Gazeta Insajderi merr vesh që në seancën e sotme ndaj dy të dyshuarve për spiunazh është kërkuar që procedura të konsiderohet si siguri nacionale- rrjedhimisht pjesa e informacioneve do mbesin jashtë domenit publik.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit Gazeta Insajderi merr vesh se nuk janë dhënë shumë detaje nga Gjykata.
Derisa në publik kanë rrjedh informacione se të dyshuarit mund të kenë nis fushata me qëllim të dëmtimit të interesit nacional te njëjtat, nuk janë përfshire në dosjen e prokurorisë dorëzuar gjykatës.
Krejt çka prokuroria ka deponuar është një dokument tre faqesh ku ka arsyetuar se lenia në liri e të dyshuarve mund ta prish gjykimin provat dhe të ndikoje në dëshmitar- të cilët nuk janë përmendur.
Insajderi merr vesh se Bedri Shabani ka qenë nën masën e përgjimit dhe vëzhgimit që nga tetori 2023 ndërsa zgjerimi hetimeve ku është përfshire Muharrem Qerimi ka ndodhur dy muaj më vonë.
Ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të dyshuar për spiunazh Insajderi mëson se është caktuar masa paraburgimit.
Policia e Kosovës ka arrestuar përgjatë ditës së djeshme Qerimin dhe Shabanin, të dyshuar për spiunazh. Gjegjësisht bashkëpunim me BIA’n serbe.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se kundër të pandehurve: B.Sh. dhe M.Q. ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit, Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: Spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.