Një vit pasi Atifete Jahjaga në cilësinë e presidentes së Kosovës dhe ministri i Ekonomisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Sulltan bin Saeed Al Mansouri, arritën marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, Kabineti i Emiratave ka miratuar këtë dokument.
Kështu bëhet e ditur në faqen zyrtare të Kabinetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kjo marrëveshje bazë e negociuar nga Jahjaga prej disa muajsh me Emiratet e Bashkuara pritet t’i hapë rrugë investimeve konkrete të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë. Njëra prej tyre mund të sigurojë edhe punësimin sezonal të shtetasve kosovarë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Marrëveshja u nënshkrua në Dubai, gjatë vizitws së Presidentes Jahjaga në prill të vitit të kaluar, e shoqëruar nga një delegacion në nivel të ministrave, në përbërje të të cilit është ministri për Financa i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Ekonomisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan bin Saeed Al Mansouri.
Arritja e kësaj marrëveshje vjen pas një sërë vizitash bilaterale në Kosovë dhe Emirate të Bashkuara Arabe, dhe takimeve që Presidentja Jahjaga ka pasur me Princin e Kurorës, Sheikh Muhammed bin Zayed al Nahyan, për të identifikuar plane dhe projekte konkrete për investime.
Sipas kësaj marrëveshje, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të përfshijë, por nuk do të kufizohet, në fushën e tregtisë, minierave, industrisë, bujqësisë, transporteve dhe telekomunikacionit./Insajderi.com