×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Eksperti evropian: Lidhja e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin ka pasoja të rënda

    Insajderi
    05 May 2024 - 08:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre.

    Gjithashtu, Knaus përmend faktin se në Evropë në 30 vitet e fundit ka qenë zonë lufte në vendet e Ballkanit, dhe thotë se duhet ta zgjerojnë zonën e paqes për këtë është më rëndësi që edhe Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    “Duhet të argumentojmë për këtë gjë, është çështje lufte ose paqeje. Nëse e sheh Evropën, nëse i shikon 50 shtetet që i kemi sot në Evropë, atëherë secili shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo në NATO, ka patur konflikt në 30 vitet e fundit. Luftë, kolaps të shtetit si në rastin e Shqipërisë gjatë viteve të ’90, represion të shkallës së gjerë, si në Bjellorusi, ose luftë, luftë civile dhe pushtim. Secili shtet, përveç Mali të Zi, ka patur luftë në territorin e vet. Kemi një zonë lufte dhe një zonë paqe në Evropë në 30 vitet e fundit, në periudhën e pas Luftës së Ftoftë, dhe na duhet ta zgjerojmë zonën e paqes. Kosova dhe Ballkani duhet të bëhen pjesë e kësaj zone të paqes demokratike sa më parë dhe hapi i parë konkret për këtë, prandaj është me kaq rëndësi, është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, tha ai për Zërin e Amerikës.

    “Njëra nga pikat në këtë debat ishte çështja e Asociacionit dhe nga këndvështrimi evropian, ka diçka të paqartë edhe për mua, rreth kësaj çështjeje. Çdo vend evropian ka një asociacion të komunave dhe e dimë se ato duken njësoj. Por kudo ato bazohen në lirinë e asociimit, që është vlerë themelore, që do të thotë se komunat i krijojnë vetë ato. Ato bëhen bashkë, shtetit nuk i lejohet t’i ndalojë dhe përderisa nuk e shkelin ligjin, ka një mirëkuptim se është një veprim që u lejohet komunave kudo. Tashmë ekziston një bashkësi e komunave në Kosovë. Ekziston një bashkësi e komunave në Serbi, në Bosnjë ekzistojnë dy të tilla, prandaj e kam të vështirë ta kuptoj se përse nuk themi “përse komunat nuk po e krijojnë këtë asociacion” të cilin ligjet e Kosovës ua lejojnë”, shton tutje ai.

    “…Dhe po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet. Një rezultat i tillë do të ketë pasoja të rënda, shumë të dëmshme për pakicat, sepse Këshilli i Evropës ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qasjes në Gjyqin Evropian të të Drejtave të Njeriut”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark