×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ekskluzive – Presidentja dhe vartësit e saj për katër ditë shpenzuan 19 mijë e 512 euro në SHBA

    Insajderi
    14 October 2022 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe katër vartës të saj kanë harxhuar 19 mijë e 512 euro në vizitën e korrikut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta Insajderi sjell ekskluzivisht detajet e këtyre shpenzimeve të lejuara tek pas dy muajve nga Presidenca, vetëm pas urdhrit që e mori nga Agjencia për Informim, më 6 tetor 2022.

    E para e vendit s’i ka marrë mëditjet për vizitën zyrtare që e ka realizuar në fund të korrikut në tokën përtej Atlantikut.

    Osmani-Sadriu edhe kësaj radhe i ka shpenzuar paratë e buxhetit vetëm për biletën e udhëtimit, dhe akomodimin në Amerikë.

    Për rrugën nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u prit nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, presidentja kosovar ka paguar 2 mijë e 707 euro.

    Derisa për akomodimin, nga data 25 kur e ka shkelur Amerikën, dhe deri më 29 korrik kur e ka lënë shtetin e Joe Biden, presidentja ka shpenzuar 1 mijë e 833 euro.

    Kështu, Osmani-Sadriu nga buxheti i shteti gjithsej ka harxhuar 4.540.69, derisa në kategorinë dreka/darka, apo edhe të tjera, nuk ka shpenzuar asnjë cent.

    Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu duke u përshëndetur me Sekretarin Antony Blinken | Foto: Vjosa Osmani-Sadriu, Facebook

    Të dhënat ekskluzive janë siguruar nga Gazeta Insajderi përmes kërkesës për qasje në Dokumente Publike, në Zyrën e Presidentes.

    Të njëjtat i janë lejuara Gazetës Insajderi tek pas dy muajve, vetëm pas urdhrit që Agjencia për Informim ia bëri Presidencës më 6 tetor 2022.

    Sa harxhoi shefi i Stafit të Presidencës, dhe të tjerët

    Shefi i Stafit të Presidencës, Blerim Vela, gjatë udhëtimit të tij katër ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shpenzuar pak më pak se shefja i tij.

    Nga arka e shtetit ai ka harxhuar 3 mijë e 827 euro, zbulon Gazeta Insajderi, pas kërkesës për qasje në Dokumente Publike.

    Edhe Vela sikur Osmani-Sadriu nuk ka shpenzuar për dreka/darka, apo edhe çështje të tjera.

    Blerim Vela, i pari nga ana e majtë e presidentes Vjosa Osmani-Sadriu gjatë takimit që shefja e tij pati me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe kryeministrin Albin Kurti | Foto: Vjosa Osmani-Sadriu, Facebook

    Për çështje të tjera nuk ka shpenzuar as Donjeta Miftari, këshilltarja kryesore për Komunikim.

    Asaj akomodimi gjatë udhëtimit të fund-korrikut në Amerikë i ka kushtuar 1 mijë e 235 euro, ndërsa bileta e aeroplanit 2197.

    Në këtë kategori sipas të dhënave të lëshuar pas dy muajve nga Zyra e Presidentes për Gazetën Insajderi, Learta Hollaj, këshilltarja kryesore për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Partneritet, ka shpenzuar 2 mijë e 612 euro.

    Për akomodim ajo i ka harxhuar edhe 1 mijë e 249 euro të tjera.

    14 euro më pak sesa kolegia e tij, i ka shpenzuar për akomodim fotografi i presidentes, Gerolld Nikoliq, derisa bileta i ka kushtuar 2 mijë e 612 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vjosa Osmani-Sadriu dhe stafi i saj të ulur nga ana e majtë e presidentes | Foto: Vjosa Osmani-Sadriu, Facebook

    Çfarë mesazhe sollën presidentja bashkë me kryeministrin nga SHBA?

    Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, patën thënë se gjatë vizitës së tyre të korrikut në Shtetet e Bashkuara është rikonfirmuar mbështetja e Uashingtonit për Kosovën, si në fushën e ekonomisë, por edhe të integrimeve evropiane.

    Osmani dhe Kurti qëndruan për katër ditë në SHBA, ku u takuan me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje në vlerë prej mbi 200 milionë dollarësh me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

    Vjosa Osmani-Sadriu, Antony Blinken, Albin Kurti | Foto: Vjosa Osmani-Sadriu, Facebook

    Pas kthimit në Kosovë, në një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”, Osmani tha se në takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimi që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.

    “Në këtë temë është tejet me rëndësi që sërish është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që asesi nuk shtyjnë përpara një zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani, më 30 korrik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryeministri Kurti tha se takimi me sekretarin Blinken ishte i “veçantë” dhe i “dobishëm” për Kosovën. Duke folur për dialogun, ai tha se Prishtina dhe Uashingtoni pajtohen se si duhet të përmbyllet procesi.

    “Dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri ne pajtohemi plotësisht me SHBA-në. E ajo është: marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti, më 30 korrik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Edhe për shpenzimet e këtij të fundit pati raportuar Gazeta Insajderi në gusht.

    Ai dhe dy vartësit të tij kishin harxhuar 12 mijë e 663 euro gjatë vizitës që kishin realizuar në korrik, në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

    Derisa në vizitën e tij 16 ditëshe që e pati bërë në maj të këtij viti, Kurti dhe pesë pjesëtarë të stafit të tij kishin shpenzuar afro 37 mijë euro nga buxheti i shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark