nuk do të synoj të jem president i klubit. Do të mbetem te Prishtina, por si mbështetës financiar, ashtu edhe moral. President jam deri në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Remzi Ejupi për Zëri.info.

    “Do t’ua hapi rrugën aksionarëve të tjerë, ka mjaft aty edhe të aftë, edhe të fuqishëm financiarisht. Njëri prej tyre është Rrahman Haradini, që kohën e fundit ka kontribuar. Në krizën më të madhe ka ardhur dhe ka dhënë kontributin e tij në klub. I jemi mirënjohës shumë për kontributin. Besoj se derisa të rregullojmë çështjet financiare, shumë shpejt do ta kemi një kuvend zgjedhor. Para verës do të ketë zgjedhje te klubi. Prishtina e ka një krizë si duket, por do të tejkalohet. Kanë edhe ekipet më të mëdha kriza. Unë mendoj se kam dhënë mjaftueshëm, kam dhënë kontribut deri tash. Tash besoj se ka me energji më të madhe”, ka theksuar Ejupi.

    Ejupi thotë se si mbështetjen financiare e ka bërë për të mirën e futbollit.

    “Duhet të ndërrojnë shumë gjëra edhe për të huajt që luajnë në Kosovë. Ne dolëm kampion, shkuam në Evropë katër vjet rresht dhe kemi parë se sa larg mund të shkojmë. Por, ne duhet të fokusohemi te të rinjtë, pasi më shumë kemi shpenzuar se që kemi fituar”.

    Kontribut thotë se ka për Ligjin për Sport dhe Ligjin për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ai thotë se ka çka t’i japë ende futbollit. Por, në një pozitë tjetër – si president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

    “Nëse komuniteti i futbollit, klubet, më kërkojnë që unë të jem në atë pozicion, pse jo. Ata që më njohin, e dinë kontributin tim. Mendoj se mund të bëj shumë ndryshime në interes të futbollit, klubeve e jo në interes të grupacioneve apo interesit personal”, ka thënë Ejupi.

    Ejupit vetëm muajin e kaluar i mbaroi suspendimi njëvjeçar nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ai ishte dënuar me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të klubit nga FFK-ja për deklarata në medie. 

    “Mënyra se si është duke u zhvilluar futbollli në Kosovë lë për të dëshiruar. Aty ka njerëz dhe gjenerata të mrekullueshme, por mendoj që edhe aty ka njerëz që janë tash e 20-30 vjet në futboll dhe mendoj duhet t’i japim hapësirë pasi kemi njerëz mjaft. Prishtina gjithmonë është munduar të sjellë njerëz të futbollit, duke filluar nga Fadil Muriqi, Fadil Vokrri, Kujtim Shala, Skender Shengyli e shumë të tjerë. Futbolli i Kosovës është jashtëzakonisht në krizë. Pandemia në Kosovës është qe 20 vjet sa u përket mbështetjes financiare dhe shikueshmërisë”, ka theksuar Ejupi.

    Ai e ka edhe një sugjerim për klubet.

    “Klubet duhet të mblidhen dhe të vendosen kriteret për kuvend parazgjedhor dhe t’i vendosin kriteret se kush ka drejtë të jetë kandidat. Ka ardhur koha që të rregullohet futbolli i Kosovës. Shpresojmë që klubet të mblidhen dhe të mos ndajnë nënshkrime kot poshtë e lartë. Po nisem prej vetes, ndoshta unë si i dënuar që kam qenë, ndoshta s’kam të drejtë të jem kandidat. U bëj apel klubeve që të mos nguten të japin nënshkrime”, ka thënë Ejupi, duke iu referuar aktakuzës ndaj presidentit të FFK-së, Agim Ademi, që nuk ka të bëjë me sport.

    Ejupi në krye të Prishtinës është prej vitit 2004. Nën udhëheqjen e tij, Prishtina ka fituar gjashtë tituj të kampionit, pesë Kupa dhe pesë vjet ka garuar në Evropë. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark