Trajneri shqiptar Ilir Daja debutoi me fitore në debutimin në bankinën e Ballkanit. Ballkani eliminoi Malishevën në Kupën e Kosovës për t’u kualifikuar në çerekfinale, duke e mposhtur me rezultatin 1:0, shkruan Insporti.com.
Ndonëse e nisi me fitore, për trajnerin Daja u shfaq një problem në ditën e ndeshjes.
Burimet e Insportit afër klubit nga Suhareka, bëjnë të ditur se sulmuesi Theophilus Solomon i krijoi kokëçarje Dajës për shkak se u vonua disa minuta në ditën e ndeshjes.
Këto burim konfirmojnë se Daja në momentin që Solomon u paraqit, ai i tregoi se nuk do të jetë në listën prej 18-futbollistëve dhe e dërgoi në tribuna.
Emri i Solomon nuk figuroi në njoftimin e klubit në listën zyrtare të futbollistëve për ndeshjen me Malishevën.
Redaksia e Insportit ka kontaktuar me trajnerin Daja për të pyetur rreth kësaj situate, por përgjigjet e tij tregojnë përvojën e madhe që ka ai.
“Ne e konsiderojmë veten si një familje e madhe këtu te Ballkani. Dhe jo çdo situate mund ta prezantojmë ne media kur behet fjale për një nga anëtarët e familjes se futbollit”, deklaroi Daja për Insportin.
Po ashtu, klubi i Ballkanit nuk bërë ndonjë njoftim se Solomon është lënduar apo për të sqaruar mungesën e tij. Ai ishte në stërvitjet përgatitëse për ndeshjen e Kupës, pasi shihet edhe në fotografitë e publikuara nga ana e tyre.
Megjithatë, mungesa e Solomonit nuk është se edhe u pa shumë pasi golin e fitores e shënoi sulmuesi Albion Rrahmani. Rrahmani i shënoi gol ish-skuadrës së tij në minutën e 79.
Daja njihet si një trajner me rregulla rigoroze dhe se nuk thyen parimet e tij. Kështu veproi edhe në klubin shqiptar, Partizani.
Ai edhe pse kishte të bënte punë me ish-reprezentuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Ergys Kaçe, nuk lejoi që ai të ishte mbi klubin apo mbi të, ndonëse Kaçe ishte transferuar me një pagë marramendëse.
Mbetet të shihet se sa do të zgjasë “dora e hekurt” e Dajës me Solomonin, pasi në fundjavë Ballkani do të jetë mysafirë i Dukagjinit të Klinës në kuadër të BKT Superligës së Kosovës.
Ballkani renditet në pozitën e tretë me 33 pikë, dy pikë më pak se sa lideri SC Gjilani. /Insporti.com/