×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Episodi i dytë i dënimeve në Telekom- Inspektorati i Punës e gjobit me gjashtë mijë euro ndërmarrjen, sërish fajtore Burbuqe Hana

    Insajderi
    02 October 2023 - 16:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Telekomi i Kosovës po përballet me valën e dytë të dënimeve nën menaxhimin e kryeshefes ekzekutive Burbuqe Hana. Arsyeja e dënimit është e njëjtë: Anulimi i testit me shkrim, me qëllim të favorizimit të “të përzgjedhurve” të kryeshefes së vendosur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Inspektorati i Punës e ka dënuar në dy raste me nga tre mijë euro. Pra, në total gjashtë mijë euro.

    Besnik Gashi

    Ankuesi Isuf Mehmeti, njëri nga kandidatët për menaxher në pozitën e Burimeve Njerëzore, e ka fituar rastin ndaj Telekomit të Kosovës, për çka ndërmarrjen publike Inspektorati i Punës e ka dënuar me tre mijë euro.

    Në vendimin që e ka parë Gazeta Insajderi, Telekomi i Kosovës ka shpërfillur raportin zyrtar që iu është dorëzuar nga inspektorati dhe pas tre muajsh është dënuar për anulim të testit me shkrim për konkursin e lartpërmendur me 1.500 euro dhe 1.500 euro të tjera për mos-dhënie të përgjigjes brenda afatit nga komisioni ankimor ankuesit Mehmeti.

    “Komisioni duke mos e mbajtur intervistën me shkrim ka vepruar në kundërshtim me nenin 10, paragrafi 1, 2 dhe 3 i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit të Sektorit Publik.

    Komisioni duke mos i dhënë përgjigje ankuesit brenda afatit të përcaktuar ka vepruar në kundërshtim me nenin 13 [Procedura Ankimore], paragrafi 3, i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017, për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik”, thuhet ndër të tjera në vendim.

    Ankuesi ndër të tjera në ankesë pretendon se kandidati fitues i kësaj pozite, Ekrem Cervadiku, ka të falsifikuara dokumente dhe ka deklarime të rrejshme, ndonëse Inspektorati i Punës qartëson se nuk është nën kompetencën e tyre të trajtohet si rast.

    Ekrem Cervadiku ishte njëri nga miqtë e Burbuqe Hanës i cili u shpërblye me pozitë menaxheriale. Cervadiku u shpërblye me pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore, përkundër mungesës së përvojës së punës. Cervadiku nuk kishte pasur më herët përvojë menaxheriale dhe s’ka pasur shkollim adekuat për të. I njëjti ka diplomuar në Menaxhment dhe Informatikë, që s’ndërlidhet fare me burimet njerëzore.

    Përkundër mos-kualifikimit për pozitën, vitin e kaluar në fushën ku ishte zyrtar Cervadiku ishin ndërmarrë edhe veprime kundër-ligjore. Në Telekom ishte instaluar pajisja e regjistrimit të punonjësve me të dhëna biometrike.

    Për këtë, më 2022-ën ia kishte tërhequr vërejtjen Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar që të hiqen menjëherë dhe të shkatërrohen të dhënat e marra të punëtorëve.

    Insajderi po ashtu merr vesh se Telekomi është dënuar edhe me tre mijë euro të tjera për shkak të degradimit pa asnjë procedurë nga pozita e zëvendës-drejtoreshës së Marketingut ankuesen Merita Krasniqin. Për rastin e Krasniqit Insajderi ka kërkuar qasje në dokumente publike nga Inspektorati i Punës, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Në fund-gushtin e këtij viti, Insajderi raportoi për dënimet e para të Inspektoratit të Punës, në total prej 10 mijë eurove. Kreshnik Domi dhe Blerim Bala, dy kandidatë për kryeshefa ekzekutivë, fituan rastin kundër Telekomit. Inspektorati i Punës konstatoi shkelje të Ligjit të Punës në të dyja rastet.

    Dënimi erdhi dy muaj pasi që nuk janë zbatuar rekomandimet e inspektoratit nga raporti zyrtar.

    Telekomi ia “sheh sherrin” Burbuqe Hanës, dënohet 10 mijë euro nga Inspektorati i Punës- DOKUMENT

    “Kryeshefja është e autorizuar të themelojë komisionet, mirëpo në nenin 7 të U.A. 07/2017, e formon apo themelon komisionin, por kjo dispozitë nuk i jep të drejtën të emëroj vetën në komision. Kryeshefja znj. B.H duke emëruar vetën në këtë komision ka vepruar në kundërshtim të U.A. nenit 7, lidhur me nenin 8 të Ligjit të Punës 03/L-212”, u tha në dy vendimet e Inspektoratit të Punës.

    Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për skandalet në Telekomin e Kosovës. Në muajin e kaluar është raportuar edhe për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, Burim Hanës, në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”.

    Insajderi po ashtu ka raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. /Insajderi.org/

    “Dasmë” në Telekom- tash merr pozitë të lartë mikesha e vëllait të kryeshefes ekzekutive të VV-së

    QeVVerisja e mirë me miq shumë – Burbuqe Hana i shpërblen miqtë e saj pa përvojë me super-pozita në Telekom

    Pritjes i erdhi fundi- Burbuqe Hana në heshtje e avancon vëllain në Telekom

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark