×
  • Insajderi Video
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ekspozimi i aferave në Drejtësi, Qeveri, Sport… këta janë dokumentarët që transmetoi InDoks në vitin 2022

    Insajderi
    01 January 2023 - 21:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vitin 2022 InDoks e kishte nisur me një rrëfim ekskluziv të biznesmenit Faton Dalladaku, ku pos ekspozimit të grupit që tashmë është i akuzuar për fajdet e veprimet e tjera që kishin marrë kundër tij, ai kishte ekspozuar edhe një sërë skandalesh brenda Sistemit kosovar të Drejtësisë. Gjatë vitit InDoks ka transmetuar edhe një seri rrëfimesh ekskluzive nga personazhe që kishin vendosur që ti zbulonin për këtë emision skandalet që nuk dolën kurrë më parë në publik.

    Një seri dokumentarësh janë publikuar edhe për afera në institucione të sigurisë, Qeverinë e Kosovës, ndërmarrje publike e madje edhe në organizata sportive. Këtu i gjeni krejt dokumentarët që ka transmetuar InDoks.

    Rrëfimi i Faton Dalladakut

    InDoks ka realizuar intervistë ekskluzive me biznesmenin, Faton Dalladaku. Për herë të parë ai rrëfeu për Isagën e tij disa vjeçare. Emri i tij bëri bujë në media kur iu publikuan pamjet duke iu dhënë para Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit. Ata u akuzuan e gjykuan. Në disa raste, çuditërisht, u shpallën të pafajshëm, ani pse ekzistojnë këto video.

    Për Dalladauk, as nuk ishin grupi i parë e as i fundit që dyshohet se i bënë presione, shantazhe, fajde e zhvatje për paratë e tij. Zyrtarisht ai nga Prokuroria konsiderohet si viktimë e grupit të Ismet Osmanit, i njohur si ‘Curri’. Një hetim po vazhdon edhe kundër biznesmenit tjetër, Zekë Jasiqi, ku denoncues është Dalladaku.

    Ai në këtë intervistë të gjatë për InDoks ka rrëfyer edhe për telashet që i ka me vëllezërit Krasniqi, që në publik njihen si djemtë që i sollën në Kosovë aparatet e bixhozit. Djemtë e Apexave. Shantazh. Zhvatje. Marrje pronash. Marrje parash. Vizita të natës për të ia marrë zyrën. Është një rrëfim i dhënë nga një person që jeton në Kosovë, por historia duket si nëpër filma amerikanë me gangsterë.

    Elita e ryshfetit

    Një rast tjetër të krimit që InDoks e solli gjatë janarit është rasti Brezovica. Brezovica, dikur një qendër turistike ku rëndom shkohej me autobus e organizim të përbashkëta, se tentohej të ruhej pasuria e saj natyrore, që nga viti 2012 e ndoshta edhe pak kohë më herët filloi të bëhej vend ku po rehatoheshin njerëz që grumbulluan pasuri e pushtet, shpesh në mënyrë të dyshimtë.

    Po tentonin të krijonin një elitë. Elita e atyre që vikendin e kalojnë në vila private në mal.

    Një hetim i prokurorisë tashmë ka nisur të zbardh një histori krejt tjetër. Një elitë, ajo që ishte tentuar të ndërtohej përmasë pasjes në pronësi të vilave, po dyshohet se kryesisht e bëri këtë duke i ndërtuar ato me ryshfet.

    Një dosje e madhe hetimore që ka çuar në paraburgim deri tash shumë persona është deponuar në Gjyq. Një aktakuzë tjetër, tashmë është në proces gjykimi. Arrestime spektakulare janë kryer. Qindra-mijëra euro ryshfet janë përmendur. Janë përmendur edhe emra të mëdhenjtë të biznesit dhe jetës publike.

    Krejt dhe Shtrenjtë

    Viti 2022-të lirshëm mund të themi së shënoi vitin e rritjeve të çmimeve. “Krejt dhe Shtrenjtë”, është titulli i emisionit tjetër InDoks. I realizuar përgjatë mesit të janarit.

    Çmimet e produkteve, përfshirë edhe ato bazë për shportën e familjes pësuan rritje drastike. Pos tyre, rrugës së pashmangshme për shtrenjtim ishte edhe energjia elektrike. Edhe çmimi i ujit. Por, nuk është rritur paga. Ka pasur me numra, rritje ekonomike, por ka pasur edhe inflacion. Protestëza janë mbajtur kundër rritjes së çmimit të rrymës.

    Premtimi i Kryeministrit Albin Kurti për ta ulur çmimin e energjisë elektrike tash është shndërruar një kauzë të tij për tu kapur me ata që e kundërshtojnë rritjen e çmimit që po ndodh nën qeverisjen e tij.
    Agjencia e Statistikave të Kosovës realizoi një analizë të çmimeve. Raporti i fundit i dhjetorit 2021, kur e krahason me atë të dhjetorit të vitit 2020 del që në përgjithësi ka një rritje çmimesh për 6.7 për qind. U shtrenjtua buka, vaji, qumështi, sheqeri, kripa. Krejt u bën shtrenjtë.

    Zbutja e ‘Zajednicës’

    Në muajin shkurt, InDoks i kushtoi një emision ‘Zajednicës’. Kanë kaluar 7 vite nga koha kur Albin Kurti para popullit thoshte që “Qeveri po ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes ‘Zajednicës’ që na ‘bosnizon’”. Në vitin 2015, kur Vetëvendosje organizonte protestë pas proteste, përfshirë edhe protestën “Zajednica ka vdekur’ ishte shfaqur shumë dhunë.

    Në atë kohë policët nuk sulmoheshin me nga një shuplakë, por përgjakeshin nga protestuesit.

    Tash në postin e Kryeministrit, Albin Kurti ka filluar që të zbut qëndrimin ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Nuk po i thotë më as ‘Zajednicë’. Po i thotë Asociacion.

    InDoks sjelli një rrëfim krejt tjetër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Rrëfyer nga dy ish-kryediplomatët kosovarë të kohërave kur u bënë negociatat jo vetëm për këtë temë, por edhe për plotë tema të tjera me rëndësi.

    Nga kriza në krizë- një vit nën ‘regjimin’ e Kurtit e Osmanit

    Muaji shkurt shënoi edhe 1 vjetorin e qeverisjes në Republikë që ndërroi komplet. Partitë që ishin me rrotacion e herë herë edhe bashkë në pushtet për dy dekada e morën një përgjigje: Populli e donte Albin Kurtin e Vjosa Osmanin në krye të institucioneve. Fitimtarët e ndërtuan tregimin që po shkon regjimi i vjetër, që me automatizëm i bëri këtë dyshe të jenë regjimi i ri. Për një vit nepotizmi tashmë është fenomen i përditshëm.

    Xhipat e zinj të dyshesh e veturat me piskama e policë në përcillje të ministrave janë pamja e përditshme e rëndomtë e kryeqytetit.

    Shtrenjtimi i energjisë elektrike është ajo që është debatuar më së shumti, por shtrenjtimi edhe i çmimeve të pothuajse çdo produkti tashmë është brenga e madhe e popullit.

    Një vit pas InDoks iu kthye edhe një herë qeverisjes nga dyshja Kurti e Osmani. Kanë folur  politikanë. Gazetarë. E fytyra të tjera publike. Ata që për së afërmi e përcollën këtë pushtet që nga dita e parë.

    Tepër shtrenjtë

    “Tepër shtrenjtë”, ishte titulli i emisionit të radhës nga InDoks prodhim i Gazetës Insajderin. Albin Kurti në opozitë u kishte dhënë shumë premtime qytetarëve. U tregonte se si po paguajmë shtrenjtë energji elektrike kur kemi shumë kapacitet. Kur erdhi në Qeveri, e ndërroi mënyrën e të folurit. U thoshte që nuk mund të e rregullonte problemin për 10 muaj.

    Tashmë rritja është me vendim. Praktikisht, faturat erdhën edhe më të shtrenjta, ani pse në një video propagandistike të partisë së tij, të publikuar krejt në fund të vitit 2021, ishte konstatuar se u ndalua rritja e çmimit të rrymës.

    Por, në fakt ndodhi e kundërta. InDok përmes këtij episodi iu kthye edhe një herë këtij problemi, për të cilin një deputet i pushtetit, në një formë e pranoi që ishte një mashtrim

    Misteri milionësh i PAN-it

    “Misteri milionësh i PAN-it”, u titullua dokumentari i cili fliste për punën e Pal Lekajt me autostradën “Arbën Xhaferi”. Lekaj, dhe jo vetëm ai, u panë disa herë në Pallatin e Drejtësisë.

    Një aktakuzë kundër tij dhe tre personave të tjerë tashmë është deponuar në Gjykatë nga Prokuroria Speciale.

    Ata po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme ia deponuan në xhirollogarinë e kompanisë amerikano-turke, ‘Bechtel – Enka” hiç më pak se sa 53 milionë euro për shtyrje afati.

    Dosja e Prokurorisë që siguroi InDoks zbuloi se në atë periudhë, kompanisë ‘Bechtel-Enka’ nuk iu bartën vetëm 53 milionët, por edhe një shumë tjetër prej 44 milionësh. Kjo madje, del të jetë edhe më e dyshimtë se e para, pasi që u bë pa u nënshkruar nga zyra e zyrtari që ligji e thotë që duhej të nënshkruhej.

    InDoks iu kthye edhe një herë asaj afere. Një misteri me miliona në mes të Qeverisë së PDK-së, AAK-së e Nismës që njihej si Qeveria PAN, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj dhe kompanisë amerikano-turk “Bechtel-Enka”.

    Në këtë episod folën ata që u akuzuan. Mbrojtës të tyre. Zyrtarë të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit. U zbuluan detaje nga dosja.

    Dosja Fajdexhinjtë e Pejës

    InDoks nuk u kursye as në raportimin e rasteve nga sistemi i drejtësisë. Në muajin mars para publikut solli emisionin “Dosja e Fajdexhinjëve të Pejës”. Një rast i madh me shumë persona që dyshohen për veprën penale të fajdeve.

    Kryesisht rasti i fajdexhinjve të Pejës lidhet rreth një viktime që sipas Dosjes del që sa e largonte një borxhli i ngjitej tjetri. Merrte borxh për të larë borxh e kamatat e fajdeve rriteshin çdo muaj.

    A do të nxjerr procesi gjyqësor vetëm një viktimë, apo edhe të tjera viktima? A do të rritet numri i të dyshuarve edhe më shumë se sa që tashmë është- aq sa me zor i zinte salla e Gjyqit?

    Ani pse Gjykata u kujdes që të pamundësonte punën e mediave, InDoks solli detaje ekskluzive nga dosja mbi Fajdexhinjtë e Pejës. Kush janë ata? Për çka dyshohen? Çfarë pronash u listuan që të iu bllokohen? Lidhjet e tyre me biznesin e politikën.

    Qeveri e dobët përballë mashtruesve të fortë

    Qeverinë “Kurti 2” kriza energjetike e zuri të pa përgatitur. Rritja e çmimeve kapi shifra alarmante. Kriza as nuk ishte diçka e papritur e as e paparalajmëruar. As pasi që publikisht u raportua për këtë krizë.

    Çmimet kishin shkuar deri në përmasa që në një formë shkaktuan edhe panik tek qytetarët për të blerë edhe me sasi shpesh të panevojshme, dhe me çmime të paarsyeshme, e megjithatë kjo krizë sa ishte produkt i zhvillimeve ndërkombëtare e sa i zhvillimeve vendore?

    Sa hise kishte kjo krizë e re tek pandemia dy vjeçare që ende po vazhdon, kriza energjetike globale e lufta në Ukrainë e sa mos-marrja e masave eventuale mbrojtëse nga Qeveria?

    A është edhe kjo Qeveri e dobët përballë biznesmenëve që dyshohet se me mashtrim po rrisin çmimet? Janë disa pyetje që morën përgjigje në këtë episod të InDoks.

    Pika e Zezë e Policisë

    Viti 2022 do të mbahet mend edhe për rastin e policëve të dyshuar për korrupsion. InDoks realizoi dokumentarin me titullin “Pika e Zezë e Policisë”.

    48 policë e dy doganierë dyshoheshin për ryshfet në dy pika kufitare me Shqipërinë. Për një ryshfet masiv. Aq sa Prokuroria Speciale në dokumente e përshkruante që ata po vepronin si ‘inkasantë’ për ti mbushur xhepat e tyre.

    Dosja ekskluzive e rastit ‘Pika’ që sjelli InDoks në këtë episod zbulon një nivel shqetësues korruptimi të zyrtarëve në Policinë e Kosovës. E për më shumë, as nuk është rasti i parë i këtyre përmasave.

    Në këtë episod u zbuluan detaje nga Dosja e madhe e Prokurorisë Speciale dhe IPK-së që ishte deponuar në Gjykatë. Për InDoks foli edhe njeriu që e drejtoi krejt këtë operacion.

    ‘Huligani’ që zaptoi Federatën e Futbollit

    InDoks i kushtoi një emision me detaje ekskluzive edhe rastit të zgjedhjeve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës. Protagonist kryesor, Agim Ademi.

    Gjatë kohës kur InDoks po e realizonte këtë episod, FFK-ja që ai e drejton eliminoi edhe konkurrentin e tij të fundit në garë. Por, kush është Agim Ademi? Përfshirja e tij në procese gjyqësore, rrahje, skandale e prapaskena ndeshjesh. Raporti i tij me biznesin e politikën.

    InDoks sjelli rrëfimin ekskluziv të njërit nga viktimat e grupit ku Agim Ademi do të rigjykohet për të. Flasin edhe njerëzit që u thirren për të dëshmuar në Prokurori kundër tij. Flasin edhe kandidatët që u eliminuan. Rrëfejnë edhe ata që raportuan për karrierën e tij.

    Tashmë Agim Ademi veç ka fituar edhe një mandat në krye të FFK-së.

    Misteri i oksigjenit nën hetime

    Në muaj prill, një dokumentar InDoks i kushtoi edhe fushës së shëndetësisë. Më konkretisht realizuam emisionin “Misteri i oksigjenit nën hetime”.

    Gjatë fazave me shumë pacientë të hospitalizuar me Covid-19 kërkesat për oksigjen ishin rritur tej mase. Me çfarë oksigjeni u furnizuan institucionet publike të shëndetësisë kosovare? A patën licenca valide kompanitë që u angazhuan që të bënin biznes me oksigjen në kohë pandemie? Pse në Kosovë numri i vdekshmërisë nga ata që u prekën me këtë sëmundje ishte më i lartë se sa në Shqipëri, Mal të Zi, e madje edhe në Serbi?

    Një hetim i ri i Inspektoratit Farmaceutik bashkë me Policinë e Kosovës kishte nisur në mars të 2022-ës.
    Kompania që bëri furnizimet më të mëdha të oksigjenit të lëngshëm është denoncuar. InDoks sjelli detaje ekskluzive nga ky hetim. Rrëfime nga ata që e përcollën nga fillimi procesin e furnizimit me oksigjen e alarmuan për të.

    #ErdhiDita për punësim të farefisit

    Kapja e shtetit. Punësime partiake. Farefisi janë për dasmë e ahengje. Janë këto vetëm disa nga frazat me të cilat masa do të argëtohej derisa Albin Kurti në opozitë iu fliste nga bina. Ia dhanë edhe votën. E votuan si askënd më parë.

    Mbi një vit në Qeverinë e tij të dytë situata ka ndryshuar. Hulumtimi një konkurs në Korporatën

    Energjetike të Kosovës ku aplikuan mbi 4600 persona, e që nxori që ata që u punësuan kryesisht ishin simpatizantë të partisë në pushtet ka ngritur dyshime serioze se ato premtime të fushatës a ishin mashtrim.

    Këto dyshime i rrit më shumë edhe hulumtimi i Insajderit për konkursin për gardianë në Shërbimin

    Korrektues, institucion nën ministrinë e Drejtësisë që udhëhiqet nga një funksionare e lartë e

    Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

    InDoks në këtë episod do të sjell rrëfime ekskluzive për këtë konkurs. Detaje të pa publikuara më parë edhe për punësime e emërime nëpër borde. Qëndrime nga ata që po e mbikëqyrin këtë Qeveri dhe që paralajmërojnë edhe beteja me të në organet e drejtësisë, po për mbushjen e ndërmarrjeve publike me simpatizantë të partisë në pushtet.

    Asgjë e mirë nga fronti i Gërvallës

    Mbi një vit në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për njerëzit që e përcjellin diplomacinë është e vështirë që të gjejnë ndonjë gjë të mirë për t’ia përmendur asaj. Asaj i përmenden shkarkimet që ka bërë. Gafat në komunikim publik.

    Deklaratat e Donika Gërvallës para se të bëhej ministre. Dhe, beteja e saj e nisur dikur me ish-Shërbimin Informativ të Kosovës, ShIK-un, që tashmë e ka shndërruar në betejë kundër shumë diplomatëve, punonjës të dikasterit që vet e drejton. Një vit pas InDoks i kthehet punës në diplomaci të bërë nga Qeveria Kurti, nga Gërvalla e Presidentja Vjosa Osmani. Pa asnjë njohje, pa asnjë pranim në organizata ndërkombëtare, pa vizita të rëndësishme.

    Për gratë që e udhëheqin diplomacinë kosovare u deklaruan vetëm gra që e kanë mbikëqyrur për së afërmi këtë fushë.

    Tokat e Dajës

    Afro gjashtë vite pas ngritjes së aktakuzës, Azem Syla një njeri i mistershëm, të cilin hetuesit e EULEX e përshkruanin si ai që e shmang edhe bisedat telefonike dhe i kryen punët në takime direkte, do të shfaqet përsëri në Gjyq. Do të paraqitet si lider i një grupi që bëri manipulime me prona në vlerë mbi 30 milionë euro.

    Çka ndodhi me këtë hetim që nisi si i madh e tash po degdiset nga një prokuror tek tjetri e nga një gjyqtar tek një tjetër? Nga ndërkombëtarët –tek vendorët? Si u ndërruan 5 gjyqtarë e 5 prokurorë? Sa të akuzuar vdiqën duke pritur një gjykim normal? Për sa prona bëhet fjalë e sa është vlera e tyre? Çka gjeti hetimi i veçantë për këtë rast dosjen e të cilit e ka InDoks?

    Si i përmend dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it mbi 860 mijë marka të fondit “Vendlindja Thërret” derisa po fliste për rastin “Toka”? Çka u gjet nga Inteligjenca Financiare në një hetim për një tokë krejt tjetër që u ble përmes një OJQ-je?

     InDoks sjelli detaje nga këto dosje.

    Gjykata anti-UÇK

    Në muajin maj, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim. Në dhjetor Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim.

    InDoks, në fillim të muajin maj realizoi dokumentarin me titullin “Gjykata anti-UÇK”. Në atë kohë ishin të ngritura vetëm 4 aktakuza.

    E aktakuza me më shumë peshë deri tash, ajo kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryepralmentarit, Kadri Veseli, Ish-Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi e ish-Shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi është ende në faza përgatitore.

    Çdo kërkesë e tyre për ti liruar nga paraburgimi u refuzua. Parashikimet janë që edhe shumë vite ata pritet që të qëndrojnë të paraburgosur, pasi që edhe shumë vite do të zgjasë gjykimi kundër tyre-parë nga aktakuza që tashmë veç është ri-plotësuar edhe një herë.

    Se çka po ndodh me Gjykatën Speciale dhe se sa shkelje janë bërë deri tash. Si po vazhdon që Prokuroria që deponon akuza në këtë Gjykatë po i ndjek vetëm shqiptarët dhe vetëm njerëzit e UCK-së. Sa është drejtësi e sa politikë. Si u implikua së fundi dhe a do të thirrët dëshmitarë edhe njeriu, raporti i të cilit e nisi krejt këtë Gjykatë, Dick Marty.

    Janë këto vetëm disa nga pyetjet që morën përgjigje në këtë episod të InDoks.

    Komiteti i Akuzave

    InDoks në muajin maj iu rikthye sërish pjesës së problematikave në sportin kosovar, veçse tash me Komitetin Olimpik. Apo i njohur si “Komiteti i Akuzave”.

    Edhe pse Republika krenohet me të, Komiteti Olimpik i Kosovës e la jashtë Majlinda Kelmendin. As ajo e askush nga Federata e Xhudos nuk është në pozitat drejtuese të kësaj organizate sportive. Një mbledhje e asamblesë së KOK-ut shkoi si mos më keq. Për kohë të gjatë udhëheqësit e saj, në krye me Presidentin Ismet Krasniqi kanë tentuar që edhe pamjet e asaj përplasje ti mbanin larg publikut.

    InDoks, solli pamjet dhe debatin e ashpër që u bë brenda KOK-ut. Rezultati që doli nga kjo mbledhje e kontestuar- që në fakt la jashtë organeve kryesore drejtuese të saj Federatën më të suksesshme të krejt Komitetit- xhudon.

    Për InDoks, u deklaruan ata që po denoncojnë udhëheqësin aktuale të KOK-ut. Ekspozuan presidentin e kësaj organizate sportive për dallavere. Ngrenë dyshime për veprime të paligjshme, keqpërdorime financiare, e përmendin edhe vepra penale.

    E akuzon Kryeprokurorin

    Në qershor InDoks sjelli një intervistë të biznesmenit nga Zvicra që tha se po e kërkon një pronë të tij që e pagoi në vitin 2005. Në pyetje ishin shumë hektarë dhe qindra-mijëra euro që pagoi.

    Qe 17 vjet nuk po mund ta marrë atë pronë. Tha se krejt këtë sagë ia shkaktuan një grup njerëzish që i quan mashtrues. Kryesori në këtë grup, sipas tij, është hiç më pak se sa Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.

    Fondi i Dallavereve

    Alban Pozhegu, një sinjalizues për dyshimet për keqpërdorim në Fondin shtetëror për Sigurime Shëndetësore kishte vite që po tentonte që të alarmojë se çka po ndodhë në këtë institucion. I kushtoi me largim nga puna. Më shumë se një herë bile. Qindra faqe dokumente i ka deponuar deri tash në Prokurori. I ka ndarë edhe me InDoks, pos këtij rrëfimi ekskluziv që e dha për emisionin. Kryefjala e këtyre dallavereve që i ka denoncuar: Drejtori i Fondit, Fatmir Plakiqi tashmë i shkarkuar nga kjo pozitë.

    Rastet e tij, thotë ai po bllokohen në Prokurori. Përmend faktin që Plakiqi për një kohë ka punuar në institucionin që autorizohet nga Prokuroria për hetime: Policinë e Kosovës.

    Në kërkim të drejtësisë – Rrëfimi ekskluziv i Veton Berishës

    Po bëhen afro 2 vjet që kur ankesa e ish-deputetit Veton Berisha dhe Albert Kinolli nuk po merr përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

    Cila është arsyeja që Gjykata nuk po merr vendim?

    Cilat janë implilimet që ka ky vendim,, nëse del në favor të Berishës e Kinollit?

     A mundet që ky vendim ta rrëzoj Qeverinë? A mundet ta rrëzojë edhe Presidenten?

     Janë këto disa pyetje që marrin përgjigje në rrëfimin ekskluziv të Veton Berishës dhënë për InDoks.

    Rasti që tronditi Republikën

    Rasti i dhunimit të një 11 vjeçare tronditi gjithë Kosovën e edhe më tej. E mitura po dyshohet se u abuzua seksualisht nga disa persona, edhe të moshës madhore. Disa prej tyre ndodhen në paraburgim ende. Dy rastet për cilat u raportua ndodhën në muajin qershor e gusht/

    Ka pasur dorëheqje të njerëzve në institucionet e zbatimit të ligjit. Ka pasur edhe shkarkime e transfere.

    Kanë nisur hetime nga Inspektorati Policor edhe në vet Policinë e Kosovës.

    Akuzat në masën më të madhe për këtë rast janë drejtuar kundër sistemit të drejtësisë. Madje shefat e gjykatësve nuk u lanë as të flisnin nga aktivistë të shoqërisë civile? A janë këto akuza të bazuara?

    InDoks sjelli detaje tronditëse të një rasti të dhunës seksual me një të mitur, i cili u zvarrit nëpër gjykata që nga viti 2014 vetëm për tu shpall i akuzuari bash këto ditë: i pafajshëm.

    Dokumentar ekskluziv për grupin e shqiptarëve në Idlib

    Në qytetin Idlibit, në Siri, një nga pak vendet që ende një pjesë e kontrollojnë forcat që po rezistojnë kundër Qeverisë së Bashar Al-Asadit, jetojnë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.

    InDoks e kishte përcjellë këtë grup për muaj të tërë. Në këtë episod për herë të parë sillen para publikut pamje ekskluzive nga jeta e tyre atje. Aktivitetet. Përgatitjet ushtarake. Dhe brendi i ri ushtarak që kanë krijuar aty, i quajtur ‘Albanian Tactical’. Një kalim nga grupi ‘Xhemati Alban’ për të cilin InDoks kishte transmetuar shumë kohë më parë.

    Në këtë episod sillen edhe detaje nga tendenca e disave prej tyre për tu riatdhesuar. Pse nuk i pranoi shteti i Kosovës?

    Është një dokumentar për jetën e një grupi në një qytet që bombardohet në vazhdimësi, që ka një kamp të madh refugjatësh e që i bën ballë një regjimi të pamëshirshëm si ai i Asadit. Shfaqen video ekskluzive ku ligjërohet me pasion për sulmet kamikaze.

    Dosja e bixhozit

    Vitit 2019. Nisma e Qeverisë së Ramush Haradinajt Kryeministër në atë kohë do të bëhej me shpejtësi vendim i plotfuqishëm i shtetit. Kuvendi i Kosovës me procedura të shpejta do të kalonte ndryshimet që bën ilegale çdo veprimtari të bixhozit në Republikën e Kosovës. Edhe Lotarinë shtetërore të Kosovës.

    Gati tri vite më vonë nga ai veprim, çka ka ndryshuar në fushën e lojërave të fatit në vend? Ndalimi i tyre a i ndaloi vërtetë kosovarët që të mos luajnë bixhoz? A e ndali kriminalitetin që ndërlidhet me këtë industri? Apo për këto vite vetëm janë rritur rastet e hetimeve e proceseve gjyqësore që lidhen me lojërat e fatit?

    Në këtë episod të InDoks, për herë të parë para publikut sillen detaje ekskluzive se përse u akuzuan pronarët e bizneseve të bixhozit, dikur të ligjshme në vend. Si e bënin ata shpëlarjen e parave, sipas Prokurorisë. Cilët nga biznesmenë, dikur të bizneseve të ligjshme të bixhozit tash janë kapur duke bërë bixhoz ilegal.

    Krimi makabër te Mali i Madh

    Një rast tjetër që tronditi vendin, ishte rasti i vrasjes së biznesmenit, Bedri Rexhepit. InDoks i kushtoi një dokumentar me detaje ekskluzive këtij rasti.

    Pas afro 1 vjet e gjysmë, vetëm në muajin tetor të 2022-ës është arritur të gjendet trupi i pa jetë i biznesmenit nga Shtimja, Bedri Rexhepi. I ndjeri, sipas prokurorisë u vra në bashkëkryerje nga vëllezërit Vllasaliu. Nexhati e Jetoni. Motivi, 30 mijë euro.

    Të enjten e 20 tetorit, Bedriut iu dha lamtumira e fundit. Vuajtja e familjare ishte e madhe.

    Jemi në moment historik | Intervistë me Enver Hoxhajn

    Përgjatë vitit, InDoks realizoi një intervistë edhe me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Pikërisht në kohë kur në media filloi të diskutohej plani franko-gjerman. Me të cilin parashihet marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë. Hoxhaj për InDoks zbuloi detaje të padëgjuara më parë.

    A është njohja thelbi i këtij plani?

    Dosja Stankaj

    Gjatë fundit të shtatori të 2022-ës, ministri i Bujqësisë, Faton Peci në publik ngriti alarmin se dhjetëra villa janë ndërtuar jashtëligjshëm vetëm në fshatin Stankaj në Pejë. Janë ndërtuar në tokën e shtetit. I publikoi edhe disa fotografitë.

    Ekipi i InDoks në fillim të nëntorit ishte në po atë vend. Villat ishin aty. Madje, në së paku dy prej tyre kishte pasur përparim në ndërtim.

    Ditën kur ekipi i InDoks ishte në vizitë për vendin ku u alarmua për krim, punimet ende po vazhdonin. Mjeshtrit në një shtëpi madje nuk i bezdisi as fakti që po incizoheshin. As që tashmë ka nisur një hetim nga Prokuroria.

    Çka ndodhi në Stankaj? Prona e kujt u përdor për të ndërtuar villa qejfi, deri tash të konsideruara ilegale? Sa prona të tjera iu zaptuan Institutit Bujqësor të Kosovës në Pejë, e sa në Prishtinë? Kush është fajtor për këtë krim kundër pronës së shtetit?

    Në këtë dokumentar InDoks për herë të parë sjelli dosjen e ndërtimeve të dyshimta në Stankaj.

    Uzurpimet e tjetërsimet e pronës së Institutit Bujqësor në krejt Kosovën. Sillen para publikut dokumente që InDoks i ka siguruar përmes burimeve e përmes qasjes në dokumente publike. Për herë të parë një rrëfim të gjatë e ka dhënë edhe njeriu që e drejton Institutin që nga viti 2010.

    Rrëfimi i Aleksandar Jablanoviç: Si jetojnë kosovarët në Veri

    Në këtë intervistë të gjatë dhënë për InDoks, ish-Kryetari i Listës Serbë, tash kryetar i Partia e Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviç ka rrëfyer për të kaluarën e tij, për deklaratën që e largoi nga posti i Ministrit në Qeverinë e Kosovës.

    Ka folur për përplasjen në mes të qeverisë në Beograd e asaj në Prishtinë, dhe si e ndikon jetën e serbëve por edhe të të tjerëve në Veri të Kosovës. Ka folur për zgjedhjet dhe targat. Ka denoncuar Listën Serbe si një parti që i mban peng sidomos serbët e Veriut.

    Është një rrëfim ku ai shpreh qëndrimet e tija politike si asnjëherë më parë. A do të mund të mbahen zgjedhjet në Veri? Si e ushtron kontrollin Lista Serbe në atë territor të Kosovës?

    Historia e abuzimit të Iljasa Fazliut me fëmijën me autizëm

    Prindërit kishin vendosur qe fëmijën e tyre 3 vjeçar të diagnostikuar me autizëm ta dërgonin në një klinikë private. Që të mund të inkorporohej më mirë në jetë, me gjendjen që ka. Më vonë, ata panë shenja se e vogla i tyre nuk po përmirësohej, por po keqësohej.

    E vërteta që ata do të zbulonin do ti shokonte. I paraqitur si logoped, Iljasa Fazliu del se kishte abuzuar verbalisht me fëmijën. Aq shumë ishin tronditur, sa krejt situata përfundoi kur prindi edhe e sulmoi fizikisht Iljasa Fazliun.

    Krejt ky rast do të mund të mbetej në heshtje, por një raportim i Insajderit e nxori në publik këtë skandal. Pas raportimit, tutje do të ndërhynin organet e rendit.

    A është rasti i Iljasa Fazliut rast i izoluar? Rast i vetëm ku punëtori shëndetësor abuzon me pacientin? Apo është ky një fenomen? InDok ka sjell një rrëfim tjetër për këtë fenomen, treguar nga ata që mbikëqyrin punën e mjekëve, nga gazetarë e mbrojtës të te drejtave të pacientëve. Sillen në publik edhe statistika shqetësuese.

    Sa mjekë kosovarë po ndiqen për abuzime me pacientë?

    Kur fryn Veriu

    Muajit e fundit të 2022-ës shënuan vitin më të tensionuar në Veri të vendit. Barrikadat u hoqën me 30 dhjetor përfundishmit. Mbi 19 ditë kufijtë Jarinje, Bërnjak e Rudarë ishin të bllokuar. Barrikada.

    Mbyllje e institucioneve arsimore.

    Mbyllje pothuajse e tërësishme e lokaleve të gastronomisë. Sikur dikur në pikun e pandemisë Covid-19.

    Atë kohë barteshin maskat kundër virusit, tash pjesëtarët e Mbrojtës Civile bartin maska të tjera.

    Derisa po përgatitej ky episod i InDoks, gjendje përshkruhej si qetë me tendencë esklaimi. Kështu është tash e disa ditë gjendja në Veri të vendit, që është një territori jo i vogël.

    Çka ndodhi në Veri?

    InDoks me kaq nuk do të ndalet, përgjatë vitit 2023 do të kujdeset që të sjell ngjarje tjera edhe më ekskluzive, për të gjithë lexuesit e shikuesit e tij.

    Mijëra falënderime për gjithë ju që na ndiqni dhe vazhdoni të qëndroni me ne!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark