Insajderi
Hulumtime/Analiza

Ekskluzive | Çka thuhet ne dosjen e Prokurorisë per aferën milionëshe në BKS

Insajderi
09 January 2026 - 18:31
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ekskluzive | Çka thuhet ne dosjen e Prokurorisë per aferën milionëshe në BKS
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndaj katër të pandehurve që u arrestuan dje gjatë bastisjeve në të gjithë vendin si pjesë e një hetimi kundër dy ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilët dyshohen për keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.,

Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.

Prokuroria tha se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.

Prokurorët i kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve.

Çka thuhet ne dosjen e Prokurorisë?

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave dhe Kontabilitetit, Valon Berisha, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur autorizimet e tyre duke miratuar qindra transfere bankare të pajustifikuara nga llogaria e BKS-së.

Pagesat janë realizuar gjatë periudhës korrik 2022 – tetor 2023, pa dokumentacion përkatës, shpesh në emër të kompensimit të dëmeve nga aksidente trafiku, edhe pse palët përfituese kishin qenë paraprakisht të kompensuara.

Skema e mashtrimit: “Ujdi fiktive” për aksidente të vjetra

Sipas dosjes që ka siguruar Gazeta Insajderi, dyshja Mazreku-Berisha,, kanë miratuar dhjetëra transaksione. Metoda kryesore e përdorur ishte lidhja e “ujdive fiktive jashtëgjyqësore” për kompensim dëmesh nga aksidente komunikacioni që kishin ndodhur vite më parë.

Në shumë raste, personat që supozohej se po kompensoheshin ishin paguar më parë nga BKS-ja, por llogaritë bankare ku transferoheshin paratë të bashkëpandehurve të tjerë, të cilët shërbenin si “ndihmës” në këtë skemë.

“Me datë 5 korrik 2022, në Prishtinë, me dashje, në bashkëveprim përpilojnë dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzim të atij dokument si origjinal, në atë mënyrë që i pandehuri Valon Berisha si përfaqësues i të dëmtuarës Byroja Kosovare e Sigurimit dhe i pandehuri Agon Bardhi në cilësinë si i autorizuari për palën e dëmtuar Gjon Palokaj, kanë nënshkruar dhe vulosur ujdi fiktive jashtëgjyqësore përmes së cilës e dëmtuara BKS ka marrë përsipër që palën e dëmtuar Gjon Palokaj ta kompensojë në shumë prej 7,961.00 Euro, për shkak të aksidenti të trafikut të datës 24.12.2017 dhe atë përmes llogarisë bankare të të pandehurit Agon Bardhi, edhe pse personi Gjon Palokaj paraprakisht ishte kompensuar për aksidentin në fjalë“, është një nga rastet që përmendet në dosje.

Mbi 1 milion euro dëm

Vlera totale e transaksioneve të pajustifikuara arrin në 1,043,284.00 Euro. Këto mjete dyshohet se janë transferuar përmes marrëveshjeve fiktive dhe në disa raste edhe pa asnjë bazë ligjore, duke u shpërndarë te një rrjet i gjerë prej rreth 40 personash të përfshirë.

Në shumë raste, mjetet financiare janë transferuar në llogaritë e personave të tretë, të cilët dyshohet se kanë shërbyer si përfaqësues fiktivë të palëve të dëmtuara.

Prokuroria thekson se vetëm përmes këtyre veprimeve i është shkaktuar dëm material i madh BKS-së, ndërsa shumat e veçanta të transfereve variojnë nga disa mijëra deri në mbi 12 mijë euro për pagesë individuale, me qindra transaksione të regjistruara në dosje.

Në dosjen e siguruar nga Insajderi përmendet edhe Reforma” SH.P.K., si dhe e personit përgjegjës të kësaj kompanie, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në keqpërdorimin e besimit përmes skemës së pagesave të dyshimta.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për disa nga të pandehurit, duke vlerësuar se ekziston rrezik i ndikimit në dëshmitarë, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.

Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për një seri skandalesh që lidhen me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), derisa ajo po drejtohej nga i arrestuari i fundit, Sami Mazreku. Ky i fundit është i përjashtuar me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për 5 vite nga industria e sigurimeve, por kjo nuk e ka penguar atë t’i kthehet biznesit privat.

Sami Mazreku ishte larguar nga BKS-ja me dorëheqje, por shumë shpejt gjeti rrugën drejt bizneseve të reja.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark