×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Ekskluzive: Hetimi parlamentar për skandalet në energji, Insajderi sjell raportin

    Insajderi
    20 April 2023 - 12:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në dhjetor të vitit të kaluar është publikuar raporti i Komisionit Hetimor në lidhje menaxhimin e krizave energjetike.

    Komisioni përbëhej nga Driton Selmanaj si kryesues, Ferat Shala si zv.kryesues dhe Artan Abrashi, Enver Haliti, Jeta Statovci, Mimoza Kusari-Lila, Eliza Hoxha, Besian Mustafa, Adem Hoxha, Pal Lekaj e Fridon Lala, si anëtarë.

    Gazeta Insajderi e ka siguruar këtë raport nga i cili kanë dalë gjashtë gjetje kryesore.

    Gjetja e parë, sipas Komisionit është kjo: Mungesa e zgjedhjes së anëtareve dhe kryesuesit të bordit të ZRRE-së, nga 2020 – deri në gusht 2021, ka ndikuar drejtpërdrejt që ky autoritet qendror rregullator për sektorin e energjisë të jetë jo funksional dhe pa mundësi vendim-marrje. Vonesa e zgjedhjes së anëtareve të bordit në anën tjetër ka shkaktuar mbingarkesë të çështjeve të cilat është dashur të vendosën nga bordi. Kjo gjithsesi ka krijuar efektin domino në gjithë sistemin energjetik të vendit, duke pamundësuar parashikueshmërinë dhe ndërmarrjen e masave të përshtatshme për përballje me krizën energjetike e cila kishte treguar shenjat e para në qershor të 2021;

    Gjetja e dytë, sipas Komisionit është kjo: Përkundër udhëzimeve të ZRRE-së, drejtuar të gjithë subjekteve energjetike të cilat bëjnë tregtim të energjisë elektrike, që të ndërprenë tregtimin me tregtarët të energjisë elektrike të cilët janë të pa-licencuar në Republikën e Kosovës, KEK-u, ka vazhduar të bëjë tregtim të energjisë elektrike me këta tregtar;

    Gjetja e tretë, sipas Komisionit është kjo: KESCO SHA e themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumi Limak-Çalik, është kompani që ka mandatin e furnizuesit publik të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës. Në anën tjetër KEK SHA ka mision të krijojë prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike si prodhuesi më i madh në Kosovë. Për realizimin e funksionit të saj KEK SHA është i organizuar në dy Divizione qenësore (Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit). Ndarja e subvencionimit për KEK SHA në vlerë 30mil€ nga Qeveria e Kosovës për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, ka krijuar procedura të panevojshme administrative, për shkak se misioni i KEK SHA është krijimi i prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike, derisa furnizimi i energjisë elektrike kryhet nga KESCO SHA, kompani e cila ka mandatin e furnizuesit publik. Si rrjedhojë e procedurave të panevojshme administrative, KEK SHA vetëm pas 18 ditëve nga marrëveshja e parë me KESCO SHA (importimi i energjisë elektrike nga KEK SHA për KESCO SHA) është detyruar të lidhe marrëveshjen e dytë me KESCO SHA, sipas të cilës KESCO SHA ka importuar energjinë elektrike derisa KEK SHA nga fondet e ndara nga subvencioni i Qeverisë së Kosovës ka paguar diferencën në mes të çmimit të kontraktuar 90€/MËh dhe çmimit të realizuar nga importi. Megjithatë me Vendimin nr. 01/60 i datës 05 shkurt 2022, ndarja e mjeteve për 90mil€ për të ulur ndikimin e tarifave të energjisë te konsumatorët, ishte alokuar direkt për KESCO SHA;

    Gjetja e katërtë, sipas Komisionit është kjo: KEK SHA nuk ka ofruar informata për menaxhimin e fondeve te ndara nga subvencioni i energjisë për vlerën 7mil€;

    Gjetja e pestë, sipas Komisionit është kjo: Gjatë krahasimit të raportimit në mes të te dhënave nga KEK SHA në dokumentin (Raporti përmbledhës i importit të energjisë elektrike për periudhën 24 dhjetor 2021 deri në mars 2022) dhe të dhënave të ofruara nga KESCO SHA, në dokumentin (Importi_Tregtaret), është vërejtur diference në raportimin e importimit të energjisë elektrike për periudhën 12.01.2022–31.01.2022, në sasi 831MËh, ose për 186,456€. Diferenca e raportuar ishte brenda datave 23.01.2022 dhe 26.01.2022;

    Gjetja e gjashtë, sipas Komisionit është kjo: Ndërmarrja publike KOSTT SHA, si dhe kompanitë KESCO SHA dhe KEDS SHA në vitin 2021 kanë deklaruar humbje të mëdha në pasqyrat e tyre financiare. Humbjet e KOSTT SHA ishin 26.6mil€ të cilat kryesisht janë shkaktuar si rrjedhojë e humbjeve të energjisë në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok) pas anëtarësimit në ENTSO. Gjithashtu dy (2) kompanitë KESCO SHA dhe KEDS SHA (në cilësinë e furnizuesit publik të energjisë elektrike dhe shpërndarësit të energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit) kanë deklaruar humbje të larta në vitin 2021 në vlerë 46.4mil€, si dhe 36.8mil€ në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022. Humbjet e shkaktuara nga KESCO SHA dhe KEDS SHA kanë ndikuar dukshëm në rritjen e obligimeve ndaj dy (2) ndërmarrjeve publike në vend KOSTT SHA dhe KEK SHA. Obligimet e tyre ndaj dy kompanive të lartcekura nga 41.6mil€ sa ishin në fund të vitit 2020, ishin rritur në 153.8mil€ në maj të vitit 2022, ose janë rritur për 112.2mil€. Rritja e obligimeve rrezikon likuiditetin e kompanive që merren më manaxhimin e energjisë.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark