Punimet në fshatin Studime të Vushtrrisë në kuadër të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë janë ndërprerë. Kjo pasi që katër pronave që iu janë shpronësuar tokat tash e pesë vite nuk iu janë kompensuar financiarisht shuma e paraparë për shpronësim. Për këtë, pronarët e këtyre tokave në mënyrë demonstrative kanë kërkuar nga kompania punuese që të ndërprejnë punimet. Insajderi ju sjell detaje ekskluzive nga rasti:
“Plane të dobëta e përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata”. Kështu i kritikonte Kurti para disa ditësh qeveritë e mëhershme për zvarritjet e punëve në zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.
“Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta e përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata. Tash, me Qeverinë tonë, ne kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikëqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë angazhimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë”, thoshte Kurti decidivisht nga vendpunishtja, pas njoftimit për nënshkrim të kontratës me dy operatorë ekonomikë.
Mirëpo, jo gjithçka Qeverisë Kurti po i shkon sipas planit në ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka mbetur vetëm si projekt tash e më shumë se një dekadë.
Insajderi ka realizuar një hulumtim që tregon se katër prona të shpronësuara që nga 2019’a nuk janë kompensuar financiarisht nga ana e ministrisë së Infrastrukturës. Për këtë, ata ua kanë ndërprerë gërmimet kompanive fituese të tenderit për zgjerim të magjistrales. Saktësisht, në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Përfaqësuesi i familjes së katër pronave, Nurhan Rashica, ka thënë për Insajderin se s’iu është dhënë ndonjë afat kohor nga Ministria e Infrastrukturës për ekzekutimin e parave. Ai ka bërë të ditur se ka lëshuar pronën e tij për gërmim, mirëpo pronarët e tjerë të tokave në mënyrë demonstrative kanë kundërshtuar një gjë të tillë.
Përfaqësues të kompanisë punuese në atë pjesë kanë thënë prapa kamerave për Insajderin se kjo mund të çojë në zhagitjeve të punimeve.
Insajderi ka kontaktuar me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka thënë se s’është në dijeni për një gjë të tillë.
Për më shumë detaje, ndiqeni storien më poshtë: