Nuk është hera e parë që ndaj tij ushtrohet kallëzim penal. Por, këtë herë Prokuroria Themelore në Prizren e ka intervistuar si të dyshuar urologun Fatos Shukriu. Po hetohet për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, që rrezikon burgim deri në një vit.
Visar Duriqi
Doktor në spitalin e Prizrenit e Prizrenit e urolog në kilinikën private “Uromed”. Këto nuk janë informacionet e vetme që dalin nëse kërkon për urologun Fatos Shukriu.
Aty del edhe një rast i një dekade më parë ku ai ishte denoncuar, e ku familjari i një pacienti së paku, pretendonte për veprime penale nga ana e këtij doktori. E për veprime të jashtëligjshme tashmë ky doktor është futur nën hetime.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Me datë 21.02.2024 prokurori i rastit ka nxjerrë Aktvendim mbi fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarit F.SH., për shkak të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254, paragrafi 8, lidhur me paragrafin 4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Insajderin.
Nëse i njëjti gjendet fajtor për këto veprime, më së paku rrezikon burg deri në një vit.
Gazeta Insajderi e ka kontaktuar edhe urologun Shukriu, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur, njëjtë siç nuk është përgjigjur ende as Oda e mjekëve të Kosovës, nëse edhe ata po e kryejnë një hetim ndaj tij.
Prokuroria megjithatë ka kërkuar nga Oda një veprim.
“Me datë 24.01.2024 prokurori i rastit ka Urdhëruar Odën e Mjekëve të Kosovës që të formojnë Komision Multidisiplinar për të kryer ekspertizë lidhur me trajtimin mjekësor të të dëmtuarit F.K. Prokuroria, akoma nuk e ka pranuar raportin nga Oda e Mjekëve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Insajderit.
Edhe pse nuk ka pranuar, ende, që të prononcohet për Insajderin, urologu Fatos Shukriu është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
“Prokurori i rastit me datë 23.01.2024 ka autorizuar Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me këtë, Dr. Fatos Shukriu është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen dhën Insajderi nga Prokuroria në Prizren dhe ku bëhet me dije se më 6 shkurt të këtij viti prokurori i rastit ka kërkuar nga Spitali Rajonal në Prizren kopjen e historiatit mbi trajtimin mjekësor të tani të ndjerit F.K.
Në një intervistë dhënë Insajderit nga i biri i pacientit F.K., Bekim Krasniqi bëhet me dije se familja ka kërkuar që të bëhet edhe autopsia, por një gjë e tillë ende nuk është autorizuar nga Prokuroria.
“…sa i përket autopsisë, ajo mund të kryhet në vijim gjatë procedurës së hetimeve”, i ka thënë Insajderi zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Fitore Mehemti, duke shtuar se Prokuroria Themelore në Prizren është duke e trajtuar me prioritet dhe profesionalizëm rastin në fjalë, dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të rastit.
Për çka u denoncua urologu Shukriu?- Rrëfimi i djalit të pacientit
Mbi një dekadë më parë emri i urologut Fatos Shukriu ishte përmendur në media pikërisht për shkak ytë një kallëzimi penal në Prokurori. Edhe atëherë një pacient ankohej se operacioni zgjati më shumë se që u planifikua. Që puna që duhej bërë aty, nuk u bë. Që mjeku Dr. Shkriu nuk i njoftoi paraprakisht për komplikimet e mundshme.
Një histori të gjasshëm 10 vite më vonë e rrëfen për Insajderin edhe Bekim Krasniqi, i biri i pacientit F.K. që thotë se u operua nga urologu Shukriu.
Ai në këtë rrëfim të gjatë dhënë gazetës Insajderi, pasi që veçse kishte deponuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prizrenit, ka thënë që mjeku në fjalë nuk iu tregoi për komplikimet që mund të ndodhnin. Operacioni zgjati afro 7 orë, derisa pritje që të zgjaste maksimumi një orë e gjysmë.
Në këtë rrëfim ai ka treguar se veprimi i qëllimshëm, sipas tij, që dëmtoi babnë e tij në operacion në dorën e urologut Shukriu ishte fakti që dy mjekë të tjerë, një i mushkërive dhe një i zemrës, kishin dhënë rekomandim me shkrim që pacienti nuk duhej të futej në anestezion të plotë.
“Doktori Fatos Shukriu megjithatë vendosi për anestezion të plotë”, thotë në këtë intervistë dhënë Insajderit i biri i pacientit F.K.
Ai ka treguar në këtë rrëfim që komplikimet që rrodhën pastaj prej operimit ishin të asaj natyre që nuk kishin qenë para se të operohej dhe ku më e dukshmja ishte gjakderdhja gjatë urinimit, dhe probleme me organet e frymëmarrjes.
Saga e tij kishte vazhduar për më shumë se një vit, duke kërkuar ndihmë pastaj edhe në Beograd e Gjermani. Në Beogradi bile, thotë se me dokument, i kanë thënë që për shkak të gjendjes pas operimit, edhe pse vuante nga tumori, nuk mund ti jepnin as imuno-terapinë.
Sipas këtij rrëfimit, që e ka përshkruar edhe në kallëzim penal dhe dokumentet shtesë që i ka deponuar në Prokurori, disa javë para se të vdiste pacienti F.K. është dashur disa herë që të dërgohej në emergjencë me komplikime që ai pretendon se ishin si pasojë e operacionit të bërë nga urologu Fatos Shukriu.
Bashkë me dokumentet mjekësore, ai ka deponuar edhe incizime mbi përmbajtjen e të cilave ka dhënë detaje në rrëfimin dhënë Insajderit.
Intervistën e plotë mund ta shihni këtu:
Derisa hetimi po vazhdon, Insajderi e ka kontaktuar urologun Fatos Shukriu, në numrin që ai e ka publik në klinikën Ordinanca Urologjike “Uromed”, por u njëjti nuk ka dhënë ndonjë koment deri tash.
As Oda e mjekëve nuk ka komentuar nëse po zhvillon ndonjë procedurë kundër mjekut Shukriu. /Insajderi.org/