Një aktakuzë për dallavere me patentë shoferë në Pejë është deponuar në Gjyq. Aty përshkruhet se si funksiononte grupi që u akuzua për këtë krim. Prej ekzaminerëve e deri te instruktorët e një autoshkolle janë përfshirë në rast. Prokuroria pret që pos dënimit, të njëjtëve të iu ndalohet nga Gjykata edhe që të punojnë më këtë punë. Insajderi sjell detaje ekskluzive nga kjo aktakuzë.
Gazeta Insajderi
Në vitin 2022 Prokuroria Themelore në Pejë kishte arrestuar pesë persona në lidhje me dallaveret për patentë shofer. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Krimeve të Rënda, Ersan Qavolli ka deponuar një aktakuzë në Gjykatë, ku këta persona i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në këtë aktakuzë, Agim Restelica, Luigj Gojani, Denis Tafilaj, Asmon Aliçkaj e Fidan Tafilaj akuzohen se kanë kryer këtë krim.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Agim Restelic, nga data 18.07.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 22.09.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare dhe i tejkalon ato, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për personat tjerë dhe atë për A.K., I. K. L.Zh. M. Z. N.L. dhe të tjerë, në atë mënyrë që, i pandehuri Agim Restelica në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminerit të pjesës teorike për testin për patentë shofer i caktuar nga ana e Ministrisë së mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, në Njësinë për patentë shofer në Pejë, në kundërshtim me udhëzimet administrative…në atë mënyrë me datën 18.07.2022 ora 15:30, i ndihmon A.K. fillimisht të futet para datës së caktuar për provim 19.07.2022 dhe më pas i ndihmon në plotësimin e testit për provim teorik për patentë shofer të kategorisë B duke i treguar përgjigjet e sakta në pyetjet të cilat ishin në test, ashtu që i njëjti në fund për dhjetë minuta grumbullon 94 pikë.
Më datën 20.09.2022 në terminin e orës 14:30, në mënyrën e njejtë i ndihmon kandidatit I.. K., në plotësimin e testit për provim teorik për patentë shofer të kategorisë B duke i treguar përgjigjet e sakta në pyetjet të cilat ishin në test, ashtu që i njëjti në fund grumbullon 85 pikë,
Më datën 20.09.2022 në terminin e orës 14:30, në mënyrën e njëjte i ndihmon kandidatit L. Zh. në plotësimin e testit për provim teorik për patentë shofer të kategorisë B duke i treguar përgjigjet e sakta.
Aktakuza përshkruan edhe raste të tjera të vëprimeve të njëjta të të akuzuarit, dhe Prokurori Qavolli konstaton se :në këtë në këtë mënyrë, të lartcekurve u mundëson të kalojnë testin teorik dhe të fitojnë kushtin për pjesën praktike”, me çka ky i akuzuar, “ka kryer vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”
Edhe për të akuzuarin Luigj Gojani përshkruhen disa raste kur ai në cilësinë e personit zyrtar – asistent administrativë në njësinë për patentë shofer, disa herë ka ndihmuar persona madje ai duke iu kryer punë edhe pa pasur fletëpagesë.
“…pasi kandidati A.K. me datën 04.07.2022 kryen pagesën për provim të testit teorik, me datën 12.07.2022 në ora 08:52min i pandehuri Luigj nga llogaria e tij i lëshon fletdëshminë për qasjen në provim, ashtu që kandidati me datën 13.07.2022 ora 11:40min i nënshtrohet testit ku merr vetëm 27 pikë, kandidati A. prapë me datën 14.07.2022 kryen fletëpagesën, të cilin e paraqet me datën 18.07.2022 ora 08:58 dhe i pandehuri Luigj nga llogaria e tij i cakton terminin për provim me datën 18.07.2022 ora 14:30 tek ekzaminimeri. Agim Restelica, ku futet në provim pas orarit dhe atë në ora 14:50min, klikon në dy përgjigje dhe përfundon testin pa marrë asnjë pikë dhe pasi del nga provimi, me të njëjtën datë 18.07.2022, pa kryer fletëpagesën, prapë paraqet provimin dhe i pandehuri Luigj nga llogaria e tij në ora 15:29min i cakton terminin për datën 19.07.2022 ora 14:30, duke përdorur të njëjtën datë të fletëpagesës së provimit të dytë 14.07.2022, ashtu që i mundëson testimin e pjesës teorike kandidatit A.K. dhe futjen në provim me datën 18.07.2022 ora 15:31min, i cili e kalon me sukses dhe me këtë ka fituar te drejtën e hyrjes në provim në pjesën praktike”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza vazhdon duke shpjeguar veprime, që ishin të ngjashme me të dy të parët, por tash për të pandehurin Denis Tafilaj që sipas Prokurorit ka ve pruar bashkë me të pandehurit Fidan Tafilaj dhe Asmon Aliçkaj.
“Nga data 06.01.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 13.09.2022 në Deçan, duke vepruar si bashkëkryerës me të pandehurit Fidan Tafilaj dhe Asmon Aliçkaj, në mënyrë të vazhdueshme, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfito çfarëdo dobie për personin tjetër dhe atë për I.K., N. L. Dhe M.Z. ashtu që vepron në kundërshtim me nenet 44, 45, 46, 47, 48, 50 dhe 51 të Ligjit për patentë shofer2, në atë mënyrë që: I pandehuri Denis, si instruktor profesional i licencuar në auto shkollën “Vosa” në Deçan, kandidatit I.K. i plotëson formularin në librezën nr. 03… për periudhën 19.08.2022 25.08.2022, për orët e mbajtura të pjesës teorike edhe pse kandidati nuk ishte në Kosovë, ndërsa i pandehuri Fidan, si instruktor profesional i licencuar në auto shkollën “Vosa” në Deçan, kandidatit I.K. i plotëson dhe nënshkruan formularin në librezën nr. 03… për periudhën 26.08.2022 12.09.2022, për orët e mbajtura të pjesës praktike edhe pse kandidati nuk ishte në Kosovë, gjersa i pandehuri Denis i nënshkruan edhe pjesën e instruktorit dhe më pas kandidatit të lartcekur me datën 13.09.2022 i lëshon vërtetimin nr. V/00002.., për përfundimin e trajnimit për vozitje duke e nënshkruar tek ligjëruesi, shofer instruktori dhe drejtori”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza jep edhe raste të tjera konkrete të kandidatëve që ishte vepruar njësoj nga treshja e lartpërmendur.
Prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.
“Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar për luftimin e veprave penale nga kapitulli i korrupsionit dhe ndjekjen e kryeseve të këtyre veprave penale sipas Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.