×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ekskluzive: Prapaskenat e transferimit të Muharrem Jasharit në FC Drita

    Insajderi
    17 June 2021 - 12:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Muharrem Jashari të mërkurën mbrëma kompletoi transferimin e tij në KF Drita të Gjilanit. Transferimi i ish kapitenit të Trepçës ’89 ishte më i komplikuari ndër vitesh për shkak të interesimit të madh të klubeve shqiptare nga Superliga e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Drita nuk ishte zgjedhja e parë e Jasharit, pasi ai kishte zgjedhur SC Gjilanin për ta vazhduar karrierën.

    Insporti përmes këtij artikulli do të shpjegojë gjithë kronologjinë e transferimit të Jasharit, që ishte një ndër sagat më të mëdha në vitet e fundit në futbollin vendor.

    Mesfushori i talentuar pas rënies së ’89-shit në Ligën e Parë, e ardhmja e tij ishte larg “Riza Lushtës”.

    Në garë për shërbimet e tij ishin tre klube, SC Gjilani, KF Drita dhe Dinamo e Tiranës.

    Klubi i parë që fitoi “zemrën” e Jasharit ishte SC Gjilani, pasi edhe ishte arritur marrëveshja me presidentin e Trepçës ’89, Abedin Zeka. Në fillim ishte marrëveshje vetëm në parim, pasi çmimi i vendosur nga Zeka për kartonin e Jasharit ishte 100 mijë euro.

    Gjatë kësaj periudhe, në garë futet edhe klubi i madh shqiptar, Dinamo e Tiranës por për shkak të afërsisë dhe familjes, Jashari refuzoi ofertën ish kampionit shqiptar.

    Muharrem Jashari, Trepça’89

    Me shtatë qershor, Gjilani gjeti akordin me presidentin e ’89-shit, Abedin Zeka. Zeka dhe kryesia e klubit gjilanas u pajtuan që transferimi të kompletohej për shumën e 50 mijë eurove, disa ditë pasi kishin vendosur çmimin për 50 mijë euro më shumë.

    12 qershor, dita e pagesës – pesë ditë më vonë pasi ishte arritur marrëveshje për transferimin e Jasharit

    Më shtatë qershor u dha drita e gjelbër që transferimi të kompletohej, zyrtarët e SC Gjilanit morën hapat e parë drejt përfundimi të kësaj çështje.

    Saktësisht më 12 qershor kanë transferuar 50 mijë euro në xhirollogarinë e ’89-shit. Pasi bëhet pagesa, transferimi i Jasharit merr një kthesë të pa pritur.

    Përfaqësuesit e SC Gjilanit i dorëzuan 50,000 euro, kryetarit Zeka, por futbollisti ndryshoi qëndrim. Pasi i kishte zgjatur dorën klubit të bardhë e kuq, ai ndryshoi mendjen duke vendosur për rivalin e përbetuar, KF Drita. Kjo edhe për shkak të presionit që i bënin disa zyrtarë të klubit gjatë qëndrimit të tij në Turqi, me Përfaqësuesen e Kosovës.

    Kthimi nga Turqia dhe bashkimi me skuadrën e Dritës

    Me të dale në aeroport, ai iu bashkua delegacionit të Dritës, ndërkohë që Zeka tentoi t’ua kthente paratë klubit të SC Gjilanit.

    Situata ishte tejet e tensionuar, derisa klubi i Gjilanit ndihet i tradhtuar së pari nga futbollisti për ndryshimin e qëndrimit dhe pastaj nga Abedin Zeka, i cili gjithashtu ndryshoi disa herë qëndrimet.

    Muharrem Jashari i është bashkuar Dritës për shifrën e 72 mijë eurove në sezon, teksa gjilanasit do t’i paguajnë Trepçës ‘89 nga 20 mijë euro për çdo rund të kaluar në garat evropiane.

    Insporti po ashtu mëson se Jashari ka pasur edhe një kontratë me klubin e Prishtinës, por që skuadra kampione e Kosovës nuk ka vendosur për transferimin e tij. Jashari sezonin e kaluar i ishte bashkuar Prishtinës për fazën përgatitore para ndeshjeve evropiane, por që në fund ishte rikthyer në skuadrën ku është rritur si futbollist.

    Drita këtë sezon do të marrë pjesë në kualifikimet e Konferencë Ligës.

    Mesfushori, 23 vjeçar, sezonin e kaluar zhvilloi 33 ndeshje për ish kampionin e Kosovës në kuadër të Superligës.

    Jashari ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor

    Nga 33 paraqitjet, ai ka shënuar tri gola dhe dy asiste, ndërsa ka bërë edhe dy paraqitje në kuadër të Kupës së Kosovës. /Insporti.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Sport
    23 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark